Zgjedhjet lokale

Pacolli thotë se do të rregullojë fasadat në Prishtinë

Prishtinë, 13 tetor - Në vazhdimin e vizitave nëpër lagje, kandidati të AKR-së për kryetar të Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli vizitoi sot lagjen Ulpiana në Prishtinë. Konkretisht ai pa për së afërmi soliterët në këtë lagje. Kjo lagje sipas Pacollit dikur ishte lagjja më e bukur, ndërsa sot është më e shëmtuara në Prishtinë.

Ajo se çfarë parashihet për lagjen Ulpiana nga Pacolli është përmirësimi i kushteve të jetesës dhe ndryshimi i pamjes së ndërtesave përreth. Për më tepër Pacolli shtoi se çdo ditë vijnë ankesa nga qytetarët se këto ndërtesa janë pothuajse të pabanueshme, që iu mungojnë parkingjet, dritaret jashtë hyrjeve, ndërsa fëmijët që banojnë në këto ndërtesa janë të rrezikuar çdo ditë.

Ajo se çfarë u theksua nga ana e Pacolli është zotimi i tij që qytetarët nuk do t’i kenë më këto shqetësime pas katër viteve të tjera.

“Në programin tonë parashihet që fasadat në kryeqytet duhet të jenë të përfunduara, të kenë ndriçime, të jenë të pastërta brenda, të posedojnë ndriçim nëpër shkallë dhe kopshte dhe hapësira të gjelbra” u shpreh Pacolli.