Për rreth 5 mijë pako me fletëvotime të ardhura me postë nga diaspora vetëm një ditë pas zgjedhjeve, KQZ kishte vendosur që mos t’i përfshinte në numërim.
Zarfet vazhdojnë të qëndrojnë në hapësirat e objektit të Ministrisë së Infrastrukturës, e kjo pavarësisht faktit se secila nga to mban vulën me datën e përcaktuar brenda afatit ligjor nga KQZ-ja, raporton KTV.
Bazuar në këto vula dhe padrejtësinë e madhe që thonë se po u bëhet mërgimtarëve, Lëvizja “Vetëvendosje” vendosi që ankesën pas përgjigjies së Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ta dërgojë në Gjykatën Supreme.
Rrustemi thotë se KQZ-ja ka pasur bazë të mjaftushme ligjore që këto vota t’i dërgojë në numërim dhe mos të bazohej në vonesat e transportit të këtyre votave.
Po ashtu, sipas tij, ky institucion, edhe në zgjedhjet e kaluara kishte pranuar fletëvotime të ardhura nga diaspora pas zgjedhjeve, por që ishin nisur me kohë nga vendet përkatëse.
Ndërkaq, në Gjykatën Suprme, përmes një përgjigjeje me shkrim, zyrtarë për informim kanë thënë se nuk mund të flasin për përmbajtjen e kësaj ankese të VV-së, derisa kolegji i saj ta shqyrtojë atë.
Megjithatë, sipas tyre, brenda afatit ligjor që parashihet me Ligjin për Plotësim-ndryshimin e Zgjedhjeve të Përgjithshme do të vendoset për ankesën e “Vetëvendosjes”.
“Gjykata Supreme, sipas kompetencës që ka, është instancë e fundit që vendos lidhur me ankesat kundër vendimeve të PZAP-it, sipas Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme për situatat e parapara me nenin 12 paragrafi 2”, thuhet në përgjigjen nga Gjykata Supreme.
Bazuar në nenin 12 paragrafi 2 të këtij ligji, Gjykata Supreme, që është instanca e fundit, ka afat 72 orë për të vendosur ndaj ankesës në fjalë.