Zgjedhjet lokale

Këta janë kandidatët për kryetar të Pejës

Image

Gazmend Muhaxheri

Kryetari aktual i Pejës, Gazmend Muhaxheri, me profesion inxhinier ndërtimtarie, për herë të katërt i hyn garës për kryetar komune. Kjo është hera e dytë radhazi si kandidat i LDK-së për kryetar,derisa dy herët e para kishte garuar si kandidat i ishsubjektit ORA. Në mandatin e tij të parë si kryetar Komune, ka qenë i fokusuar në investime në infrastrukturën e arsimit, në infrastrukturën rrugore dhe në bujqësi. Po këto fusha, siç thotë Muhaxheri, do të jenë në fokus të tij edhe në mandatin tjetër nëse fiton për herë të dytë si kryetar i Pejës. “Ofertat për mandatin tjetër do t’i dëgjojnë qytetarët në ditët në vijim, por kryesisht do të jenë prapë të njëjtat, si infrastruktura, mbrojtja e mjedisit, bujqësia dhe turizmi”, ka thënë Muhaxheri, i cili ka punuar në Ministrinë e Planifikimit Hapësinor si udhëheqës i sektorit të infrastrukturës në periudhën 2002-2004, ka qenë deputet në Parlamentin e Kosovës në mandatin 2004-2007 dhe drejtor i Urbanizmit 2011 deri 2012.

Image

Fatmir Gashi

Fatmir Gashi, një nga themeluesit e Degës së AAK-së në Pejë, ekonomist me profesion, aktualisht ligjëron në një universitet dhe në një kolegj privat, në programin e tij qeverisës si kryetar komune, shtyllë kryesore ka zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin rural. “Zhvillimi ekonomik do të bazohet në turizëm dhe në zonën industriale. Kjo e dyta të përcaktohet sipas Planit Zhvillimor të Komunës. Zona industriale do të rregullohet me gjithë infrastrukturën e nevojshme dhe do t’u ofrohet të gjithë atyre investitorëve të brendshëm dhe të jashtëm që kanë ide për investime, do t’u jepet hapësira falas për shfrytëzim për 45 deri 99 vjet. Me këtë duam që të krijojmë mundësi të punësimit të 2 mijë vetave”, thotë Gashi, që është kryetar i Bordit të Shoqatës së Kompanive të Sigurimeve të Kosovës dhe kryetar i Bordit Kosovar për Standardet për Raportim Financiar. Në programin e tij janë edhe ofertat për bujq me grante dhe subvencione. Këto grante e subvencione në bujqësi, si dhe plani i tij me Zonën industriale, sipas Gashit, do të kalojnë shumën prej rreth 6 milionë eurosh, të cilat ai do t’i sigurojë nga buxheti komunal. “Me këto të dyja dhe pak investime në turizëm mendojmë se Peja do të ketë në fund të mandatit tim 5 mijë të punësuar më shumë, pa llogaritur qendrën turistike ‘Borea’. Këto janë dy shtyllat kyç, por duke mos lënë assesi anash shëndetësinë dhe arsimin”, thotë Gashi.

Image

Sabiha Shala

Profesoresha e së drejtësisë ndërkombëtare në Fakultetin Juridik në UP “Haxhi Zeka”, Sabiha Shala, që ka doktoraturë në fushën e së drejtës ndërkombëtare, të kryer në Universitetin e Nicës, në Francë, si kandidate e PDK-së për kryetare të Pejës, konsideron se ka ardhur momenti i fundit që Pejës i duhet një qeverisje transparente, e ndershme dhe pa kushtëzime, e cila, sipas saj, do të garantojë sjelljen e investitorëve vendës dhe të huaj, që do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Pejës. Zhvillimi ekonomik është shtylla kryesore në programin e saj qeverisës, nëse qytetarët e kësaj komune ia besojnë këtë post drejtues. Si pikë tjetër me rëndësi për shtytjen e zhvillimit ekonomik, sipas saj, janë turizmi dhe investimet në të, që, siç thotë ajo, do të gjenerojnë vende të reja pune. Gjithashtu ajo prioritet ka edhe bërjen e Pejës qytet të pastër. “Si kryetare do ta kem në rend të parë edhe bërjen e mjedisit të pastër, për çka do të dyfishohen projektet që do të financohen nga arka komunale duke menaxhuar drejt buxhetin, si edhe nga mjetet që organizatat ndërkombëtare i ndajnë për mjedisin si çështje ndërkombëtare”, thotë Shala. Ajo premton edhe mbështetjen me subvencione të sektorit prodhues të bujqësisë, me theks të veçantë prodhuesit e pemëve të imëta dhe bimëve mjekuese. “Këtyre prodhuesve ne do t’u ofrojmë edhe lehtësi, me ofrim në shfrytëzim pronat komunale, si dhe tërheqjen e investitorëve të jashtëm”, thotë ajo, duke potencuar, ndër të tjera, edhe ngritjen e cilësisë së arsimit në nivelin fillor dhe të mesëm.

Image

Bashkim Nurboja

Doktori i shkencave ekonomike, të kryer në Universitetin e Lubjanës, Bashkim Nurboja, si kandidat i LVV-së për kreun e Pejës, mban në duar një plan të tij dhe subjekt që përfaqëson, me 26 masa konkrete për ndryshimin thelbësor të gjendjes dhe orientimin e Komunës së Pejës nga zhvillimi, të cilat ai premton se do t’i realizojë gjatë mandatit 4- vjeçar, nëse fiton në zgjedhjet e 22 tetorit. “Masat që i kemi marrë janë shumë të rëndësishme për qytetarët e Pejës. Ndër to janë rivitalizimi i shëndetësisë, përmirësimi i cilësisë së arsimit, ofrimi i shujtave për nxënës, kontrollimet sistematike të fëmijëve”, thotë Nurboja. Prioritet tjetër më rëndësi për të janë rastet sociale dhe familjet të pastrehë, të cilave ai si kryetar komune do t’ua zgjidhë çështjen e banimit. Edhe bujqësia gjendet në listën e masave të parapara. Thotë se në kuadër të kësaj mase do të ofrojë si kryetar i Pejës këshillime dhe subvencione për grupe dhe iniciativa që ofrojnë projekte. Për zhvillimin e turizmit ai thotë se do të ofrojë brendinë e qytetit dhe paketa turistike, të cilat, sipas tij, do të tentojnë t’ i plasojnë në agjencitë botërore për shërbimet që do t’i ofrojë Peja dhe aktorët në sektorin privat. Problemi që ai ka identifikuar në Pejë është edhe çështja e mbeturinave. “Për mbeturina do ta bëjmë riorganizimin e ndërmarrjes publike ‘Ambienti’, së cilës do t’i ndihmojmë shumë, sepse Pejën e kanë mbuluar mbeturinat dhe është e domosdoshme për të intervenuar, pasi qytetarët shumë po ankohen”, thotë Nurboja. Përveç 26 masave, në listën e prioriteteve, sipas tij, gjendet edhe një projekt madhor për Pejën. “Do të ndërtojmë ngrohtoren e qytetit”, thotë Nurboja, i cili si anëtar i LVV-së është prej vitit 2009, kurse në vitin 2014 ka qenë edhe kandidat për deputet në zgjedhjet e përgjithshme.

Image

Reshat Nurboja

Përjetuesi dhe mbijetuesi i masakrës në Burgun e Dubravës në vitin 1999, politologu nga Peja, Reshat Nurboja, si kandidat i Alternativës për kryetar të Pejës, ofertën e tij e ka mbështetë në tri shtylla: arsimin, punësimin dhe mirëqenien sociale. Nga këto 3 shtylla, siç thotë ai, do të rezultojnë edhe detyrat strategjike që duhen realizuar. Në shtyllën e parë, atë të arsimit, siç thotë, nuk do të investojmë në infrastrukturë, por në ngritjen e cilësisë dhe në promovimin e teknologjisë informative dhe të arsimit bashkëkohor. Për punësim ai thotë se do të krijojë fondin për punësim. Për këtë fond nga arka komunale do të flokojë çdo vit nga një milion euro. “Njëherësh, nga Bashkësia Evropiane do të kërkojmë fonde për këtë çështje. Këtë fond do ta krijojmë nga kursimet komunale. Një nga shembujt për realizimin në praktikë të këtij fondi është edhe plani që në të gjitha bashkësitë territoriale të hapim 15 çerdhe në partneritet publiko-privat”, thotë Nurboja. Ndërsa për mirëqenie sociale, ai planifikon që dy muaj pasi të marrë postin e kryetarit, do të nisë procedurat për dhënien e 20 banesave të Komunës për familjet e pastreha, që gjenden në ndërtesat e banimit kolektiv të ndërtuara nga një ndërtues privat në hapësirën e ish-tregut të gjelbër. Me rëndësi të veçantë për Nurbojën si kryetar i Pejës është edhe diaspora shqiptare. “Do të formojmë Kuvendin e Diasporës së Komunën e Pejës, i cili do të jetë organ ndërlidhës për ruajtjen e identitetit dhe do të jetë promotor promovues i Pejës në botë dhe lobues për gjetjen dhe sjelljen e investitorëve në Pejë”, thotë Nurboja.

Image

Sali Kelmendi

Ish-gazetari i Televizionit të Prishtinë për 20 vjet dhe ish-reporter i lirë në Lindje të Mesme, Sali Kelmendi, për herë të dytë mësyn postin e kryetarit të Pejës. Herën e parë ka garuar më 2007 si kandidat i pavarur, derisa në zgjedhjet e tashme lokale, profesori i shkencave politike synon postin e kryetarit si kandidat i Nismës për Kosovën. Ai konsideron se Peja nuk ka pasur shumë fat me kryetarët që i ka pasur deri tashti, pasi ky qytet nuk ka zhvillim ose nëse ka pasur, ai ka qenë selektiv dhe është punuar në favor të korporatave e jo të qytetarëve. “Nuk ka punësim të rinisë. I kemi rreth 7 mijë punëkërkues në Qendrën e Punësimit prej moshës 18 deri 30 vjeç. Unë u ofroj qytetarëve një përkushtim të plotë dhe administrim me nder. Shtyllat kryesore janë angazhimi për zhvillimi ekonomik i Pejës nëpërmjet Zonës industriale, tërheqjes së investimeve nga jashtë, nëpërmjet hapjes së vendeve të punës për të rinj”, thotë Kelmendi. Gjithashtu si premtim i tij është edhe rifunksionalizimi i trafikut urban. “Trafikun urban do ta jetësojmë dhe Komuna do ta subvencionojë që bileta do të jenë më të lirë se që ishte. Duhet të vëmë ligj e rend në trafikun urban dhe ndërurban. Do të interesohem që t’u ndihmoj pensionistëve, për të cilët transportin në trafikun urban dhe atë ndërurban ta bëjmë pa pagesë edhe deri në fshatrat e tyre”, tregon planin e tij për mbështetjen e pensionistëve. Nëse fiton besimin e qytetarëve të Pejës, ai premton ndarjen e bursave për studentë në shuma që atyre do t’ua heqë shpenzimet e shkollimit.

Image

Eneida Krusha-Kelmendi

Prizrenasja me profesion ekonomiste dhe ish-gazetare në dy radio lokale në Prizren, Eneida Krusha- Kelmendi, e martuar me një punëtor social në Qendrën e Mirëqenies Sociale në Pejë, si kandidate e subjektit Fjala për kryetare të Pejës, synon me programin e saj t’ia kthejë Pejës namin që kishte dikur si një nga qendrat më të forta ekonomike në vend. Me programin që ajo planifikon ta realizojë, nëse fiton, është e sigurt se do ta zhvillojë Pejën ekonomikisht siç ka qenë dikur. “Pas luftës Peja e ka humbur imazhin e një qendre ndër më të fortat ekonomikisht në vend. Dhe këtë imazh do t’ia kthej nëse fitoj me shtyllat kryesore të programit tim që janë zhvillimi i ekonomisë, sigurisë, drejtësisë, mirëqenies sociale dhe bujqësia”, thotë ajo, duke konsideruar se Peja në aspektin e turizmit ka mundur të ishte një nga qendrat më të vizituara në rajon, duke marrë për bazë kapacitetet që i ka me bjeshkët e saj. Ajo thotë se në aspektin e ekonomisë ka pasur mjaft interesim për investime, sipas saj, mungesa e sigurisë i ka trembur investitorët. “Ne do t’i motivojmë dhe kurajojmë investitorët, sidomos diasporën, e cila ka qenë e dekurajuar për ta bërë një hap të tillë. E për sigurinë do të krijojmë një bashkëpunim të veçantë me organet e sigurisë dhe të drejtësisë”, thotë Krusha-Kelmendi. Si kryetare e Komunës, nëse fiton, do të subvencionojë edhe bujqit, të cilët, sipas saj, janë lënë anash nga qeveritë e deritashme të Pejës. “Do ta jap kontributin tim në shumë aspekte dhe mendoj se do të mund t’i realizoj të gjitha”, thotë ajo.