Zgjedhjet lajme

Brovina: Gratë janë fitimtare me Fillimin e Ri

Gruaja Demokratike e PDK-së zhvilloi takim në degët e kësaj partie, në Burim dhe Klinë.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se takimeve u printe, Flora Brovina, nënkryetare e PDK-së , e cila theksoi me këtë rast se fitorja e Fillimit të Ri është e pakontestueshme dhe duhet të jetë cilësore, dhe i ftoi gratë që të shkojnë në çdo familje për të treguar se Fillimi i Ri, është fillim i fuqizimit të gruas në çdo nivel të vendimmarrjes, transmeton kp.

“Gratë janë fitimtare me Fillimin e Ri, sepse fiton Kosova, fiton çdo familje, fiton çdo grua, fiton çdo veprimtari e grave që mban familje dhe është e gatshme të bëj edhe më shumë për vete dhe familjen e vet, sepse këtë, e garanton Platforma, e garanton vullneti ynë për fitore”, tha Brovina.

Takimi tjetër u zhvillua në Degën e Gruas Demokratike, në Klinë, ku GD e PDK-së takoi udhëheqëset e kësaj dege, ku ishin të pranishëm edhe dy kandidatët për deputetë, Ukë Berisha e Ramush Agushi. Në takim mori pjesë edhe kryetari i komunës, Sokol Bashota.

Brovina theksoi në Klinë se gratë, me mobilizimin e tyre, janë duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për fitoren madhështore më 11 qershor, fitoren e platformës Fillimi i Ri.

“Gratë më 11 qershor, duhet të flasin me votë për vete, të drejtat e veta, përfaqësimin në çdo nivel të pushtetit, me përkrahje në ngritjen dhe mirëmbajtjen e veprimtarive familjare duke i zgjeruar dhe me interes për gratë dhe familjen e tyre” ka thënë Brovina.