Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, njëherësh edhe kryetar i degës, në tubimin madhështor elektoral më anëtare dhe simpatizantë të nëndegës së Grabanicës që u mbajtë në shkollën e Kpuzit, ka premtuar ndër të tjera asfaltimin e rrugës Kpuz- Mrasor që krijon një lidhje të mirë dhe shumë më të shkurtë për banorët e kësaj ane me rrugën e Gjakovës.
Bashota ndër të tjera, ka premtuar edhe ndërtimin e urës mbi lumin Drini i Bardhë në lagjen Restoka, renovimin ose ndërtimin e shkollës së re në Grabanicë, asfaltim të rrugëve, rregullim të kanalizimit për ujëra të zeza, kanal të ujitjes, nëpër të gjitha fshatrat e kësaj anë.
“Kam hyrë në këtë garë për të vazhduar sukseset që i keni filluar në vitin 2007, do të realizoj gjitha projektet që janë të nevojshme për ju dhe gjithë qytetarëve të Klinës. Nuk do të mbetet fshat pa ujësjellës”, premtoi Bashota.
Në këtë tubim, më qytetarë të Grabanicës, Kpuzit, Qeskovës, Dollovës dhe Bokshiqit, PDK-ja ka shpalosur programin dhe vizionin për zhvillimin e Komunës së Klinës në katër vitet e ardhme të qeverisjes si dhe 29 kandidatët që garojnë për anëtarë të Kuvendit të Komunës.
“Me prezencën e madhe në këtë tubim, banorët e nëndegës së Grabanicës, në zgjedhjet e 22 tetorit kanë vendosur që të jenë bastion i Partisë Demokratike të Kosovës. PDK-ja rrugëton e sigurt në fitore më 22 tetor duke u mbështetur në besimin dhe përkrahjen e madhe që po marrim nga kjo nëndege. Puna jonë, prezenca juaj na dëshmojnë se do të jemi forca nr 1”, ka thënë Bashota i cili ka marrë duartrokite të shumta nga qytetarët që kishin mbushur ambientet e shkollës së re moderne të Kpuzit që është ndërtuar nga pushteti lokal të cilin e udhëheqë Bashota.