Via Balcanica

Online Sarajevo Film Festival

Festivali më i rëndësishëm filmik i kësaj hapësire, “Sarajevo Film Festival”, këtë vit është mbajtur prej 14 deri më 21 gusht. Edicioni më i pazakonshëm i SFF-së deri më tash, në kryeqytetin e Bosnjë- Hercegovinës, u mbajt në formatin online për shkak të pandemisë së koronavirusit. Vetëm rreth dhjetë ditë para hapjes u hoq dorë nga projeksionet e planifikuara dhe nga zbavitjet e takimet e zakonshme me të famshmit nga bota e filmit. Që të mos ndodhë shuarja e plotë e magjisë së Festivalit, që Sarajevën e mbërthen çdo gusht, organizatorët në mënyrë simbolike e kanë vendosur tepihun e kuq para Teatrit Popullor.

“Mirë se vini në Sarajevo Film Festival. Welcome to Sarajevo Film Festival.

Edhe një herë u dëshmua se kultura pikërisht në momentet e krizës është më e lëndueshmja, kur bëhet fjalë për prodhimin e saj, por edhe më e rëndësishmja kur bëhet fjalë për ruajtjen e vlerave shoqërore”, thotë drejtori i Sarajevo Film Festivalit, Mirsad Purivatra.

I 26-ti me radhë, Festivali u hap me premierën e filmit “Përqendrohu, babë”, i skenaristit dhe regjisorit boshnjak Pjer Zhalica. Filmi në një mënyrë komike flet për lakminë njerëzore dhe për marrëdhëniet mes njerëzve, ndërsa e kanë realizuar emra të respektuar artistikë nga rajoni.

“Unë luaj aty njërin prej roleve më neveritëse që kam luajtur në jetë… Me një humor që vërtet është humor, por nuk është komedi klasike, madje as nuk është bërë me qëllimin që të jetë komedi klasike. Ka shumë dialogë dhe replika qesharake. Vazhdimisht jeni në prag të qeshjes, por jo qeshjes me zë të lartë, kështu i përjetoj unë filmat e Pjerit”, shprehet aktori Izudin Bajroviq.

Jadranka Gjokiq, aktore nga Kroacia

“Është shumë ndryshe prej gjithë asaj që kam punuar deri më tani, dhe detyra ishte për mua. Një linjë pak më ndryshe ka prej personazheve të tjera, ka një anë më dramatike të rrëfimit. Julia apo Juca, të cilën e luaj unë, është një grua shumë e zellshme, e qetë dhe stabile, por brenda saj gjithçka vlon. Nuk dua të zbuloj shumë, por duhet ta shikoni filmin”, deklaron aktorja nga Kroacia, Jadranka Gjokiq.

“Filmi është i shkëlqyeshëm. Unë vërtet jam i kënaqur, para së gjithash, uroj Pjerin, të gjithë kolegët, aktorët, të gjithë kanë realizuar role të shkëlqyeshme. Qartë, që ne që jemi në proces ndoshta ndonjëherë edhe nuk kemi gjykim të drejtë për atë se çka kemi bërë. Kur çdo ditë xhironi 12 orë e humbni atë ndjenjën, nuk e krijoni një distancë nga puna që e keni kryer, por ja, gjykuar nga komentet e miqve të mi që janë filmofilë, nuk janë këta njerëz nga fusha jonë, janë mjekë, hotelierë, sportistë, profesorë, me të cilët jam dëgjuar: respekt, i japin nota të larta filmit “Përqendrohu, babë””, thotë aktori Emir Haxhihafizbegoviq.

Projeksioni i këtij filmi është lëvizur nga kult-kinemaja e hapur sarajevase “Metalac”, që ndryshe është nikoqire e çdo SFF-je dhe mund të zërë deri në 3000 njerëz – në platformë online.

“As nuk kam ëndërruar se do jetë kështu. Natyrisht që do të ishte fantastike që tani t’i kishim këtu karriget e mbushura dhe që të gjithë bashkë të shikonim filmin në këtë natë fantastike në “Metalac” dhe që më pas të shoqëroheshim, por kjo është e pamundur, e që të jetë e mundur vitin tjetër, këtë vit na duhet të gjithë të qëndrojmë nëpër shtëpitë tona”, thotë regjistori Pjer Zhalica.

Dhe pikërisht prej shtëpive të veta, natën e parë të SFF-së, filmin “Përqendrohu, babë”, në dy orët e para e kanë shikuar numër rekord i njerëzve, 14.000, në 42 vende të botës. Filmi ishte i qasshëm edhe në shtatë ditët pasuese. Seria e bisedave të sivjetme në programin “Masterclass” është mbajtur po ashtu online. Si gjithnjë, edhe këtë vit asaj i janë përgjigjur disa prej artistëve më të njohur filmikë. Në mesin e tyre ishte edhe aktorja tashmë e njohur franceze, Berenice Bejo, e cila ndau përvojën nga karriera e deritanishme.

“Gjithmonë e kam dashur filmin. Çdo të shtunë në shtëpi kemi shikuar filma të Jophn Wayne, Merilyn Monroe. Qysh atëherë e kam ditur se dua të jem pjesë e kësaj. Kështu nisi rrugëtimi im në artin filmik. Sot sfidë e kam të punoj me regjisorët e rinj, për aq sa kanë skenarë të mirë dhe personazhe të mira. Kam punuar në filma izraelitë dhe gjermanë, sepse janë të mirë. Mendoj se një film i mirë në fakt është skenar i mirë, dhe për një opsion të tillë jam gjithmonë e hapur”, shprehet aktorja nga Franca, Berenice Bejo.

Sikur edhe çdo vit, Sarajevo Film Festival e ka ndarë çmimin e nderit, “Zemra e Sarajevës”. Këtë radhë kjo i takoi aktorit danez Mads Mikkelsen për kontribut të jashtëzakonshëm në artin filmik. Aktori danez është i njohur për publikun e gjerë botëror për rolin nga seriali televiziv “Hanibal”.

“Mendoj se lehtë përshtatem në set. Unë kam nisur të merrem me aktrimin sikur secili, edhe pse isha diku rreth 30 vjeç. Më interesonte teatri, por e doja filmin. Së pari aktrova në një tv-serial, rolet më pas vinin rend. Gjithnjë më është thënë se shkoj një hap më tutje, por unë edhe sot kam mbetur një aktor danez”, deklaron aktori nga Danimarka, Mads Mikkelsen.

Përveç pesë bisedave “masterclass”, publiku kishte rast të shikonte online 13 panel-diskutime me profesionistët udhëheqës në kuadër të bisedave “CineLink”, për profesionistët e rinj filmikë, dhe më shumë se 800 takime lidhur me realizimin e bashkëpunimit në 49 projekte të reja filmike. Për shkak të situatës së favorshme epidemiologjike në jug të BH-së, një pjesë e SFF-së është shfaqur në Mostar, ku edhe janë shfaqur filmat në ambient të hapur. Në SFF të këtij viti janë shfaqur 187 filma nga 56 vende, prej të cilëve 64 kishin premierat botërore, ndërsa 8 atë ndërkombëtare. Ekipi i Festivalit është i kënaqur me punën e kryer.

“Kishte 250 media të angazhuara, 320 përfaqësues medial, 1536 mysafirë nga 47 shtete, në total më shumë se 130.000 shikues nga 59 shtete. Në platformë janë shfaqur 197 filma nga 56 shtete, prej të cilëve 64 kishin premierën botërore, ndërsa tetë atë ndërkombëtare”, thotë Andrijana Copf, zëdhënëse e Sarajevo Film Festival.

Për çmimin prestigjioz “Zemra e Sarajevës” në garë ishin 49 realizime filmike, por më i miri ishte “Ekzili”. Festivali është mbyllur me filmin “Përqendrohu, babë”, në projeksion të mbyllur për ekipin dhe partnerët e Festivalit.

“Tani vërtet ndihem disi shkëlqyeshëm, e di që nuk e kemi punuar një film kot, se kemi reagime të shkëlqyeshme. Ndihem disi më lehtë dhe marrë frymë më mirë. SFF është një prej shtyllave kryesore të kinematografisë boshnjake edhe për premierën, edhe për distribuimin e filmave. Dikur moti e kam krahasuar dhe nuk kam ndryshuar mendimin, për ne krijuesit e filmave SFF është ajo që për disa shtete të suksesshme është oda ekonomike edhe përballë vendit, edhe përballë shteteve të tjera. Ta vlerësosh rëndësinë e SFF-së është e zorshme dhe nuk e di çka do të bënim pa të!” – deklaron regjisori Pjer Zhalica.

Edicioni i parë i Sarajevo Film Festival është mbajtur derisa qyteti ishte nën shtetrrethim. Edicioni i këtij viti, thonë organizatorët, në disa aspekte ishte më kërkues për realizim. Për këtë arsye SFF beson se ky është edicioni i parë dhe i fundit i tij pa publik, që sallat e kinemave do të hapen sërish për t’u mbushur plot me mysafirë nga e gjithë bota, që sërish do të mblidhen në Sarajevë.