Vetëvendosje a mbajtur sot tubim qendror në qytetin e Klinës. Prej aty u bë thirrje që të rritet angazhimi dhe të ketë mobilizim sa më të madh për ndryshime rrënjësore në zgjedhjet e 22 Tetorit.
Ne fjalën e hapjes, kryetarja e Qendrës së Klinës dhe deputetja Shqipe Pantina, theksoi se janë përzgjedhur njerëzit më të mirë për të udhëhequr me Klinën, të prirë nga kandidati për kryetar Ibër Elezaj. Pantina tha se në listën për Kuvendin Komunal ka profesionistë të fushave të ndryshme, të cilët janë garanci për ndryshim dhe qeverisje të mirë. Ajo në fund të fjalës kërkoi që me 22 Tetor të votohet numri 10 dhe kandidati për kryetar, Ibër Elezaj.
Më pas, deputeti Albin Kurti përmendi veprimtarët e shumtë të kësaj komune, duke thënë më tej se Klina ka qenë përherë qendër e rezistencës dhe angazhimit kombëtar. Por, ai potencoi se pas luftës, pushtetarët e shndërruan Klinën në moçal të krimit e korrupsionit. Megjithatë, Kurti u shpreh i bindur se pas 22 Tetorit, do t’i jepet fund krimit e korrupsionit duke zgjedhur për kryetar Ibër Elezajn. Kurse, për Sokol Bashotën tha se nuk do ta ketë mundësinë që të luaj më ping-pong me tenderë.
Në anën tjetër, Kryetari Visar Ymeri tha se Klinës i duhet një kryetar që punon për të, për Komunën e jo që jeton në Prishtinë e punën në Komunë e ka hobi të pasdites. Ai shtoi se në Komunë duhet gjetur mundësitë dhe mjetet për t’i përmbushur nevojat ekonomike, dhe për të jetësuar të drejtat politike, shoqërore e mjedisore të qytetarëve.
“Duke e votuar numrin 10 e këta kandidatë keni zgjedhur përparimin, barazinë, rregullin, pastërtinë, gjelbërimin, ambulantën, shkollën, mjekun, mësuesin, punën, bujqësinë, shërbimin, publiken”, ishte porosia e Visar Ymerit në Klinë.
Në fjalën përmbyllëse, kandidati për kryetar të Klinës, Ibër Elezaj, numëroi problemet e shumta të kësaj komune, duke filluar nga mungesa e ujit të pijshëm dhe nevojave më elementare. Ai përmendi po ashtu edhe nepotizmin dhe qeverisjen jotransparente të kryetarit Bashota.