Një komplet me 30 kokrra vezë dhe anash - një kopje fletëvotimi me 5 kandidatë për t’i votuar.
Pako me përmbajtje të tillë po pretendohet të jenë shpërndarë mëngjesin e së shtunës në lagjen Ulpiana të kryeqytetit, raporton KTV.
“Bashkë me ushqimet, po shpërndahen edhe udhëzues si fletëvotime për të votuar koalicionin Nisma-AKR-PD dhe kandidatë të caktuar,” ka shkruar kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Valdrin Ahmeti, në “Facebook”.
KTV-ja ka kontaktuar me dy prej kandidatëve që janë rekomanduar në këto fletëvotime, Haxhi Shalën dhe Bekim Brestvocin, që së fundi iu është bashkuar Nismës Socialdemokrate.
Brestovci ka fajësuar kundërshtarët politikë për një gjë të tillë.
Edhe Shala, ngjashëm, rastin e ka lidhur me kundërshtarë politikë, duke mohuar lidhjen, dhe ka bërë thirrje që të hetohet rasti.
Koordinatorja Nacionale nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, tha të mos kenë marrë ndonjë informacion deri në kohën kur është kontaktuar, duke sugjeruar që t’i dërgohen pyetje me shkrim zyrës për media të Prokurorisë, që kanë mbetur pa përgjigje.
Megjithatë, Valdrin Ahmeti, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, në një bisedë telefonike, ka paralajmëruar që dëshmi të tjera për këtë rast, do të deponojnë në PZAP por edhe në Prokurorinë e Shtetit.