Gazmend Muhaxheri do të vazhdojë edhe një mandat katërvjeçar si kryetar i Pejës, pa menduar për balotazhin.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Gazmend Muhaxheri ka fituar 50. 31% të votave, duke u bërë kështu Peja komuna e vetme e madhe që nuk do të ketë rund tjetër zgjedhjesh, raporton KTV.
Për analistin Ilir Ibrahimi, Peja pa balotazh ishte befasi, ndonëse ishte e pritshme që i pari të dilte Muhaxheri.
Rreth 8 mijë vota është diferenca mes Muhaxherit e kandidatit të AAK-së, Fatmir Gashi, i cili ka fituar 13, 727 vota, apo 32.02 për qind.
Me t’u mbyllur vendvotimet të dielën në Pejë, simpatizantë të AAK-së me vetura në sheshin e qytetit nisën festën, por ajo nuk zgjati shumë.
Festa kryesore ishte te LDK-ja, e që zgjati për orë të tëra.
Gazmend Muhaxheri tha se LDK-ja u rikthye fuqishëm si në kohën e Ibrahim Rugovës.
Tha se LDK-ja është fituese edhe në Asamble komunale dhe do të udhëheqë e vetme me komunën.
Partia Demokratike e Kosovës është renditur e treta me kandidaten, Sabiha Shala, që ka arritur të fitojë 9, 28 për qind të votave.
Pavarësisht pritjeve që kishte, Vetëvendosje doli e katërta nga këto zgjedhje.
Bashkim Nurboja ka fituar 2, 717 vota, apo 6.34 për qind në total.
Vetë Nurboja thotë se kanë pritur më shumë, por megjithatë nga zgjedhjet e vitit 2013 thotë se ka rritje.
Në zgjedhjet e 2013-ës LDK-ja pati fituar Pejën në balotazh me AAK-në.