Pavarësisht se janë bërë gati 3 vjet nga dita kur Donald Trump u zgjodh për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mënyra se si ishte arritur deri te ky rezultat, mbetet një prej temave që diskutohet edhe sot.
Kompania kontradiktore, tashmë e falimentuar, Cambridge Analytica, që me fjalët e drejtuesve të saj, ishte e përfshirë në mbi 200 procese zgjedhore nëpër botë, mendohet të ketë pasur një ndikim të madh në këtë rezultat, raporton KTV.
Kompania në fjalë, kishte keqpërdorur të dhënat e mbi 50 milionë përdoruesve në Facebook, duke i sulmuar të njëjtit me artikuj me përmbajtje të kontestuar, e shpeshherë të rreme.
Si rezultat i hetimeve dhe presionit publik, Facebook-u ishte detyruar të bëjë ndryshime të thella kur bëhet fjalë për shpërndarjen e lajmeve, me kujdes në përmbajtjen e tyre.
Por, ndryshimet e bëra në këtë rrjet social, nuk aplikohen detyrueshëm në Kosovë, thotë Dardan Hasku, nga kompania Dardha Solutions.
Kjo situatë, sipas Haskut, e bën lehtë të mundshëm edhe ndikimin direkt në rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit.
I të njëjtit mendim është edhe Dren Gërguri, ligjërues në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.
Artikujt me informata të shtrembëruara qëllimisht dhe ripublikimi i artikujve të vjetruar, të kombinuara me mungesën e gjykimit kritik për përmbajtjen e postimeve, sipas tij, mund të mashtrojnë audiencën.
Ditëve të fundit, janë shtuar rastet e postimeve të tilla të sponsorizuara, nga faqe të ndryshme të paverifikuara në Facebook, që mbetet një prej rrjeteve sociale më të përdorura.