Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Përfundon marshi: Mijëra qytetarë kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

4 o. më parë / 17 shk 2026 15:16
marshi

Photo: Driton Paçarada

Ka përfunduar marshi “Drejtësi, jo politikë” me të cilin është kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Në marshin e mbajtur në sheshin “Skënderbeu” kanë marrë pjesë mijëra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare. 
 

I biri i ushtarit të zhdukur në luftë: S'lejojmë që sakrifica të barazohet me faj

4 o. më parë / 17 shk 2026 15:13
Lirim Haziri

Lirim Haziri i biri i Xhavit Hazirit, bashkëthemelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i zhdukur që nga viti 1998, ka thënë se 17 shkurti nuk është vetëm festë, por është betim që nuk duhet lejuar që të përbaltet. 

Në marshin “Drejtësi, jo politikë”, Haziri tha se nuk duhet të lejohet që sakrifica të barazohet me faj.

“Sot flas para jush si djali i Xhavit Hazirit, heroit të kombit, i zhdukur në vitin 1998. Një hero që doli për liri dhe nuk u kthye më kurrë... Ne sot të mbledhur këtu nuk jemi familje të ndara, por jemi një familje e madhe e sakrificës. Jemi familja e Rexhës, familja e baçit Jakup, familja e Veselit e familja e Hashimit. Sepse sakrifica e UÇK-së, nuk i përket vetëm një familjeje, i përket të gjithë kombit. Prandaj 17 shkurti nuk është vetëm festë, është betim që nuk e harrojmë sakrificën, betim që nuk lejojmë të përbalten luftëtarët tanë. Betim që nuk e ulim kokën para padrejtësisë. Nuk do të lejojmë që sakrifica të barazohet me faj. 

Ish-luftëtarja e UÇK-së: Heshtja është dorëzim, por ky popull nuk di të dorëzohet

4 o. më parë / 17 shk 2026 15:00
Shqipe Krasniqi

Ish-luftëtarja e UÇK-së, Shqipe Krasniqi, ka thënë se si sot kurrë më të bashkuar e më të zëshme nuk e ka parë Kosovën.

Ajo ka thënë se në ditën e Pavarësisë nuk janë mbledhur vetëm për të festuar, por për të kujtuar sakrificën e popullit.

Ka shtuar se kjo protestë është zëri i atyre që nuk jetojnë më.

“Kam parë familje të poshtëruara, nëna që qanin fshehurazi, studentë të përndjekur vetëm pse ishin shqiptarë. Kam parë gra që i përcillnin bijtë në luftë me zemra të copëtuara por me kokën lartë. Ato nuk dolën në histori me tituj, por historia nuk do të ekzistonte pa to. Heshtja është dorëzim dhe ky popull nuk di të dorëzohet. Si shumë vajza dhe gra  shqiptare e mora armën dhe dola në front. Jo pse e doja luftën por sepse e doja lirinë. Shtëpitë na u dogjën e fshatrat na u zbrazën. Një gjë nuk u dogj e as nuk u shua, dhe ai është shpirti i këtij populli”, ka thënë ajo.

Ibrahimi: Nuk kemi frikë nga drejtësia, kush lufton për liri nuk i frikësohet të vërtetës

4 o. më parë / 17 shk 2026 14:50
Muhamer Ibrahimi

Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muhamer Ibrahimi, ka thënë se para shumë vitesh në luftë ishin disa djem të rinj që nuk e dinin se do ta prisnin mëngjesin. Por, ka shtuar se kishin besimin e pathyer që një ditë Kosova do të bëhej e lirë. 

Ai ka deklaruar se sot është dita kur liria e Kosovës është kthyer në shtet. 

Ka thënë se zemra e Kosovës po rreh në Hagë në një proces që është tej zgjatur. 

“Ne nuk kemi frikë nga drejtësia, sepse kush lufton për liri nuk i frikësohet të vërtetës. Ne kemi të drejtë të kërkojmë drejtësi të paanshme. UÇK-ja nuk ishte organizim për mbijetesë, për mburojë për fëmijët, gratë e pleqtë. Ishte përgjigja e një populli që po zhdukej. Sot kur e shoh këtë det njerëzish, e di që ata në Hagë nuk janë vetëm”, ka thënë ai. 

Ka deklaruar se Kosova nuk u ndërtua nga heshtja, por nga guximi dhe sakrifica.

Krasniqi: Liria dhe drejtësia janë ato që e bashkojnë popullin shqiptar

4 o. më parë / 17 shk 2026 14:42
Vasfije Krasniqi

E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi, ka thënë se është emocionuese t’i drejtohet një turme kaq të madhe. 

Ka deklaruar se sot është një ditë e shenjtë për popullin e Kosovës. 

“Sot është ditë krenarie por edhe përkujtim për të gjithë ata që u flijuan për popullin. Kjo nuk erdhi vetvetiu por me sakrificë. Ne flasim për drejtësi dhe krimet që kreu Serbia në Kosovë. Nëse doni të dini se çfarë e bashkon popullin shqiptar, është liria”, ka thënë ajo.

Tasholli: Për UÇK-në jemi të gjithë bashkë, drejtësia të mos barazojë viktimën me agresorin

4 o. më parë / 17 shk 2026 14:39
Ismail Tasholli

Organizatori i protestës “Drejtësi, jo politikë”, Ismail Tasholli, ka thënë se kur vjen fjala për UÇK-në aty nuk ka ndarje dhe poste. 

Ka deklaruar se për UÇK-në janë të gjithë bashkë. 

Sipas tij, drejtësia nuk duhet të jetë selektive, duke shtuar se qytetarët duan drejtësi e jo politikë. 

“Aty jemi bijtë e bijat e një historie që na ka bashkuar në momentet më të këqija. Në çdo qytet e fshat ku kemi shkuar, një fjalë ka qenë mbi të gjitha, UÇK. Kjo është krenaria që nuk shuhet. Sot është 17 shkurti, është dita kur një popull e shpalli para botës të drejtën për shtet, liri dhe dinjitet. Kjo ditë nuk është vetëm festë por edhe kujtesë”, ka thënë ai. Ai ka thënë se lufta e UCK-së ishte luftë çlirimtare. Sipas tij, lufta nuk është abstrakte sepse ka numra të njerëzve të vrarë, dhunuar e keqtrajtuar. Tasholli ka thënë se të gjitha këto janë plagë të hapura. “Duhet ta themi qartë dallimin mes agresorit dhe viktimës. UCK-ja nuk lindi për të marrë tokë të huaj por për ta mbrojtur tokën e vet. Kjo është e vërteta historike që nuk mund të ndryshohet. Ne nuk mund të pranojmë që proceset që zhvillohen në emër të popullit të Kosovës ta barazojnë viktimën me agresorin”, ka thënë ai.

Mijëra qytetarë mblidhen në marshin “Drejtësi, jo politikë” (FOTO)

5 o. më parë / 17 shk 2026 14:14
marshi

Photo: Driton Paçarada

Mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në marshin “Drejtësi, jo politikë”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po gjykohen në Hagë. 

marshi

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. 

Ish-drejtuesit e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. 

Buja: Specialja do të shënohet në histori i gjykata më e pakuptimtë

5 o. më parë / 17 shk 2026 14:09
Ramë Buja

Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramë Buja, ka thënë se Gjykata Speciale do të shënohet në histori si gjykata më e pakuptimtë në histori. 

Ai ka thënë se ka një tendencë për të barazuar krimet e Serbisë me gjoja krimet që janë kryer në Kosovë.  

“Është një tendencë banale, e pakuptimtë për të barazuar krimet e Serbisë me gjoja krimet që janë bërë në Kosovës. Po të ishin bërë krime në Kosovë, përse na mbështeti NATO-ja, përse na mbështeti Amerika, Britania, Gjermania e Franca, janë gjëra që janë tej çudisë besoj që kjo gjykatë do të shënohet në histori si gjykata më e pakuptimtë”, ka deklaruar Buja në emisionin special të KTV-së për 18-vjetorin e Pavarësisë. 

Ai ka thënë se 45 vjet burgim u kërkuan për ata që e udhëhoqën luftën për liri të Kosovës që u mbështet nga e gjithë bota. 

VIDEO:

“Ne jemi të ndërgjegjshëm që Prokuroria gjithmonë kërkon maksimalen e asaj që është ligjore, por ligji i Kosovës, me të cilin do të duhej të punonte Gjykata Speciale, po i dënon kriminelët e luftës që ka marrë pjesë drejtpërdrejtë në vrasjen e shqiptarëve me 12, 13, 15 vjet, sepse kështu është ligji. Ndërsa prokurorja atje propozon 45 vjet burg për 4 udhëheqësit e luftës për liri të Kosovës që u mbështet nga e tërë bota”, është shprehur Buja. 

Ai ka thënë se Gjykata Speciale u formua bazuar në raportin e senatorit të atëhershëm zviceran, Dick Marty,  i cili ishte miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe pretendonte se udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-99 ishin të përfshirë në trafikim me organe. Buja ka thënë se tash e 5 vjet në procesin gjyqësor në Hagë nuk është thënë asnjë fjalë e vetme për këto pretendime. 

Rama s’merr pjesë në marshin “Drejtësi, jo politikë”

10 o. më parë / 17 shk 2026 08:19
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë se nuk do të mund të marrë pjesë në marshin “Drejtësi, jo Politikë”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë .

Në një postim në rrjetin social Facebook ai ka shprehur keqardhje për mospjesëmarrje, derisa ish-drejtuesve të shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që po mbahen në Hagë,  iu është referuar si “pengjet e UÇK-së”.

“I uroj Kosovës gëzuar pavarësinë me keqardhjen që s’mund të jem sot në manifestimin popullor të solidaritetit me katër pengjet e UÇK-së në ferrin e (pa)drejtësisë ndërkombëtare në Hagë”, ka shkruar Rama, në postimin në të cilin ka bashkëngjitur edhe disa fotografi nga vizita të cilën e zhvilloi të hënën në Kosovë. 

Gucati bën thirrje për pjesëmarrje në protestë: S’po gjykohen individët por UÇK-ja

11 o. më parë / 17 shk 2026 08:08
Hysni Gucati

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka thënë se sot është ditë gëzimi por ka shtuar se është gjithashtu emocionuese për shkak të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

Ai në një lidhje direkte në KTV ka thënë se shokët e tyre janë prapa grilave. Ka deklaruar se nuk po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasnqi e Rexhep Selimi, por po gjykohet Ushtria Çlirimtare të Kosovës.

Ka kërkuar që institucionet e shtetit të ngrehin zërin më shumë kundër kësaj gjykate.

Nga protesta ka thënë se imazhi ndërkombëtar i Kosovës dhe kërkesa për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së do të forcohet.

“Sot nuk po ndihem mirë për shkak se i kemi shokët tonë prapa grilave. Ata luftuan shumë, udhëhoqën Rambujenë, shpallen Pavarësinë dhe sot gjenden prapa grilave. Është duke u bërë një proces për pesë vjet, proces që nuk ka ndodhur në historinë botërore që të zgjasë kaq shumë. E di që kjo datë është e shenjtë për gjithë shqiptarët, por pikërisht sot do të protestojmë, ta ngrehim zërin kundër padrejtësive. Protagonistët kryesorë që ishin në luftë dhe në shtetin e lirë, sot nuk janë me neve”, ka thënë ai.

VIDEO:

Gucati ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në protestën paqësore në Prishtinë.

Ai ka thënë se të gjithë duhet të ngrehin zërin, duke shtuar se kërkesa e Prokurorisë për 180 vjet burgim për të katër figurat e UÇK-së është e papranueshme.

“Aty vetëm serbisht nuk flitet. Kjo gjykatë i ka kënaqë vetëm epshet e Serbisë dhe të disa shqiptarëve shqipfolës që mendojnë që Serbia do të kthehet në Kosovë. Serbia është larguar nga Kosova dhe nuk do të ketë këmbë të ushtrisë serbe por vetëm të ushtrisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Gucati ka thënë se Serbia është e vetmja që ka kryer krime në Kosovë.

Ai ka deklaruar se nga Gjykata Speciale kërkojnë drejtësi dhe barazi.

Sipas tij, kjo gjykatë i ka amnistuar serbët, kurse shqiptarët po mundohet t’i dënojë.

Duke folur për organizimin e protestës, ai ka thënë se kanë dalë të gjitha oraret për autobusët që do të vijnë në Prishtinë për  të protestuar nga të gjitha qytetet e Kosovës. Ka shtuar se edhe studentët nga Tirana do të vijnë në mënyrë të organizuar.

Sot në Prishtinë marshohet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

11 o. më parë / 17 shk 2026 08:04
Thaçi dhe të tjerët

Foto: Arkiv

Me moton “Drejtësi, jo politikë”, sot në Prishtinë në sheshin “Skënderbeu” mbahet marshi në mbështetje udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Në mbështetje të marshit të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, që është paraparë të nisë në orën 14:00, kanë dalë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kryetarët e shumë komunave e shumë personalitete të tjera në vend. 

Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive. 

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.

Ish-drejtuesit e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim të luftonte Serbinë e jo civilët.

Në fjalën përfundimtare kryeprokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West, ka kërkuar nga 45 vjet dënim për secilin të akuzuar.