Zgjedhjet lajme

Bashota: Para tre vitesh hymë në koalicion me një subjekt të padëshiruar, por s’kishim zgjidhje tjera

Dega e PDK-së në Klinë ka mbajtur dy tubime elektorale më anëtarë dhe simpatizantë të fshatit Gllarevë, Caravikë dhe disa lokaliteteve të Malishevës në të cilat janë prezantuar kandidatët për deputetë të këtyre dy komunave Ramush Agushi e Ukë Berisha nga Klina dhe Isni Kilaj nga Malisheva.

Në tubimin elektoral në Gllarevë, kryetari i degës së PDK-së, Sokol Bashota, ka thënë se para tre vitesh hymë në koalicion me një subjekt të padëshiruar por që ishte mundësia e vetme.

“Provuam të gjitha rrugët që të qojmë proceset përpara që ishin në interes dhe shërbim të vendit, por ishte e kotë. Duke mos dashur që të zvarrisim edhe më tutje plotë çështje që kanë mbetur në tavolinat e diplomacisë perëndimore që janë në interes të qytetarëve, ne i thamë mjaftë më. Mjaftë do ti themi edhe atyre që nuk e njohin shtetin e Kosovës”, ka thënë Bashota.

Kurse në tubimin elektoral në Kijevë të Malishevës, Bashota ka bërë thirrje që të mbështetën kandidatët e Klinës, Ramush Agushi , Ukë Berisha dhe kandidati i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj.

“Aksidentalisht, ne ishim bashkë për këto tre vite me një subjekt politik i cili nuk ka ndryshuar asgjë nga e kaluara ku në asnjë moment çështjet e mëdha për këtë vend nuk i ka quar përpara. Duhet të distancohemi nga ata që nuk kanë guximin të udhëheqin proceset e rëndësishme për Kosovën dhe nga ata që nuk e njohin shtetin tonë. Duhet t’i mbështesim ata që e duan karrigen për interes të qytetarëve, e ata janë PDK-ja”, tha Bashota, sipas të cilit më 11 qershor, Klina sikurse 10 vitet e fundit por edhe Malisheva “do të konfirmojnë fitoren e madhe të PDK-së dhe do i hapin dyert për fitoren e radhës edhe për pushtetin vendor”.

Kandidatët për deputetë, Isni Kilaj, Ramush Agushi dhe Ukë Berisha, kanë premtuar se do të angazhohen për zgjidhjen e problemëve të qytetarëve të komunave, Malishevë dhe Klinë, në fushat e arsimit, bujqësisë, sportit dhe infrastrukturë rrugore.