Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Zëra dhe imazhe” me rrëfimet e ditës më të rëndësishme

biblioteka

Rrëfimet për Ditën e Pavarësisë janë aq të rëndësishme sa gati edhe dokumenti i nënshkruar. Edhe rrëfimet në dokumentar kanë ardhur si dëshmi e një kohe sakrificash, rezistence dhe shprese

Përtej aktit politik e juridik të Ditës së Pavarësisë, kujtesa kolektive e bën këtë datë një përvojë të përbashkët emocionale. Emocione të forta dhe një lloj ilustrimi i Ditës së shpalljes së Pavarësisë për brezat e rinj sjellin rrëfimet dhe fotografitë në dokumentarin “Përjetime të lirisë: Rrëfime të qytetarëve për 17 Shkurt”, i punuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës. Krejt ngjarja bashkë me ekspozitën e hapur është titulluar “Zëra dhe imazhe”

Tash e 18 vjet nga dita kur në sallën e Kuvendit u lexua Deklarata e Pavarësisë dhe Kosova u shpall shtet i pavarur e sovran, çdo përvjetor ndizen rrëfimet dhe imazhet që e shënuan një nga momentet më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Përtej aktit politik e juridik kujtesa kolektive e bën këtë datë një përvojë të përbashkët emocionale. Emocione të forta dhe një lloj ilustrimi i Ditës së shpalljes së Pavarësisë për brezat e rinj sjellin rrëfimet dhe fotografitë në dokumentarin “Përjetime të lirisë: Rrëfime të qytetarëve për 17 Shkurt” , i punuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës. Krejt ngjarja e së hënës mbrëma është titulluar “Zëra dhe imazhe”.

Në momentin historik kur kryeministri i asaj kohe, Hashim Thaçi, lexonte Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës para deputetëve dhe miliona shqiptarëve që ndiqnin momentin, fjalët nuk ishin veprimi i vetëm. Ishin edhe fytyrat e përlotura, përqafimet spontane në sheshe, kënga e vallëzimi, flamujt e pafund që valëviteshin nga turmat që emocionet i kishin të përziera. Rrëfimet për këtë ditë janë aq të rëndësishme sa gati edhe dokumenti i nënshkruar. Edhe rrëfimet në dokumentar kanë ardhur si dëshmi e një kohe sakrificash, rezistence dhe shprese.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kryesuesi i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Bardh Rugova, ishte zëvendëskryeredaktor i gazetës “Koha Ditore” në atë kohë. Ka kujtuar sesi atë ditë u botuan dy numra gazete. Në dokumentar ka kujtuar se si kishte dalë në punë më herët se zakonisht sepse edhe për redaksinë ishte ditë e pazakontë. Ai thotë se gazetarët do të duhej të ishin objektivë, por se ajo ditë ishte e përzier me ndjenja. Momentin e Shpalljes së Pavarësisë e kishte ndjekur nga zyra e punës.

E fotoreporteri Ridvan Slivova, puna e të cilit daton prej “Rilindjes” e “Bujkut”, shprehet se profesioni i tyre nuk ishte veç i tillë, se ishte edhe mision. Se kjo festë ka kuptim më shumë për ta që ishin përballur me shumë vështirësi nën okupim dhe se është fat i mbarë që të rinjtë e lexojnë veç si histori atë nëpër të cilën kanë kaluar.

Mësimdhënësja, tashmë në pension, Kimete Dida, shprehet se gjatë ushtrimit të profesionit ka pasur shumë peripeci. Se të parët që i kishin thënë Serbisë “jo” ishin mësimdhënësit. Në dokumentar rrëfen se kishin punuar me planprogram shqip dhe ndaj masave serbe kishin bërë rezistencë.

“Është kurorëzim i të gjitha sakrificave për liri dhe ne duhet të jemi koshientë ta ruajmë dhe të punojmë, ta duam vendin”, thotë ajo në dokumentar.

Shqiptar Demaçi, i biri i Adem Demaçit, tregon se ata që ishin themelues të shtetit u gëzuan shumë. Se u gëzua shumë edhe babai i tij, veprimtari i paepur i çështjes kombëtare. Ka treguar se Demaçi ishte shumë i gëzuar ndërsa është shprehur se akti i shpalljes së Pavarësisë ishte themel për të vazhduar tutje ngase, siç ka thënë, me Pavarësi u hapën dyer të reja për të vazhduar tutje.

Endrit Sejdiu, shitës i suvenirëve, e kujton si ditë të rëndësishme, por se nuk e kuptonte mirë gjithë atë gëzim. Atë e ka të qartë sot. E konsideron festë, krenari, por më shumë si rikujtim për të mos harruar kontribuuesit e shtetndërtimit.

Rrap Çitaku, nxënës i një shkolle fillore në Prishtinë, është përfaqësimi i brezit të ri në dokumentar, i cili as nuk e ka përjetuar Ditën e Shpalljes së Pavarësisë.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shënimi i ditës së rëndësishme për popullin e Kosovës është përkujtim i një akti politik dhe kurorëzim i një përpjekjeje historike për liri, dinjitet dhe shtetësi.

“Rruga drejt 17 shkurtit 2008 ishte sa e gjatë, aq edhe e mundimshme. Ajo u ndërtua me sakrificë, me qëndresë dhe me besim në të drejtën tonë për të jetuar në liri. Në këtë rrugëtim, mbrojtja e së drejtës së fjalës së shkruar në gjuhën shqipe ishte një akt i heshtur, por thellësisht i fuqishëm rezistence. Kur u tentua të zbehet historia jonë, ajo u ruajt në dokumente. Kur u synua të heshtet fjala shqipe, ajo u mbrojt në libra. E kur u goditën institucionet tona, u mirëmbajt kujtesa”, ka thënë ai.

Ai është shprehur se nga tetori i vitit 1990 deri më 1999 bibliotekat e vendit u përballën me “masa të dhunshme, me spastrim të koleksioneve, me politika të njëanshme të pasurimit dhe me përjashtimin e librit shqip nga fondi.

“Shumë materiale u zhdukën, u konfiskuan, apo u transferuan jashtë vendit. Në të njëjtën kohë, në mbarë Kosovën, u shkatërruan dhe u dogjën 175 biblioteka me mbi një milion e gjysmë ekzemplarë. Një përpjekje kjo për të goditur mbamendjen kolektive dhe identitetin tonë kulturor. E me gjithë këto, fjala shqipe mbijetoi. Gjeti strehë në raftet, arkivat e ndërgjegjen e atyre që besuan se liria fillon me ruajtjen e kujtesës dhe të së vërtetës”, ka thënë kryeministri Kurti më tej.

Kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, akademik Bardh Rugova, në fjalën e tij ka thënë se për brezin e tij, Dita e Pavarësisë ishte një moment abstrakt pasi nuk ishin mësuar me ndjesinë e të pasurit shtet.

“Breza të tërë rresht kanë sakrifikuar për këtë vend, e brezat nuk sakrifikojnë për vete. E bëjnë për fëmijët e tyre, për ata që vijnë, për ata që do të trashëgojnë. Tek ulesha të shkruaja për  këtë rast, mendimet e para qenë të tregoja sesi kisha bërë gazetën ‘Koha Ditore’ më 17 shkurt 2008, si kam ardhur në Bibliotekë për të hulumtuar dokumente e gazeta, ndjekur nga dashamirësia e punonjësit i cili, për shkak të mbiemrit tim, më kishte kujtuar të isha i biri i Ibrahim Rugovës dhe i qe prishur qejfi kur kishte marrë vesh se nuk isha në të vërtetë”, ka thënë Rugova.

E drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Blerinë Rogova-Gaxha, ka thënë se rikthimi në të kaluarën është rikthim në shtresën e historisë.

“Të rikthesh nëpërmjet rrëfimit dhe fotografisë një kohë, një ditë, në të cilën Kosova ktheu paqen, do të thotë të çmontosh dhe sërish të bashkosh e përputhësh copëza të një realiteti të memories sonë. Ajo që mbaj mend unë dhe të tjerët më 17 shkurt 2008 është se ishte e diel e acartë, se çdokush dukej i pandjeshëm ndaj të ftohtit përballë ndjenjës së lumturisë e habisë që nxiste Shpallja e Pavarësisë. Në fytyrat e njerëzve vërehet kujtesa e pritjes, e gëzimit, dhimbjeve dhe shpresave të ngulitura në historinë e ndjenjave të tyre, e të ngërthyera me fazën e brezave”, është shprehur ajo.

Ka thënë se nëpërmjet ngjarjes janë munduar të kthehet e kaluara nëpërmjet fjalëve dhe imazheve.

“Ajo që ne jemi përpjekur të rikthejmë në 18 vjet jetë të Pavarësisë është të rikthehemi në të kaluarën nëpërmjet fjalës dhe imazheve. Të bashkojmë dhe të përputhim copëza të një të kremteje historike, të një të kremteje që të detyron t’i bësh mirë llogaritë me realitetin. Të shkruash me shkronjë të madhe historinë e re dhe mbi të gjitha, të kesh vetëdije për tokën, për njeriun, për Republikën”, ka thënë më tej Rogova-Gaxha.

Imazhet kanë fuqinë të nguliten në kujtesë përtej fjalëve. Këtë e ka dëshmuar edhe ekspozita me fotografi “Pamjet e Pavarësisë”. Pamjet e sheshit të mbushur plot, fishekzjarrët që ndriçonin qiellin e Prishtinës dhe simbolet kombëtare janë prej atyre që shfaq ekspozita.

Rrëfimet e imazhet për 17 shkurtin e 2008-s vijnë si vazhdimësi e përjetësimit të kujtesës, krenarisë dhe përgjegjësisë për të ardhmen.