Pa asnjë dyshim, Dion Gallapeni ishte zbulim i ekipit përfaqësues të Kosovës në vitin e kaluar. Startoi në pesë prej gjashtë ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës 2026, dhe shfaqi shumë në krahun e majtë. Kosova nuk e humbi asnjërën prej atyre pesë ndeshjeve dhe siguroi plejofin. Kontributi i Gallapenit në këtë sukses u çmua.
Derisa shumica e lojtarëve të Kosovës janë në top-liga evropiane, Gallapeni është “vetëm” në kampionatin polak. Duket befasuese, por, me gjithë shkëlqimin te Kosova, Gallapeni ka pasur telashe për të shfaqur potencialin në Poloni, përkatësisht te skuadra Widzew Lodz.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë kohën kur nga ndeshja në ndeshje po shkëlqente me “Dardanët”, Gallapeni kryesisht qëndroi në stol te skuadra jo shumë e njohur polake. I luajti vetëm dhjetë ndeshje në kampionatin polak, kurse e shënoi një gol.
Në dy ndeshje të këtij viti qëndroi vetëm në stol, kurse në fundjavë nuk u grumbullua fare. Dhe të hënën Gallapeni zyrtarisht u huazua te skuadra tjetër polake, Wisla Plock. Huazimi është i vlefshëm deri në fund të edicionit, me opsionin për blerje në verë.
Derisa Widzew Lodzi është duke luftuar për mbetje në elitën polake, Plocku është i treti në tabelë dhe në garë për titull. Wisla Plock është promovuar nga kategoria e dytë polake në elitë për këtë edicion.
Pavarësisht pozitave në tabelë, largimi i 21-vjeçarit Gallapeni nga Lodzi ishte lëvizja e vetme e logjikshme. Lojtari që shkëlqen te Kosova, ku luan së bashku me futbollistë të top-ligave, të mbetet në stol në një ekip mesatar polak, është vështirë e kuptueshme. Qëndrimi i mëtejmë te Lodzi do të mund të kishte ndikim negativ në të ardhmen e Gallapenit.
“Gjërat nuk shkuan mirë së fundit te Lodzi dhe kam dashur të provoj diçka të re. Kur Wisla Plock erdhi tek unë, jam ndier shumë i lumtur dhe i entuziazmuar t’i bashkohem këtij ekipi”, ka thënë Gallapeni.
“Mendoj se te Wisla Plock do të rilindem si lojtar. Dua ta ndihmoj ekipin me asistime, me gola. Kjo është puna ime, t’i bëj tifozët e lumtur. Mezi pres të filloj. Liga polake është më e vështirë në aspektin fizik dhe taktik se ajo e Kosovës. Mendoj se është nivel tjetër”, ka shtuar Gallapeni.
Gallapeni verën e kaluar u transferua nga Prishtina te Lodzi. Te Prishtina shpërtheu në futbollin kosovar, kurse zhvillimin si lojtar e kishte nisur te shkolla prizrenase e futbollit, Winner.
Tashmë me Kosovën i ka nëntë paraqitje. Shpresat janë që Gallapeni do të luajë rregullisht te skuadra e re dhe do të jetë në formën më të mirë për ndeshjen e 26 marsit ndaj Sllovakisë.