Secili qytetar që mund të kryejë vepër penale gjatë ditës së zgjedhjeve, do të arrestohet dhe organet e drejtësisë me urgjencë do ta trajtojnë rastin.
Për këtë do të kujdesen, një numër i madh i policëve që do të punojnë me orar të zgjatur, 100 prokurorë dhe 15 gjyqtarë kujdestarë, raporton KTV.
Krejt ky mobilizim po bëhet me qëllim të mbrojtjes së votës nga keqpërdoruesit dhe procesi të përfundojë i qetë dhe pa incidente.
E të gjithë ata që shpallen fajtorë se kanë kryer vepër penale që lidhet me zgjedhjet, mund të dënohen nga 1 deri në 5 vjet burgim.
Dënimet më të ashpra do të jenë për menaxherët e Qendrave të Vendvotimeve dhe komisionarët që janë përgjegjës për materialin zgjedhore pasi t’iu dorëzohet.
Edhe nga Policia e Kosovës kanë thënë se janë të gatshëm të ofrojnë siguri sikurse gjatë fushatës, edhe gjatë ditës së zgjedhjeve.
Gjatë takimit pati shqetësime nga parti që nuk janë aktualisht në Kuvend, duke thënë se atyre nuk u është lejuar të kenë komisionarë dhe vëzhgues.
U kërkua gjithsecili që vëren ndonjë parregullsi gjatë procesit zgjedhor, ta paraqesë rastin tek institucionet e sigurisë dhe drejtësisë.