Ftesës për të diskutuar me të rinjtë, kandidatët për kryeministër, nga pesë sa u ftuan gjithsej, iu përgjigjën vetëm dy prej tyre, ai nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai nga koalicioni Nisma-AKR, Fatmir Limaj.
Para të rinjve, kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti shpalosi një pjesë të programit, derisa kritikoi qeveritë e kaluara se më shumë sesa për arsim, kanë investuar në asfalt, raporton KTV.
Kurti është pyetur edhe për qëndrimin e tij ndaj simboleve të Kosovës.
Pyetjeve të të rinjve u është përgjigjur edhe kandidati për kryeministër nga koalicioni, Nisma-AKR, Fatmir Limaj.
Derisa ka përmendur shtrimin e asfaltit, Limaj është krenuar me punën e bërë sa ka qenë pjesë e dy qeverisjeve.
Duke folur për arsimin, me të cilën ka udhëhequr ministri nga partia e tij, Limaj ka thënë se reformat në këtë sektor nuk mund të bëhen pa qenë prioritet edhe i kreut të Qeverisë.
Koalicioni AAK-PSD, mungesën e kandidatit të tyre në këtë debat e kanë arsyetuar me udhëtimin e tij për në Amerikë, kurse nga LDK-ja, me agjendën e ngarkuar të Vjosa Osmanit.