Kandidati i LDK-së për deputet, njëherësh ligjërues në Universitetin e Prishtinës, i ka shpjeguar ish-ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavilecit, konceptet bazike në ekonomi, të cilat, ky i fundit i ka ngatërruar gjatë një reagimi në Facebook.
Duke shfrytëzuar një pyetje të ngritur nga një nxënës i klasës së tetë pwr ish-ministrin, e që ky i fundit nuk i është përgjigjur, Havolli i është përgjigjur nxënësit e njëkohësisht i ka shpjeguar ish-ministrit se çfarë është rritja ekonomike në terma REAL dhe se kur flitet për Bruto Produktin Vendor, flitet në terma NOMINAL.
Më tej, Havolli është shprehur i gatshëm që të ofrojë ligjërata edhe më të avancuara për, siç e quan ai, Koalicionin e PAN-ikut.
Ndërkaq, ashtu si edhe kandidatët tjerë të LDK-së, Havolli është plotësisht i gatshëm për përballje publike për çështje ekonomike me të gjithë kandidatët e PDK-së, që mendojnë se janë të gatshëm për një gjë të tillë.
Shkrimi i plotë i Havollit:
Përgjigje ndaj pyetjes të ngritur dje nga një nxënës për ish Ministrin. Nxënësi nuk mori përgjigje nga ish Ministri.
I dashur Blerand, i Dashur nxënës i klasës së tetë,
Me qenë se kam ofruar ligjerata për Ju të koalicionit të PAN-ikut, po të ofroj po ashtu që bashkë me ty të mësoj edhe nxënësi i klasës së tetë (jam i inkurajuar nga interesimi i nxënësit të klasës së tetë për ekonominë).
Më lejo të të ligjëroj për konceptet bazike të ekonomisë.
Me qenë se e keni pyetjen e njëjtë me nxënësin e klasës së tetë, kjo ma lehtëson punën.
Kur flitet për rritjen ekonomike, flitet në terma REAL.
Kur flitet për Bruto Produktin Vendor, flitet në terma NOMINAL.
Në LDK, dhe në shkencën mbarë botërore kur flitet për rritjen ekonomike flitet me terma shkencor, prandaj i referohemi rritjes REALE (premtimi për 8%). Ndërsa kur flitet për vlerën e BPV-së, natyrisht se flitet në terma NOMINAL (BPV në vlerë 9 miliardë euro).
E di që po e përsëris këtë fakt, por dua të jem i sigurtë se të gjithë e keni kuptuar. Është shumë bazike kjo.
Po besoj se kaq mjafton për orën e parë. Nëse ky shpjegim nuk të ndihmon, do të tentoj që në orën e ardhshme të ua paraqes edhe me shifra konkrete, por sa për fillim nuk dua të u ngarkoj më shumë. Mund të u duke shkencë e rëndë, por me dëgjim të vëmendshëm, dikur edhe mund ta kuptoni këtë njësi ligjeruese.
Orën e ardhshme, e trajtojmë në mënyrë të kalkuluar, përfshi edhe konceptin e deflatorit (më me shumë dëshirë, në përballje publike me cilin do ekspert të ekonomisë nga LDK, zgjedhje e Juaja). E di që nuk ke dëgjuar për të, por gjithmonë ekziston një fillim i ri.
© Ky material lejohet të shpërndahet në anëtarësinë tuaj, meqenëse të njëjtën pyetje e kishin shtruar edhe disa të tjerë.
Sokol Havolli është kandidat i LDK-së dhe mban numrin 101.