Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Maqedonci: Kemi ushtri që ia bën të vështirë çdokujt që synon të na kërcënojë

Maqedonci: Kemi ushtri që ia bën të vështirë çdokujt që synon të na kërcënojë

Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes, ka thënë se Ushtria e Kosovës është modernizuar në masën e mjaftueshme sa që t’ia bëjë të kushtueshme dhe të vështirë çdo akteri që synon ta kërcënojë Kosovën.

Ai ka thënë se Kosova po ndërton ushtri me standarde të NATO-s. Për mandatin e shkuar ai ka thënë se janë investuar mbi 450 milionë euro vetëm në furnizime.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kemi një ushtri që ia bën të vështirë dhe shumë të kushtueshme çdo akteri që synon ta kërcënojë vendin tonë në të ardhmen. Një ushtri që ndikon që Kosova të jetë e mbrojtur, të jetë e gatshme, jo vetëm të kontribuojë dhe të ketë sigurinë e saj, por edhe të kontribuojë në sigurinë dhe paqen globale. Jemi duke u ndërtuar bazuar në një plan gjithëpërfshirës të tranzicionit dhe që është në fazën e fundit të përmbushjes. Kosova ka ndërtuar një forcë të sigurisë dhe një sistem mbrojtës që është i aftë ta mbrojë Kosovën nga çdo kërcënim dhe rrezik”, ka thënë ai në KTV.

Maqedonci ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë me planet e fuqizimit ushtarak, duke marrë për bazë kërcënimet e vazhdueshme prej Serbisë.

“Një thënie ushtarake është ‘përgatitja për luftë nënkupton parandalim i luftës’. Duke pasur parasysh ambientin global, kërcënimet dhe rreziqet janë më të mëdha se në vitet e kaluara edhe për shkak të agresionit në Ukrainë, krizës në Lindje të Mesme... ne duhet të pranojmë faktin se kemi një fqinj që p vazhdon të promovojë politika hegjemoniste në raport me shtetin tonë. Që ka mbështetur grupe terroriste, kriminale, për të cenuar sigurinë e qytetarëve tanë, me qëllim të aneksimit të territorit tonë, por falë institucioneve tona kemi arritur t’i mposhtim në veri të vendit dhe t’i dëbojmë. Fatkeqësisht Serbia po vazhdon t’i mbështesë këto grupe. Pos që s’kanë dorëzuar Radoiçiqin dhe grupin terrorist, ata e mbajnë në Serbi, e mbështesin dhe kjo tregon politikën hegjemoniste ndaj vendit dhe rajonit tonë”, ka thënë ai.

Sa i përket furnizimeve me armë, Maqedonci ka thënë se shumica e objektivave sipas planeve janë tejkaluar. Këtu ka përmendur edhe “armët që s’kanë qenë as të planifikuara”.

Maqedonci ka thënë se Kosova është pajisur me tre lloje dronësh, dy luftarakë dhe një vëzhgues, e se ka katërfish më shumë armë individuale se që ka personel dhe të planifikuara.

“Kemi miratuar Konceptin e Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse që nënkupton se jo vetëm FSK-ja në të ardhmen do ta ketë përgjegjësinë për mbrojtjen e vendit por çdo qytetar mund ta ketë mundësinë që vullnetarisht të regjistrohet dhe të kenë rolin e tyre në mbrojtjen e vendit. Po bëjmë sistem krejt të ri të mbrojtjes së vendit që i përfshin gjithë qytetarët dhe institucionet në mbrojtjen tonë”, ka thënë tutje ai në KTV.

Maqedonci ka shtuar se deri në fund të dhjetorit, Kosova synon të nisë me prodhimin e municioneve të standardeve të NATO-s.

Ai ka folur edhe për çështjen e helikopterëve BlackHawk nga SHBA-ja. Maqedonci ka thënë se tashmë janë dakorduar disa çështje me autoritetet amerikane, teksa ka shtuar se “sivjet do të jenë diskutimet dhe nënshkrimet e kontratës për helikopterët, që FSK-ja t’i ketë me kohë”.

Ai ka thënë se Kosova i ka pranuar me kohë edhe automjetet e planifikuara Wuran nga Turqia.

Lexo përditësimet tjera
flamuri

18 vjet shtet

Sot Kosova feston 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.Më 17 shkurt 2008 në një mbledhje të jashtëzakonshme...