Fitorja e PDK-së më 19 nëntor do të jetë e fuqishme duke u bazuar në mbështetjen e madhe nga qytetarët pa dallim partie të cilët kanë vendosur të mbështesin programin e kësaj partie për vazhdimin e zhvillimit të Klinës.
Kështu ka deklaruar kandidati për kryetar të Komunës së Klinës nga radhët e PDK-së, Sokol Bashota, gjatë tubimeve elektorale në fshatrat Poterq, Dugajevë, Drenoc, Grabanicë, Bokshiq, Dellovë, Qeskovë, Kpuz, Gremnik dhe Qupevë e Ulët për rundin e balotazhit.
Ai me këtë rast është zotuar se do të jetë kryetar i gjithë qytetarëve të Komunës së Klinës, pa dallim partie.
"Bashota u ka sqaruar qytetarëve se tashme janë krijuar dy blloqe, ai opozitar AAK, LDK, VV dhe NISMA, i cili ka bërë pazare për ndarje të posteve dhe blloku tjetër PDK, AKR, PSHDK dhe IPK që ka bërë marrëveshje, por nuk ka ndarë poste, por vetëm ka bërë integrimin e programeve ekonomike", thuhet në njoftimin nga kjo parti.
“Blloku ynë ka bërë marrëveshje parimore duke bërë integrimin e programit ekonomik, kurse blloku opozitar ka bërë pazare politike me dikasteret komunale. Blloku opozitar janë bllok humbës që nga viti 2007 dhe të njëjtën do ta përjetojnë edhe më 19 nëntor”, ka thënë ai.
Për më tepër, Bashota tha se qytetarët e Klinës nuk kanë nevojë për një kryetar “kukull” që dirigjohet nga dikush tjetër, por për një zot shtëpie të vetin e jo të qeverisen nga dikush tjetër.
“Blloku opozitar është duke u munduar në forma më të turpshme të përfitojë vota duke shpërndarë certifikata të veteranëve të UÇK-së vetëm për të përfituar vota. Qytetarët e Klinës nuk lejojnë qeverisjen e haraçit dhe fajdes. Ata janë përcaktuar për PDK-në”, ka thënë Bashota.
Bashota premtoi realizimin e të gjitha nevojave që kanë këto lokalitete në mandatin a ardhshëm qeverisës dhe u shpreh i bindur në fitore me 19 nëntor.
“Fitorja e PDK-së nuk kontestohet, mos u joshni nga të tjerët, adresa me e mirë për ju është PDK-ja. Do të realizojmë gjitha nevojat e banorëve të Komunës së Klinës që janë në interes dhe shërbim të qytetarëve. Fitorja ime me e madhe është puna për ju. PDK-ja do të fitoi këto zgjedhje, prandaj dua që edhe ju të jeni pjese e fitores së madhe. Fitorja e PDK-së është vazhdimësi e zhvillimit të Klinës që ka nisur në 2007. Kemi edhe shumë punë për të bërë bashkë. Garanci e fitores është puna e madhe që kemi bërë dhe do të bëjmë në të ardhmen”, ka thënë Bashota.