Partia Demokratike e Kosovës ka hapur sot fushatën zgjedhore në qytetin e Klinës, nga ku u tha se kjo parti do të shënojë fitore në zgjedhjet nacionale të 6 tetorit, pasi gjithmonë iu ka prirë proceseve të deritanishme për shtet-ndërtimin e Kosovës.
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Kadri Veseli, tha se pjesëmarrja masovike në këtë dhe tubimet tjera të PDK-së, tregon zgjimin kombëtar për të ardhmen euroatlantike të Kosovës.
Ai tha se Kosova ka perspektivë, ka të ardhme, e garancia më e madhe është rinia dhe qytetarët.
“I nderuari kryetar i PDK-së, një nga themeluesit e UÇK-së, njëri nga kryetarët më të suksesshëm të PDK-së, po edhe të komunës së Kosovës. Ai edhe pse ishte themelues i UÇK-së, as nuk mallkoi, as nuk u nervozua. Ia kanë bërë kapak disa dallavere me do certifikata por e mbajtshin me shëndet për vete, por ky është reagimi kombëtar i cili tregon se qytetarët janë të vendosur për të ecur përpara ,për të ecur e për të mos u ndal. Ky është koncepti jonë për katër vjetët e ardhshme është për një Kosovë e zhvilluar ekonomikisht me ekonomi të dijes, të prodhimit, ndërmarrëse, një Kosovë e cila lufton fuqishëm korrupsionin dhe nepotizmin, një Kosovë, e cila është fuqishëm bashkë me SHBA-në dhe perëndimorët tanë evropianë. Vetëm kështu mund të ecim përpara”, ka thënë ai.
Ai thotë se më 6 tetor, do të jetë dita e referendumit.
“Cilin drejtim do ta marrë Kosova? Do ta marrë drejtimin e një qeverisje të dijes dhe ndërmarrësve, luftës kundër korrupsionit, qeveri e partneritetit me SHBA, apo një qeveri e cila është e dilemave, e konfrontimit të brendshëm, një koalicion i cili është i konfrontimit me SHBA, e ai është koalicion Mustafa-Kurti është koalicioni i korrupsionit dhe izolimit të Kosovës”, ka thënë Veseli.
Ndërkaq kryetari i Degës së PDK-së për Klinë, Sokol Bashota, tha se qytetarët e Klinës kanë vendosur që më 6 tetor të votojnë për PDK-në dhe të ardhmen e qytetarëve të Kosovës.
Ai tha se vetëm PDK me Kadri Veselin në krye mund t’iu dalë në ballë sfidave me të cilat përballen qytetarët dhe vendi. Sipas tij, lista e PDK-së me 110 emra për deputetë është lista më e përzgjedhur për Kuvendin e ardhshëm të Kosovës.
“Unë në këtë tubim madhështor, të cilin nuk e zuri salla në Shtëpi të Kulturës, por edhe kryetari iu drejtua të pranishmëve që ishin jashtë, shoh nga këtu nga mosha 18-vjeçare e deri 90-vjeç dhe në emër të Degës së PDK-së dhe qytetarëve të Klinës ta falënderoj për pjesëmarrjen e kryeministrit të ardhshëm Kadri Veseli, i cili sonte është këtu... Ju struktura të partisë ju falënderoj për punën që e keni bërë për këto pak ditë për të mobilizuar PDK-në dhe për të garantuar se fitorja e radhës e PDK-së në Klinë është e sigurt”, tha ai.
Bashota ka drejtuar edhe akuza ndaj partive tjera që ishin më herët në pushtet në Klinë, duke përkujtuar se vetëm gjatë qeverisjes së tij në këtë komunë ka pasur investime të mëdha. Ai po ashtu ka ftuar qytetarët që më 6 tetor të votojnë për PDK-në dhe kryetarin e saj Kadri Veseli.
Ndryshe, kandidatë të PDK-së për deputetë nga Klina janë Suzanë Gjergji, Ramush Agushi, Pashkë Buzhala./KsP/