Sot Kosova feston 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Më 17 shkurt 2008 në një mbledhje të jashtëzakonshme Kuvendi njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoShpallja e Pavarësisë ishte rezultat i një procesi të gjatë dialogu. Por propozimi i presidentit Martti Ahtisaari nuk kishte marrë mbështetjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Edhe pse u kundërshtua nga Serbia e Rusia, Kosova deklaroi Pavarësinë, akt ky që mori mbështetje nga shtete të rëndësishme të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por akti i shpalljes së Pavarësisë nuk i dha fund dialogut që kohë pas kohe rrëshqiti edhe në diskutime për ndryshim kufijsh. Negociatat me Serbinë, të ndërmjetësuara herë nga Bashkimi Evropian e herë nga Shtetet e Bashkuara, kanë përbërë çështjen kryesore të politikës së jashtme, në përpjekjen për t’i dhënë fund sfidimit që Serbia ia bën shtetësisë së Kosovës.
E lëshimet në emër të këtij kompromisi kanë qenë të mëdha, të cilat kulmuan me ujdinë që Serbia e konsideron vegël për ushtrimin e kontrollit mbi një pjesë të territorit.
Megjithëse tani përjashtohet mundësia e diskutimeve për ndryshim kufijsh, të cilat ishin pjesë e diskursit gjatë vitit 2018-2019, rrezik po konsiderohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin Kosova ka dhënë një zotim me marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013. Përveç Serbisë që insiston në këtë pikë, edhe ndërmjetësuesit e dialogut e kanë lëshuar topin në anën e palës kosovare, duka ia kërkuar modalitetet e Asociacionit. Qeveria që tani udhëhiqet nga partia që kishte kundërshtuar edhe me protesta këtë mekanizëm, nuk ka dhënë sinjale se mund të ndryshojë qëndrimin.
18-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës do të përcillet me shumë aktivitete institucionale.
Nga ora 7 do të bëhet ngritja e Flamurit të Republikës së Kosovës, pas 20 minutave, përkatësisht në orën 7:20 do të mbahet mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në orën 7:30 do të bëhen nderime te Monumenti i të Pagjeturve e pas pesë minutash do të bëhen homazhe te Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë.
Në orën 8:00 mbahen homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova e pas 10 minutash te te varri i veprimtarit Adem Demaçi.
Nga ora 9 do të ketë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz e në 10:30 do të mbahet seancë solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Nga ora 11:25 do të bëhen nderime te Monumenti Heroinat, në orën 11:30 mbahet parakalimi i Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Në 17:30 pritje shtetërore nga Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe dita do të përmbyllet me koncertin solemn të Filharmonisë së Kosovës.
Konjufca nga Haga: Askush s’mund të shkelë mbi ushtrinë tonë të lavdishme çlirimtare
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, nga Haga gjatë një pritjeje të organizuar nga Ambasada e Kosovës në Holandë të martën, ka deklaruar se askush nuk mund të shkelë mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se lufta çlirimtare përbën, sipas tij, vlerën më sublime mbi të cilën është ndërtuar shteti i Kosovës.
Konjugca ka mbërritur në Hagë ku do të marrë pjesë në seancën e radhës në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në të cilën priten edhe fjalimet e tyre.
“Askush nuk mund të shkelë mbi ushtrinë tonë të lavdishme çlirimtare… këtë vlerë, e cila është në themel të shtetit tonë, do ta mbrojmë me çdo kusht dhe çdo çmim”, u shpreh ai, transmeton KosovaPress.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi po akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale, lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata janë të arrestuar qe gjashtë vjet. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha akuzat që u ngarkohen.
Në javën e shkuar e edhe të hënën është dhënë fjala përfundimtare nga palët. Prokuroria e Gjykatës Speciale ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin, ndërsa mbrojtja lirimin pasi ka konstatuar se organi i akuzës nuk ka argumentuar me asgjë pretendimet e saj.
Ndërkohë, në Prishtinë, gjatë ditës së sotme përveç aktiviteteve për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë, është mbajtur edhe një protestë me pjesëmarrje të gjerë në mbështetje të të akuzuarve. Kuvendi i Kosovës ka miratuar gjithashtu një rezolutë, ku theksohet nevoja për një proces të rregullt dhe të drejtë ligjor në Hagë.
Kurti kërkon gjykatë për “turizmin e snajperëve” në Sarajevë: Vuçiqi thuhet se është i përfshirë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar themelimin e një gjykate speciale ndërkombëtare për të hetuar dhe gjykuar krimet e njohura si “turizmi i snajperëve” në Sarajevë, duke thënë se në këtë fenomen thuhet të ketë pasur rol edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Deklaratat Kurti i bëri në konferencën e dytë shkencore ndërkombëtare të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë në 18-vjetorin e Pavarësisë. Ai ka thënë se, sipas informacioneve që qarkullojnë, gjatë rrethimit të Sarajevës në fillim të viteve ’90, persona të ndryshëm paguanin shuma parash për të qëlluar me snajper civilë boshnjakë nga kodrat përreth qytetit.
“Shtëpi të verdhë nuk ka, por ka gjithnjë e më shumë informacione dhe fakte se ka pasur ‘Sarajevo safari’, ku rol thuhet të ketë pasur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Për një shumë të hollash, nga kodrat përreth Sarajevës mund të qëlloje boshnjakë civilë me snajper në qytetin e rrethuar. Për të hetuar dhe gjykuar krimet e ‘Sarajevo safari’ do të duhej të angazhohej ndonjë gjykatë speciale ndërkombëtare”, ka thënë Kurti, transmeton KP.
Ai shtoi se e ashtuquajtura “shtëpia e verdhë” për trafikim organesh në Shqipëri, sipas tij, nuk ka ekzistuar kurrë dhe e cilësoi atë si pjesë të një narrative hibride kundër UÇK-së dhe Shqipërisë.
Duke folur për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Kurti theksoi se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme për liri dhe mbijetesë, si përgjigje ndaj, siç tha ai, një regjimi shtypës dhe represioni sistematik ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Në të njëjtën konferencë, drejtori ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, tha se ky organizim synon të thellojë dialogun shkencor dhe të zgjerojë perspektivën mbi hulumtimet e krimeve të luftës, duke ofruar analiza të thelluara dhe qasje ndërdisiplinare për pasojat afatgjata të luftës.
Erdogani uron Kosovën: Do ta vazhdojmë mbështetjen për ruajtjen e sovranitetit
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka dërguar një mesazh urimi presidentes Vjosa Osmani me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Në letrën e publikuar nga Osmani në rrjetet sociale, Erdogani shpreh urimet më të përzemërta për presidenten dhe për popullin mik të Kosovës, në emër të tij dhe të kombit turk.
Ai thekson se marrëdhëniet e veçanta ndërmjet Turqisë dhe Kosovës, të mbështetura në lidhje të forta historike, njerëzore, kulturore dhe ekonomike, do të vazhdojnë të forcohen në bazë të respektit dhe besimit të ndërsjellë.
Erdogani rikujtoi se Turqia ka qenë ndër vendet e para që ka njohur Pavarësinë e Kosovës dhe nënvizoi se Ankaraja do të vazhdojë të mbështesë ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj, si dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare.
Në mesazhin e tij, presidenti turk përmend edhe angazhimin e Turqisë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, duke theksuar se marrja për herë të dytë e komandës së KFOR-it nga Turqia do të kontribuojë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Gjithashtu, Erdo ani ftoi Osmanin për pjesëmarrje në Forumin e Diplomacisë në Antalia, që do të mbahet më 17–19 prill.
Kurti mirëpret Begajn në 18-vjetorin e Pavarësisë, ritheksojnë zgjerimin e bashkëpunimit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ditën e shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë, ka mirëpritur në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, gjatë takimit, Begaj përcolli urimet e tij më të përzemërta për popullin dhe shtetin e Kosovës me rastin e përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Ai njëkohësisht uroi Kurti për mandatin e ri, duke i dëshiruar suksese në realizimin e aspiratave të qytetarëve për mirëqenie dhe begati, si dhe në arritjen e objektivave qeveritare.
Në takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, zhvillimet aktuale në vend dhe në rajon, si dhe për zbatimin e marrëveshjeve të deritashme ndërqeveritare. Të dy bashkëbiseduesit ritheksuan vullnetin e përbashkët për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të reja dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore.
Kurti falënderoi Begajn për vizitën dhe urimet, duke theksuar se ai është presidenti i parë që e mirëpret në zyrën e tij në këtë mandat të ri.
Begaj u prit edhe nga presidentja Vjosa Osmani.
Rama uron Thaçin për 18-vjetorin e Pavarësisë: Më vjen keq që s’bëj dot më shumë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke shprehur keqardhje që, sipas tij, nuk mund të bëjë më shumë në lidhje me procesin gjyqësor ndaj tij në Hagë.
Në një video të publikuar në Facebook, Rama ka ndarë sekuenca nga një bisedë telefonike me Thaçin, i cili prej gjashtë vitesh po gjykohet në Hagë. Në video dëgjohet teksa i drejtohet me fjalët: “Gëzuar Pavarësinë, komandant”, ndërsa më pas shpreh shqetësimin e tij lidhur me procesin gjyqësor.
“Vëllai im, të përqafoj, të du shumë. Më vjen shumë keq që s’bëj dot më shumë, po... gëzuar edhe të përqafoj shumë fort dhe të fala atyre shokëve”, dëgjohet të thotë Rama gjatë telefonatës.
VIDEO:
Thaçi po gjykohet së bashku me ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe me ish-shefin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi. Ata akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale, lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha akuzat që u ngarkohen.
Seanca solemne në foto
Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne me rastin e 18-vjetoirt të Pavarësisë. Aty fjalime kanë mbajtur presidentja Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeministri Albin Kurti, kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu e shefat e grupeve parlamentare.
Poshtë gjeni disa prej fotografive të fotoreporterit të KOHËS, Driton Paçarada:


























Parakalojnë Ushtria dhe Policia e Kosovës (FOTO)
Trupat e Ushtrisë dhe Policisë së Kosovës kanë parakaluar në rrugën “Luan Haradinaj” në nder të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Para qytetarëve u shfaqën edhe një pjesë e automjeteve ushtarake, me të cilat është furnizuar Ushtria e Kosovës.
Poshtë gjeni disa prej fotografive të fotoreporterit të KOHËS, Driton Paçarada:

















































































Kurti: Republika nuk lëshon pe
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Republika e Kosovës nuk do të lëshojë pe kur bëhet fjalë te sovraniteti shtetëror, integritetit territorial e demokracisë popullore.
Në fjalimin në seancën solemne për 18-vjetorin e shtetësisë, Kurti ka thënë se këto duhet të jenë si atribut i përpjekjeve shekullore të aktivistëve e të atyre që luftuan për të arritur Republikën.
Në Kuvend ai ka kujtuar procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po akuzohen për krime lufte.
“Ndërsa kujtojmë datën e shpalljes së Republikës, brengosemi që krerët e UÇK-së e të Republikës së Kosovës po akuzohen padrejtësisht sepse guxuan të marrin armët për liri kundër shtypjes njëshekullore dhe një regjimi gjenocidal. Akuzat e Prokurorisë në Hagë nuk qëndrojnë. S’marrin parasysh kontekstin historik e politik të luftës sonë çlirimtare që ia detyrojmë lirinë e sotme. Krimet kundër njerëzimit i ka kryer Serbia e Millosheviqit. Kërcënim për përsëritjen e tyre është sot Serbia e Vuçiqit. Barazia e krerëve të UÇK-së me regjim gjenocidal është i paqëndruehsëm dhe i papranueshëm për ne”, ka thënë Kurti.
“Republika nuk lëshon pe kur është çështja e sovranitetit shtetëror, integritetit territorial dhe demokracisë popullore”, ka shtuar ai.
VIDEO: Fjalimi i plotë i Kurtit
Haxhiu: Përpjekjet për ta shtrembëruar luftën e UÇK-së, rrezikojnë të vërtetën e asaj kohe
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në seancën solemne në nder të 18-vjetorit të Pavarësisë, ka thënë se këtë ditë e lartëson ajo që qëndroi në themelin e Republikës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Në fjalën e saj gjatë kësaj seance, Haxhiu ka thënë se çdo përpjekje për ta shkëputur luftën e UÇK-së nga konteksti i saj politik dhe historik rrezikon ta shtrembërojë të vërtetën e asaj kohe.
“Këtë ditë e lartëson ajo që qëndroi në themelin e Republikës sonë, ajo që buroi nga populli, UÇK-ja dhe lufta e saj e drejtë për çlirim. Lufta e UÇK-së ishte luftë për dinjitet dhe liri... Çdo përpjekje për ta shkëputur këtë luftë nga konteksti i saj politik dhe historik rrezikon ta shtrembërojë të vërtetën e asaj kohe. UÇK ishte ushtria mbrojtëse e një populli që donte të jetonte i lirë në vendin e vet... lufta jonë nuk është agresion, por rezistencë ndaj shtypjes. Luftë për të mbrojtur pragun e shtëpisë”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka përmendur edhe dëshmorët, martirët, heroizmin e familjes Jashari, Ibrahim Rugovën e Adem Demaçin si faktorë kyç që e bënë të mundur pavarësinë.
“Pavarësia u bë e mundur falë përpjekjeve dhe sakrificave të vazhdueshme të popullit shqiptar. Përkulje e përhershme para atyre që e dhanë jetën për lirinë e vendit, para dëshmorëve e martirëve, para familjeve që ende mbajnë dhimbjen e luftës dhe të gjithë atyre që edhe sot kërkojnë drejtësi. Përkulje ara të gjithë atyre që nuk u dorëzuan asnjëherë. Në këtë ditë kujtojmë dhe ndihemi krenarë për heroizmin e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë Jasharëve që u bënë simbol i rezistencës kundër okupimit. Kujtojmë dhe nderojmë presidentin Ibrahim Rugova që orientoi Kosovën drejt mbështetjes ndërkombëtare. Kujtojmë qëndresën e pathyeshme të bacës Adem Demaçi”, ka thënë ajo.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, derisa ka përmendur ish-krerët e UÇK-së që po akuzohen për krime lufte në Hagë, ka thënë se nuk pranojnë që drejtësia të jetë selektive.
“Shtetësia nuk është vetëm flamur dhe himn. Është siguri... Sot festojmë por edhe reflektojmë sepse në ndërkohë që ne ndërtojmë të ardhmen... lufta jonë çlirimtare është e ulur në bankën e të akuzuarve në Hagë. Ne nuk pranojmë që drejtësia të jetë selektive. UÇK-ja nuk ishte ndërmarrje kriminale, ishte ushtri çlirimtare. Liria jonë nuk është krim. Pavarësia jonë nuk është gabim historik. Kosova është realitet i pakthyeshëm”, ka thënë ai.
Kurse lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk kujtohet vetëm akti më 17 shkurt, por e gjithë rruga që solli deri aty.
“Ka ditë kur historia na fton të flasim, e ka ditë kur na kërkon të dëgjojmë... 18 vjet më parë Kosova u bë shtet, por shumë më herët Kosova kishte vendosur të jetë e lirë. Këtë ditë ne nuk e kujtojmë vetëm aktin e 17 shkurtit 2008 kujtojmë gjithë rrugën që na sjelli deri aty”, ka thënë ai.
Begaj: Shqipëria jetë e mot me Kosovën, historia s’shkruhet pa Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, ka shprehur përkrahjen e shtetit të Shqipërisë për Kosovën si dhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Ai në fjalën e tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë, ka theksuar se e vërteta nuk mund të tjetërsohet dhe historia nuk mund të rishkruhet e as të ndyshohet.
“Sepse liria ka emër, liria meriton respekt, liria meriton drejtësi, liria meriton mirënjohje. Republika e Shqipërisë është me UÇK-në, me komandantët dhe ushtarët e UÇK-së, me qytetarët e Kosovës, me dhimbjet e tyre. Shqipëria ka qëndruar pranë Kosovës, Shqipëria qëndron sot krah Kosovës dhe do të qëndrojë jetë e mot me Kosovën”, është shprehur Begaj.
Ai ka thënë se historia e Kosovës nuk mund të kuptohet e as të shkruhet pa emrat e ish-peridentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi e ish-deputetit Rexhep Selimi.
“Mendimi ynë është edhe me ata që po përballen me një betejë të vështirë, të padrejtë dhe vendimtare në Hagë. Historia e Republikës së Kosovës nuk mund të kuptohet dhe as të shkruhet pa emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veslit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre”, është shprehur Begaj.
Sipas tij ata po përballen padrejtësisht me akuza të montuara në Gjykatën Speciale.
VIDEO: Fjalimi i plotë i Begajt
“Ata që dje e udhëhoqën popullin drejt lirisë, sot po përballen padrejtësisht me akuza të montuara në Gjykatën Ndërkombëtare, duke na bërë të gjithëve të ndihemi të fyer, të paragjykuar dhe të akuzuar”, ka thënë ai duke shtuar se ata do të jenë gjithmonë memorie shtetërore e kombëtare.
Tek ka përmendur familjen e komandantit legjendar Adem Jashari, ish-pertinentin Ibrahim Rugova, veprimtarin Adem Demaçi, Begaj ka thënë se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, një shtet sovran.
“Kosova ishte vend ku liria vritej, sot është vend ku liria funksionon, ku liria frymëzon”, është shprehur Begaj.
Ai ka thënë se Kosova meriton anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, NATO e Bashkimin Evropian dhe ka theksuar se Shqipëria do të jetë zë i Kosovës në çdo tryezë ndërkombëtare.
“Ne jemi një komb që rreh në dy shtete, Shqipëria është shtëpia juaj, ashtu si Kosova shpirti ynë ... Nuk mund të ketë Evropë të plotë pa një Kosovë të barabartë në mes të të barabartëve, Shqipëria do të jetë një zë i Kosovës në çdo tryezë ndërkombëtare derisa flamuri i saj të valvitet në OKB dhe në NATO, Kosova e meriton statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe heqjen e çdo mase kufizuese”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo do të jetë garanci për stabilitet në rajon dhe më gjerë.
Osmani: UÇK-ja është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët
Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancën solemne në nder të 18-vjetorit të Pavarësisë.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se 18 vjet më parë Kosova u ngrit nga vuajtja në dinjitet e nga rezistenca në shtetësi.
Ajo ka thënë se 18 vjet më parë Kosova u shpall shtet i lirë, i pavarur e sovran duke i dhënë fund një udhëtimi të gjatë e të dhimbshëm, por duke hapur një kapitull të ri të historisë kombëtare.
Osmani ka përmendur edhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se ajo ishte e drejtë dhe se çdo përpjekje për ta njollosur atë, dëmton themelet e paqes afatgjate.
Ka deklaruar se lufta çlirimtare ishte betim i përgjakur i një populli që donte të jetonte i lirë në vendin e vet.
“Ajo u ndërtua nga ata që u persekutuan, u luftuan, u burgosen por asnjëherë nuk u nënshtruan. Në themelin e shtetit tonë qëndron vizioni i presidentit historik, Ibrahim Rugova, arkitektit të pavarësisë sonë. Me vizion ai udhëhoqi popullin. Historia u brumos në periudhën e luftës për liri. Ajo mban emrin e komandantit Adem Jashari. UÇK-ja është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj. Kjo luftë ishte e drejtë dhe gjithnjë e pastër. Çdo përpjekje për ta njollosur atë është e padrejtë, historikisht e pavërtetë dhe e papranueshme. Krerët e UÇK-së që sot gjenden në Hagë së bashku me mijëra luftëtarë dhe me popullin tonë u ngritën për liri e dinjitet”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se lufta e UÇK-së ishte shtylla më e fuqishme e rezistencës dhe e shpresës dhe nuk mund të zhbëhet nga asnjë përpjekje për deformim të historisë.
Ajo ka thënë se sot është obligim që të jenë të bashkuar.
“Kosova u bë shtet për ta mbrojtur të vërtetë dhe për të mos lejuar kurrë që historia të rishkruhet”, ka thënë ajo.
VIDEO: Fjalimi i plotë
Izraeli: E dashur Kosovë, urime Ditën e Pavarësisë
Izraeli ka uruar Kosovën me rastin e Ditës së Pavarësisë.
Në një mesazh të shkurtër në rrjetet sociale, nga Ministria e Jashtme izraelite thuhet: E dashur Kosovë, Gëzuar Ditën e Pavarësisë.
Urimi i publikuar nga diplomacia izraelite vjen në kuadër të shënimit të përvjetorit të 18-të të
Pavarësisë së Kosovës.
Rrëfimi i të mbijetuarit të familjes Berisha, i gjendet plumbi në trup pas 27 vjetësh
27 vjet pas masakrës në të cilën u vranë 49 anëtarë të familjes Berisha nga Suhareka, i mbijetuari Gamoz Berisha, ka treguar se në trup i është gjetur një plumb.
Gramozi që në kohën e luftës ka qenë 8-vjeçar, i plagosur në krahun e majtë, bashkë me të ëmën dhe gruan e axhës kishte kërcyer nga kamioni në të cilin ishin vendosur viktimat e njërës ndër masakrat e ndodhura në luftën e fundit në Kosovë.
27 vjet më vonë në një postim në Facebook ai ka risjell kujtimet e tij për 26 marsin e vitit 1999 si dhe dhimbjen që ndjeu në trup para tre muajsh si pasojë e asaj dite.
“27 vite më parë, kur bashkë me mamin kërcyem nga kamioni, unë isha i plagosur në krahun e majtë. Ajo plagë ma kishte mundësuar të shtiresha si i vdekur kur na kapën tek piceria dhe na hodhën në kamion bashkë me trupat e tjerë. Vite të tëra jam trajtuar për plagën në krahun e majtë. Të gjithë mjekët më kishin thënë se plumbi kishte rrëshqitur dhe nuk ishte më në trupin tim”, ka shkruar Berisha.
Ai ka rrëfyer për dhimbjen e mungesën për familjarët që i humbi atë ditë.
“27 vite dhimbje, krenari, mungesë dhe përpjekje për të gjetur qoftë edhe një kockë të familjarëve tanë, që nuk arritën të kërcenin nga kamioni që i barte si kufoma. Unë, mami Vjollca dhe Shyhretja ishim të vetmit që kërcyem. Të tjerët shkuan me kamion. Edhe motra Dafina, edhe vëllai im Driloni, edhe babi Sedat”, ka shkruar Berisha.
Ai ka treguar se nga kamioni kanë dëgjuar thirrje për ndihmë.
“Të 49 anëtarët e familjes sonë shkuan. Kishte edhe të gjallë brenda. Kishte edhe thirrje për ndihmë nga kamioni. Por nuk kërcyen. Shkuan. Mbijetuam vetëm ne të tre”, ka shkruar Berisha.
Ka treguar se para tre muajsh ka ndier një dhimbje të tmerrshme në krahun e tij të djathtë por ka thënë se ka qenë i bindur që ajo nuk kishte të bënte me plagën e tij të luftës.
“I bindur se nuk kishte asnjë lidhje me të kaluarën time, meqë plagën e kisha në krahun e majtë, iu drejtova mjekëve këtu në Shtutgart. Filluan ekzaminimet. Pas disa fotografimeve, nisën të më bëjnë pyetje: A mos keni qenë pjesë e ndonjë plaçkitjeje? Jo. A keni marrë pjesë në ndonjë shkëmbim zjarri? Po. Jam i mbijetuar… Ua tregova edhe plagën në krahun e majtë”, ka shkruar ai.
Ai ka treguar se janë mbledhur shumë mjek të cilës kanë përsëritur frazën “ein Wunder”, shqip “një mrekulli”.
“Mjekët më treguan se në krahun tim të djathtë ndodhej plumbi që kishte synuar të ma merrte jetën para 27 vjetëve. Plumbi kishte depërtuar nga krahu i majtë në të djathtin, pa prekur asnjë organ vital. Kjo ishte mrekullia që ata e quanin ‘ein Wunder’”, ka shkruar ai.
“Unë mësova se gjatë gjithë kësaj kohe paskam mbajtur me vete metalin që e mposhta — që sot ta shijoj lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Gëzuar 17 shkurtin”, ka uruar ai.
Krerët shtetërorë bëjnë homazhe në Prekaz
Në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, krerët shtetërorë kanë bërë homazhe te kompleksi memorial në Prekaz, për të nderuar familjen e komandantit legjendar Adem Jashari.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kryeministri i Kosovë, Albin Kurti e kabineti qeveritar sot bënë homazhe te varrezat e familjes Jashari që ranë për lirinë e vendit.
Përpara homazheve në Prekaz, krerët shtetërorë bënë homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, kompleksi memorial i të pagjeturve.
Maqedonci: Kemi ushtri që ia bën të vështirë çdokujt që synon të na kërcënojë
Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes, ka thënë se Ushtria e Kosovës është modernizuar në masën e mjaftueshme sa që t’ia bëjë të kushtueshme dhe të vështirë çdo akteri që synon ta kërcënojë Kosovën.
Ai ka thënë se Kosova po ndërton ushtri me standarde të NATO-s. Për mandatin e shkuar ai ka thënë se janë investuar mbi 450 milionë euro vetëm në furnizime.
“Kemi një ushtri që ia bën të vështirë dhe shumë të kushtueshme çdo akteri që synon ta kërcënojë vendin tonë në të ardhmen. Një ushtri që ndikon që Kosova të jetë e mbrojtur, të jetë e gatshme, jo vetëm të kontribuojë dhe të ketë sigurinë e saj, por edhe të kontribuojë në sigurinë dhe paqen globale. Jemi duke u ndërtuar bazuar në një plan gjithëpërfshirës të tranzicionit dhe që është në fazën e fundit të përmbushjes. Kosova ka ndërtuar një forcë të sigurisë dhe një sistem mbrojtës që është i aftë ta mbrojë Kosovën nga çdo kërcënim dhe rrezik”, ka thënë ai në KTV.
Maqedonci ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë me planet e fuqizimit ushtarak, duke marrë për bazë kërcënimet e vazhdueshme prej Serbisë.
“Një thënie ushtarake është ‘përgatitja për luftë nënkupton parandalim i luftës’. Duke pasur parasysh ambientin global, kërcënimet dhe rreziqet janë më të mëdha se në vitet e kaluara edhe për shkak të agresionit në Ukrainë, krizës në Lindje të Mesme... ne duhet të pranojmë faktin se kemi një fqinj që p vazhdon të promovojë politika hegjemoniste në raport me shtetin tonë. Që ka mbështetur grupe terroriste, kriminale, për të cenuar sigurinë e qytetarëve tanë, me qëllim të aneksimit të territorit tonë, por falë institucioneve tona kemi arritur t’i mposhtim në veri të vendit dhe t’i dëbojmë. Fatkeqësisht Serbia po vazhdon t’i mbështesë këto grupe. Pos që s’kanë dorëzuar Radoiçiqin dhe grupin terrorist, ata e mbajnë në Serbi, e mbështesin dhe kjo tregon politikën hegjemoniste ndaj vendit dhe rajonit tonë”, ka thënë ai.
Sa i përket furnizimeve me armë, Maqedonci ka thënë se shumica e objektivave sipas planeve janë tejkaluar. Këtu ka përmendur edhe “armët që s’kanë qenë as të planifikuara”.
Maqedonci ka thënë se Kosova është pajisur me tre lloje dronësh, dy luftarakë dhe një vëzhgues, e se ka katërfish më shumë armë individuale se që ka personel dhe të planifikuara.
“Kemi miratuar Konceptin e Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse që nënkupton se jo vetëm FSK-ja në të ardhmen do ta ketë përgjegjësinë për mbrojtjen e vendit por çdo qytetar mund ta ketë mundësinë që vullnetarisht të regjistrohet dhe të kenë rolin e tyre në mbrojtjen e vendit. Po bëjmë sistem krejt të ri të mbrojtjes së vendit që i përfshin gjithë qytetarët dhe institucionet në mbrojtjen tonë”, ka thënë tutje ai në KTV.
Maqedonci ka shtuar se deri në fund të dhjetorit, Kosova synon të nisë me prodhimin e municioneve të standardeve të NATO-s.
Ai ka folur edhe për çështjen e helikopterëve BlackHawk nga SHBA-ja. Maqedonci ka thënë se tashmë janë dakorduar disa çështje me autoritetet amerikane, teksa ka shtuar se “sivjet do të jenë diskutimet dhe nënshkrimet e kontratës për helikopterët, që FSK-ja t’i ketë me kohë”.
Ai ka thënë se Kosova i ka pranuar me kohë edhe automjetet e planifikuara Wuran nga Turqia.
5000 emblema të UÇK-së i vendosen NEWBORN-it në Ditën e Pavarësisë
Monumentit të Pavarësisë NEWBORN i janë vendosur 5000 emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Platforma “Liria ka emër” ka njoftuar se kjo është bërë si shenjë mesazhi për kundër Gjykatës Speciale.
“Pas ‘burgosjes’ simbolike me rrethoja hekuri dhe mbishkrimit ‘Kosova e burgosur!’, këtë mëngjes atij iu vendosën edhe 5000 emblema magnetike të UÇK-së. Aktivistët e platformës ‘Liria ka emër’, të cilët mbrëmë e rrethuan monumentin me hekura metalike, duke e kthyer në një imazh burgu, sot e kanë mbushur atë me emblema të UÇK-së”, thuhet në njoftim.
Eliza Hoxha nga platforma “Liria ka emër”, ka thënë se ky reagim qytetar është ndaj padrejtësisë së Gjykatës Speciale, që ka thënë se e konsiderojnë tendencë për rishkrimin e historisë dhe cenim të luftës për liri dhe të themeleve të shtetit.





Rubio: SHBA-ja e palëkundur në mbështetje të sovranitetit dhe integritet territorial të Kosovës
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke riafirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.
Sipas Rubios, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë krah Kosovës, ndërsa shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve.
Rubio gjithashtu përmendi mbështetjen që Kosova i jep SHBA-së në adresimin e sfidave globale.
Sekretari amerikan i Shtetit më tej tha se teksa Kosova shënon këtë përvjetor të rëndësishëm, Uashingtoni pret bashkëpunim edhe më të fortë në vitet në vijim.
“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Kosovën teksa ajo vazhdon të ndërtojë një të ardhme të sigurt dhe të begatë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Departamenti amerikan i Shtetit.
Begaj uron Pavarësinë: Përulje dhe mirënjohje për ata që sollën lirinë
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar për ditën e Pavarësisë së Kosovës në përvjetorin e saj të 18-të.
Begaj ka uruar duke shprehur përulje dhe mirënjohje për ata që kanë sjellë lirinë në vend.
“Në këtë 18-vjetor, Kosova është më e fortë, me institucione demokratike të konsoliduara dhe me më shumë njohje ndërkombëtare. Përulje dhe mirënjohje për ata që sollën lirinë”, ka shkruar ai në Facebook.
Begaj është shprehur mirënjohës edhe ndaj miqve dhe partnerëve strategjikë, SHBA-së dhe bashkësisë perëndimore, për mbështetjen e fuqishme ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
“Le të ecim bashkë drejt BE -së më të bashkuar se kurrë”, ka shtuar ai.
Macroni uron 18-vjetorin e Pavarësisë: Normalizimi i raporteve me Serbinë, çështje e sigurisë evropiane
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka cilësuar çështje të sigurisë evropiane normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, tek e ka uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Në një letër drejtuar presidentes Vjosa Osmani, Macroni ka thënë se tashmë njihet përkushtimi i Francës ndaj pavarësisë dhe perspektivës evropiane të Kosovës.
Ai ka thënë se ribashkimi i kontinentit evropian kalon përmes anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Tek ka thënë se uniteti i kontinentit duhet të mbetet prioritet i Evropës, Macorni këtu e ka përfshirë edhe normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
“Në këtë frymë, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet një çështje e sigurisë evropiane dhe një dimension qendror i procesit të afrimit të tyre me Bashkimin evropian. Franca do të vazhdojë të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi evropian. Marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit kanë përcaktuar drejtimin. U takon të dyja palëve t’i zbatojnë angazhimet e marra përsipër. Duke u mbështetur në vlerat tona të përbashkëta, në fusha po aq të ndryshme sa edhe thelbësore, si olimpizmi, frankofonia apo promovimi i të drejtave të grave, shpresoj që bashkëpunimi ynë të mund të zhvillohet në fusha kyçe për të ardhmen e Kosovës, përfshirë edhe përmes forcimit të shkëmbimeve tona ekonomike”, thuhet në letrën e Macronit drejtuar Osmanit, e të publikuar nga Ambasada e Francës në Kosovë.
Franca e kishte njohur pavarësinë e Kosovës më 18 shkurt 2008, vetëm një ditë pasi ajo u shpall nga Kuvendi i Republikës.
Kurti përmend ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë: Historia do ta bëjë gjykimin e drejtë
Qeveria e Kosovës ka mbajtur seancën solemne në nder të 18-vjetorit të Pavarësisë. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shteti, Pavarësia dhe Kushtetuta janë të reja, por gjuha, kultura dhe populli Kosovës janë të lashtë.
Kurti ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ai ka thënë se nuk mund të kujtohet shpallja e Pavarësisë pa i përmendur ata që dhanë kontribut në ndërtimin e shtetit.
“Vërtetë shteti, Pavarësia dhe Kushtetua janë të reja, por gjuha, kultura dhe populli ynë janë të lashtë. Shteti jonë është ndërtuar dhe qëndron për vlerat e lirisë e demokracisë, barazisë e drejtësisë, prosperitetit dhe përfshirjes. Secili qytetar pavarësisht gjuhës e etnisë, fesë apo prejardhjes është i barabartë para ligjit. Nuk mund të mos kujtojmë se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë së Republikës, sot mbahen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo që do ta bëjë gjykimin e drejtë. Ky vit i pavarësisë na gjen në fillim të mandatit të ri qeverisës. Punët që na presin janë të shumta por i lartë është qëllimi që kemi para vetës. Mësues e student, mjekë e punëtorë, gra e burra, vajza e djem, të gjithë duhet të japim maksimumin tonë. Këtë e presin të gjithë. Le t’i bëjmë krenar duke punuar e forcuar shtetin. Ne si kabinet qeveritar jemi vetëm instrument në realizimin e këtyre qëllimeve”, ka thënë ai.
VIDEO:
Kuti ka thënë se Kosova ka arritur shumë si shtet e shoqëri për 18-vjet. Ai ka përmendur forcimin e ligjit, ekonominë, fitoret ndërkombëtare në sport, art e kulturë, lëvizjen pa viza e edhe aplikimin në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës.

Krerët shtetërorë kujtojnë ata që dhanë jetën për lirinë e vendit
Me ceremoni shtetërore është ngritur flamuri i Republikës së Kosovës në oborrin e ndërtesës së Qeverisë, në nder të 18-vjetorit të Pavarësisë.
Të pranishëm ishin edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me kabinetin e tij dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Ajo ka thënë se është një ditë ku të gjithë bëhen bashkë për të festuar e edhe për t’i nderuar ata që dhanë jetën.
“Sakrifica ka qenë shekullore, kanë qenë breza të tërë që kanë dhënë gjithçka që sot ta gëzojmë shtetin e Kosovës. Shprehim respektin e thellë për presidentin historik Ibrahim Rugova, sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë ata që dhanë jetën që ne ta gëzojmë shtetin tonë”, ka thënë ajo.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se sot e edhe çdo ditë tjetër kujtohen me nderim të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për pavarësi.
“Sot nderojmë edhe figurat e larta që kontribuuan në rrethana të ndryshme. Pavarësinë e nderojmë nëse punojmë me institucionet funksionale”, ka thënë ajo.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova po rritet.
Sipas tij, po rritet numri i njohjeve të shtetësisë, fuqia e shtetit e edhe ekonomia e vendit.
“Para 18 vjetëve lindi pavarësia e Kosovës por lindi e pjekur sepse shumë gjenerata sakrifikuan që ne të jemi të lirë e të pavarur. Gëzuar pavarësia dhe kremtofshim të gjithë bashkë për jetë e mot”, ka thënë ai.
Ngritja e flamurit ka qenë pikënisja e aktiviteteve të cilat do të mbahen sot gjatë ditës për të shënuar përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

