Kryetari i degës së PDK-së në Klinë, Sokol Bashota, bashkë me nënkryetarin e PDK-së në nivel qendror, Agim Çeku, deputeten Ganimete Musliu dhe Betim Gjoshin, anëtar i KQZ-së nga PDK-ja, kanë zhvilluar një takim me anëtarë të Këshillit Drejtues të degës së PDK-së në Klinë.
Në këtë takim, siç bën me dije dega e PDK-së në Klinë, është biseduar për rrjedhën e fushatës zgjedhore dhe hapat që duhen ndërmarrë për të dalë sa me të fuqishëm në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.
Bashota ka njoftuar se janë mbajtur takime parazgjedhore në 14 nëndegë ku janë dëgjuar preokupimet e qytetarëve dhe janë marrë prioritetet të cilat do të jenë program ekonomik i degës së PDK-së. Sipas tij, PDK-ja ka elektorat stabil dhe shprehu besimin se në këto zgjedhje do të ketë rritje.
Nënkryetari i PDK-së, Agim Çeku, ka thënë se “Jemi këtu për të ju mbështetur në fitoren e radhës”.
“Ju jeni degë shembull, jeni bastion i fuqishëm i PDK-së dhe besojmë në fitoren e kandidatit Sokol Bashota dhe kandidatëve për Kuvend të Komunës. Është e domosdoshme që PDK-ja të jetë forca e parë në Kosovë për ti quar përpara proceset e rëndësishme të vendit dhe assesi nuk guxojmë ta lejmë në dorë vendin atyre që po duan të bëjnë eksperimente dhe që nuk e njohin dhe as fuqizojnë shtetin e Kosovës. Disa nuk janë duke punuar për fuqizimin e shtetit të Kosovës, po dërgojnë mesazhe të këqija, krijojnë kriza. Nuk guxojmë të bëjmë eksperimente. PDK-ja është gardian i shtetësisë së Kosovës”, tha Çeku për të shtuar se “synimi ynë është që në këto zgjedhje të kthehemi në pozicionin që na takon, që të jemi partia me e madhe”.