Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës, i cili në raundin e parë të zgjedhjeve të sivjetme lokale i mposhti kundër-kandidatët e tij duke bërë që kjo komunë e madhe të mos shkojë në balotazh, në Rubikon të KTV-së, ka thënë se e tërë puna e tij 4 vjeçare është shpërblyer me fitore të pastër.
“Opinioni është krijuar brenda 4 viteve, gjë që s’mund të ndryshojë për një javë. U kemi qëndruar besnikë fjalëve tona vetëm me punë”, tha Muhaxheri.
“Interferimet në media kanë tentuar ta paraqesin LDK-në si humbëse në Pejë. Këtë e kanë bërë njerëz që s’janë kompetentë, të bëjnë analiza për rezultatin zgjedhor. Kanë qenë analiza të qëllimshme”, ka thënë kreu i Pejës, duke theksuar se puna 4 vjeçare në terren s’ka mundur të rrëzohet për një javë.
“Qytetari e ka votuar një kandidat që ua mundëson qytetarëve të jetojnë më mirë dhe më me dinjitet në qytetin e tyre, e jo me asi kandidatë që merren vetëm me Facebook”, shtoi ai.
Ai tha se LDK-ja është partia më e madhe në vend aktualisht, me 230 mijë vota.