Zgjedhjet 2019

Një grua në Anamoravë thotë se votoi për të gjithë, votimi edhe në këtë anë shkoi pa telashe

73-vjeçarja Mehreme Hadabaki nga Pozharani i Vitisë, në kabinën e votimit futet bashkë me djalin e saj, të cilit edhe ia jep udhëzimet për t’ia mbushur fletëvotimin asaj.

E, nëse djali i saj e ka dëgjuar, vota e saj me gjasë do të jetë e pavlefshme, pasi ajo thotë t’i ketë votuar të gjithë.

Derisa një tjetër zonjë, në mesin e shumë problemeve që i numëron, rëndësi i jep pensionit të ulët të burrit të saj, me shpresën që qeveria e re t’i rrisë ato, raporton KTV.

Derisa një bashkatdhetar që ka ardhur nga Gjermania enkas për të votuar, sheh dallime të mëdha me zgjedhjet dhe frymën që i përcjell ato në Kosovë.

Pavarësisht ecurisë së mirë të procesit të zgjedhjeve, Pozharani u bë pjesë e lajmeve jo për këtë fakt, por për shkak se një person atje u ndalua për 48 orë, nën dyshimet për blerje votash.

Raportimet se i njëjti ishte pjesëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, u mohuan nga Zyra për Media e kësaj partie.

Mbi 30 km më larg, në fshatin Busavatë të Kamenicës, pavarësisht kërcënimeve se do t’i bojkotojnë zgjedhjet, pak orë pasi ishte hapur votimi, dhjetëra banorë kishin votuar tashmë.

E, në qendër të Kamenicës, në shkollën “Ismail Qemali”, kryetari Qëndron Kastrati, tha se shpreson që në fund të kenë një deputet nga kjo komunë, pavarësisht subjektit.

Megjithëse të shumtë ishin qytetarët që nuk tregonin se kë do ta votojnë por shpreheshin se presin ndryshime pas zgjedhjeve, një prej tyre do të votojë në përputhje me kërkesën e kryetarit të tij.

E diela e zgjedhjeve, pa probleme që do të ndikonin në proces, ka kaluar edhe në Komunën e Gjilanit.

Problemi më i madh, sipas kryesuesit komunal zgjedhor, kanë qenë koordinatat e vëzhguesve që caktohen nga partitë.

Në 34 qendra votimi me 129 vendvotime, të drejtë vote kanë pasur gjithsej 103 mijë 3 54 qytetarë, derisa përqindja e daljes së tyre nuk ka ndryshuar shumë nga ato të zgjedhjeve të fundit.