Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi i kanë shkaktuar dëme pavarësisë së Kosovës.
Në një tubim në Gjilan, Haradinaj ka thënë se liderët e paspavarësisë s’i kanë dhënë rëndësinë e merituar faktit se Kosova është e pavarur, thuhet në një njoftim të AAK-së.
“Arsyeja pse PDK i ka humbur këto kualitete, është se ata nuk kanë mundur me e bë shkëputjen në periudhën e para pavarësisë dhe pas pavarësisë. Ata i kanë nxjerr në vështirësi edhe partnerët, sepse ata e kanë vuajtur një gjendje, pasi që Kosova paraqitej si një vend që nuk mund ta qeverisë veten”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se Kosova duhet të ketë qeveri burimore.
“Edhe pse kemi vuajtur shumë, në periudhën deri në liri, prapë se prapë na vjen mirë që çështja e Kosovës, është burimore, nuk jemi më të qeverisur nga të tjerët. Një shtet kur e shpall veten të pavarur, është i detyruar, obligohet me qeverisë veten dhe me i mbajt përgjegjësitë. Nëse nuk e qeverisë veten, është dëm i madh, mohohet ajo që ka ndodh dhe mund të humbet ndonjë prej komponentëve të pavarësisë. Pavarësia të obligon të qeverisësh vetë, t’i mbash përgjegjësitë, dhe t’i mbash raportet. Prej këtij rreziku, humb edhe territor”, ka thënë Haradinaj.