Kandidati i PDK-së për kryetar të Klinës, Sokol Bashota, ka premtuar ndërtimin e palestrës sportive për nxënësit e shkollës së fshatit Jashanicë.
Sipas tij, kjo palestër sportive do të ndërtohet në kapacitete që do të mundësojnë shfrytëzimin edhe nga rinia e fshatit.
“Në mandatin 4 vjeçar kemi planifikuar ndërtimin e disa palestrave sportive me standarde evropiane kryesisht afër objekteve shkollor. Një e tillë do të ndërtohet në fshatin Jashanicë e cila do të shfrytëzohet nga nxënësit në orarin mësimor duke ofruar mundësi të shfrytëzimit edhe nga të rinj e gjenerata tjera ditëve të vikendit dhe pas përfundimit të mësimit”, premtoi Bashota.
Ai ka premtuar realizimin e gjitha projekteve infrastrukturore të nevojshme në çdo lagje të Jashanicës dhe fshatrave Gjurgjevik i Madh dhe Pograxhë.
PDK-ja ka mbajtur tubime elektorale edhe në fshatin Siqevë, Resnikë dhe Jellovc. Edhe në këto tubime, Bashota ka premtuar realizimin e të gjitha projekteve që janë nevoja të qytetarëve që kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore, ujore e fusha tjera.
“Duke besuar në mbështetjen dhe besimin e juaj, fitorja e PDK-së është e sigurt. Bashkë me partnerët tanë e kemi agjendën dhe programin për zhvillimin e Klinës. Ashtu siç kemi qenë bashkë në të gjitha periudhat, bashkë do të jemi edhe më 19 nëntor në rundin e balotazhit për të konfirmuar fitoren e madhe të PDK-së, që do të thotë vazhdim i zhvillimit të Klinës”, theksoi Bashota.
Ai, tha se blloku opozitar janë bërë bashkë vetëm për inate. Kundërkandidati i Bashotës, Zenun Elezaj nga AAK-ja ka afruar rreth vetës LDK-në, LVV-në dhe Nismën, me marrëveshjet zyrtare të nënshkruara javën e kaluar, kur edhe janë shprehur njëzëri se këto marrëveshje, sipas tyre, janë bërë në frymën e nevojës së ndryshimit të domosdoshëm për qytetarët e Klinës.
“Me inate nuk bëhet asgjë, blloku opozitar janë një grup i vogël, një klan që i kanë ndarë postet imagjinare. Ata nuk kanë program qeverisës për zhvillimin e Klinës. Elektoratin nuk e kanë pas tyre. Siqeva, Jashanica, Jelloci, Resniku, Pogragja, Gjurgjeviku i Madh e as fshatrat tjera të Komunës së Klinës, nuk lejojnë që në qeverisjen e Klinës të vije një kryetar kukull që dirigjohet nga dikush tjetër”, tha Bashota.