Zgjedhjet lokale

Ahmeti ndihet i sigurt për vete, kërkon fitore të asamblistëve

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti mbajti një tubim në Ulpianë ku prezantuan edhe kandidatët për Kuvend Komunal nga kjo lagje, si Violetë Kika, Arbër Limani, Drilon Pireva dhe Nol Nushi.

Ahmeti tha para të pranishmëve se mandati i dytë do të jetë i orientuar në zhvillimin e mëtutjeshëm të qytetit, duke e prekur secilën lagje e secilin fshat.

“100 zotimet tona të programit ‘Prishtina, qytet në çdo lagje’, janë zotime që kanë dalë nga takimet e vazhdueshme me qytetarë, nga këshillat dhe kërkesat që i kemi marr nga banorët e Prishtinës. Prioritetet për lagjen Ulpiana janë shkruar nga ju. Përveç tyre, ne tashmë e kemi planin konkret për rregullimin e tregjeve, duke themeluar edhe ndërmarrjen publike për to, ku është përfshirë edhe tregu i Ulpianës. Tregu i lagjes suaj do të rindërtohet, do të jetë treg modern, tërheqës dhe i përshtatshëm edhe për shitësit, edhe për banorët e lagjes”, tha ndër të tjera Ahmeti. Ai kërkoi nga banorët e Ulpianës që të votojnë Vetëvendosjen, të votojnë kandidatët tanë, ashtu që me shumicë në Kuvendin Komunal ta pamundësojmë bllokimin, e ta shtyjmë përpara zhvillimin e Prishtinës.

Deputeti Glauk Konjufca në fjalën e tij të rastit tha se pushteti i LDK-së në Prishtinë, për 14 vite qeverisi në favor të vetvetes, duke e shkelur qytetarin. “Prandaj u rrëzuan në vitin 2013. Rrëzimi i tyre nuk ishte i rastësishëm. Fitorja e jonë nuk ishte e rastësishme. Ne vendosëm binarë të një qeverisjeje të mirë e të drejtë. Mandati i parë i joni këtu, kishte fokus ndaljen e së keqes. Shpendi me ekipin e tij në Prishtinë e gjetën një korrupsion të paparë. Kurse sot, Prishtina është krejt ndryshe. Prishtina është pa korrupsion, stabile, dhe e gatshme për t’u zhvilluar tutje bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje”, tha ndër të tjera Konjufca.