Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kosova protestoi në prag të përfundimit të gjykimit të ish-udhëheqësve të UÇK-së

Protesta në Prishtinë

Foto: Driton Paçarada

Motoja “Drejtësi, jo politikë” është kthyer në porosi për Gjykatën Speciale me seli në Hagë, nga mijëra protestues që mbushën sheshet e Prishtinës në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Në protestën e organizuar në përvjetorin e 18-të të Pavarësisë, krahas qytetarëve, morën pjesë edhe përfaqësues institucionalë e politikë të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Sheshet e Prishtinës kanë përjetuar masën prej më të mëdhave të qytetarëve, që ndonjëherë janë mbledhur për të protestuar. 

Nga to, motoja “Drejtësi, jo politikë” është kthyer në porosi për Gjykatën Speciale me seli në Hagë, e cila e ka në përfundim procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep  Selimin, të cilët përballen me akuzën për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në protestën e organizuar në përvjetorin e 18-të të Pavarësisë morën pjesë mijëra qytetarë, e edhe përfaqësues institucionalë e politikë të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Protesta u organizua nga platforma “Liria ka Emër”.  Drejtori i saj, Ismail Tasholli, dha mesazhin kryesor.

“Qytetarët duan drejtësi, Jo Politikë. E sot, nga kjo ditë e Pavarësisë, ne dërgojmë një mesazh të qartë për ata që gjenden në Hagë – për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep  Selimin dhe të gjithë të tjerët: ju nuk jeni vetë. Pas jush qëndron një popull i tërë. Pas jush qëndron historia jonë, sakrifica jonë, liria jonë”, tha Tasholli. 

Në këtë frymë folën edhe ish-ushtarë të UÇK-së e familjarë dëshmorësh.

“Ne nuk kemi frikë nga drejtësia, sepse kush lufton për liri nuk i frikësohet së vërtetës. Ne kemi të drejtë të kërkojmë drejtësi të paanshme. UÇK-ja ishte organizim për mbijetesë, për mburojë për fëmijët, gratë e pleqtë. Ishte përgjigjja e një populli që po zhdukej. Sot kur e shoh këtë det njerëzish, e di që ata në Hagë nuk janë vetëm”, tha ish-ushtari i UÇK-së, Muhamer Ibrahimi. 

“Jemi familja e Rexhës, familja e baçit Jakup, familja e Veselit e familja e Hashimit. Sepse sakrifica e UÇK-së nuk i përket vetëm një familjeje, i përket të gjithë kombit. Prandaj 17 Shkurti nuk është vetëm festë, është betim që nuk e harrojmë sakrificën, betim që nuk lejojmë të përbalten luftëtarët tanë. Betim që nuk e ulim kokën para padrejtësisë. Nuk do të lejojmë që sakrifica të barazohet me faj”, tha Lirim Haziri i biri i Xhavit Hazirit, bashkëthemelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i zhdukur që nga viti 1998

E, në emër të presidentes Vjosa Osmani, në protestë foli e mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi-Goodman.

“Ne flasim për drejtësi dhe krimet që i kreu Serbia në Kosovë. Ne jemi të gjithë këtu për t’i liruar ata nga Haga, sepse nëse doni ta dini se çka e bashkon popullin shqiptar është cenimi i lirisë dhe padrejtësia... Ata duhet të lirohen. Ata mbrojtën popullin e vet si e gjithë Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha Krasniqi-Goodman. 

18 vjet më parë, kur Kosova u bë shtet deklaratën e Pavarësisë e lexoi Thaçi në foltoren e Kuvendit, kryeparlamentar i të cilit ishte Krasniqi e deputet Selimi. Ndërkaq, në legjislatura të mëvonshme, Veseli u bë deputet e edhe kryeparlamentar.

Në javën e shkuar e edhe të hënën është dhënë fjala përfundimtare nga palët. Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin, ndërsa mbrojtja lirimin pasi ka konstatuar se organi i akuzës nuk ka argumentuar me asgjë pretendimet e saj.