Përmes një tubimi në komunën e Junikut, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka paraqitur sot 10 zotimet për këtë komunë. Me këtë rast, junikasve iu është bërë thirrje që të votohet kandidati për kryetar Sylë Gaxherri dhe kandidatët e Lëvizjes vetëvendosje për Kuvendin Komunal.
Në këtë tubim ishin të pranishëm Kryetari Visar Ymeri, Nënkryetarja e deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku dhe deputeti Albin Kurti, të cilët theksuan rëndësinë e rritjes së Lëvizjes së partisë në nivel vendi. E po ashtu folën mbi nevojën për organizim sa më të mirë e mobilizim sa më të madh për 22 Tetorin, që të mundësohet ndërrimi i qeverisjes edhe në Junik.
Kandidati për kryetar të Junikut, Sylë Gaxherri, tha se kjo komunë sot është e pazhvilluar, por u shpreh i bindur se është e vendosur për përparim. Ai tha se fitorja e Vetëvendosje është afër dhe theksoi se për të kanë nevojë të gjithë.
Ai më tej prezantoi 10 zotimet për Junikun. Transporti falas për nxënësit që jetojnë larg shkollave, shujtat për nxënësit e shkollës fillore, hapja e çerdhes, rrjeti i kanalizimit dhe tregu për prodhuesit vendor, ishin disa nga zotimet për Junikun nga kandidati për kryetar , Sylë Gaxherri.