Zyrtarë të koalicionit AAK-PSD kanë premtuar arsim falas për bachelor e mastar, bibliotekë digjitale për studentë e depolitizim të sistemit arsimor.
Në një konferencë për media, ata kanë thënë se të gjitha këto janë të mundshme me rritjen e buxhetit për arsim për 50 për qind, raporton Koha Ditore.
Driton Çaushi që vjen nga radhët e PSD-së ka theksuar se kanë paraparë edhe miratimin e një strategjie të re për arsimin për ta zëvendësuar atë të vjetrën, të cilës edhe i skadon afati.
“Pra, pas një strategjie të përgjithshëm për sistemin arsimor duhet ndërhyrë në radhë të parë në fakultetin e Edukimit, për shkak se është rasti i nevojshëm që të ofrojmë përgatitje të mirëfilltë të mësuesve të cilët do të shërbejnë në shkollat e Republikës së Kosovës. ...Do të mbështesim dhe do të ruajmë autonominë e institucioneve që merren me cilësinë e arsimit në Kosovë...Kontrolli do të jetë i shtuar në universitete për plagjiaturën”, është shprehur Çaushi.
Ndërsa, Teuta Haxhiu nga AAK, ka thënë se do ta depolitizojnë sistemin arsimor dhe do ta shtojnë numrin e inspektorëve dhe një koordinim i plotë me koordinatorët e cilësisë është mase i nevojshëm.
“Edukimi i kodimit është lëndë e cila shtohet nga klasa e gjashtë...Çdo shkollë në Kosovë do të ketë pedagogë e psikologë, aty ku janë shkollat janë më të vogla do të koordinohemi që në dy shkolla të ketë një pedagog e një psikolog me ndarje të ditëve. Kontrolle rutinore shëndetësore dhe shujta të shëndetshme për parashkollor, parafillor dhe fillor...dy çerdhe në secilin qytet të Republikës së Kosovës dhe të gjitha këto do të arrihen përmes rritjes së buxhetit 50 për qind. Tash është rreth 300 milionë euro ne synojmë ta rrisim për 50 për qind”, ka thënë ajo.