Në tubimin zgjedhor në Viti, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, tha se sikur në vitet e ‘90-ta, mërgata i është bashkuar LDK-së për çlirimin e dytë të Kosovës.
“Mërgata jonë ka qenë gjithmonë në anën e drejtë të historisë. Ajo përveç dërgesave për familjet kosovare, gjatë viteve të ‘90-ta ka financuar arsimin, shëndetësinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, ndërsa ka financuar edhe luftën. Mërgata jonë tashmë është bashkuar me projektin e LDK-së për çlirimin e Kosovës nga krimi dhe korrupsioni”, tha Osmani.
Osmani pati një mesazh edhe për votuesit që për herë të parë votojnë në zgjedhje.
“Sigurohuni të dashur të rinj që vota juaj e parë të shkojë për çlirimin e dytë të Kosovës. Më 6 tetor me votën tuaj të parë, Kosova do të përjetojë çlirimin nga krimi dhe korrupsioni. Do t'i japim fuqi lirisë dhe do t'i përqafojë vlerat e demokracisë”, tha kandidatja e LDK-së për kryeministre.
Ajo tha se Kosova nuk është plotësisht e lirë derisa të plotësohen tri postulatet e Presidentit Rugova: liria, pavarësia dhe demokracia.
“Këtyre tri postulateve ua ka zënë frymën krimi dhe korrupsioni në Kosovë, i cili do të marrë fund me fitoren tonë në zgjedhje. Askush nuk mund ta ndalë vullnetin e qytetarëve të Kosovës për fitoren e LDK-së dhe kthimin e qeverisjes me duar të pastra në Kosovë”, tha Osmani.
Sipas saj, me fitoren në zgjedhje, më 6 tetor do të përfundojë pushteti i atyre që abuzuan me shtetin dhe do t’ju kthehet pushteti qytetarëve.
Duke folur për planin qeverisës, Osmani tha se 100 milionë euro në vit do të kursehen nga luksi i deritanishëm i qeveritarëve, ndërsa për katër vite qeverisje do të kursehen 400 milionë euro.
Sa i përket komunës së Vitisë, Osmani tha se do të investohet në lidhje rrugore me Gërlicën dhe do të përfundojë ndërtimi i Zonës ekonomisë të nisur nga qeveria Mustafa.
Shefi i Shtabit Zgjedhor të LDK-së, Lutfi Haziri, tha se projekti i Vjosës parasheh kthimin e besimit në LDK-në dhe njerëzit e saj të mirë. Ai ka thënë se oponentët politikë janë mbyllur në salla, pasi që nuk po kanë njerëz në tubimet e tyre.
Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, tha se me përkrahjen qytetare në Viti dhe krejt Kosovën, LDK-ja do të rikthehet fuqishëm sikur në kohën e presidentit Rugova.