Via Balcanica

Çka hanë kosovarët?

Kohët moderne kanë sjellë edhe ndryshime në stilin e jetës, përfshirë ushqimin. Për shumëkënd, sidomos në qytetet e mëdha siç është Prishtina, koha e mëngjesit dhe drekës nuk kalohet më me ushqim tradicional të përgatitur në shtëpi. Por, edhe pse një numër prishtinasish preferon ushqimet e shpejta, ka që nuk e kanë ndërruar preferencën, edhe nëse nuk ushqehen në shtëpi.

Avulli i fasules derisa u shërbehet klientëve vërehet nga jashtë falë derës së hapur të gjellëtores “Prizreni” në lagjen “Bregu i Diellit” të kryeqytetit. Koha e drekës i ka sjellë me vete goxha shumë klientë këtij biznes që shërben kryesisht ushqime tradicionale.

Në mesin e myshterinjve është edhe Sokol Mustafa.

Ai është konsumues i rregullt i ushqimeve të gjellëtores, pavarësisht se vet udhëheq një biznes që merret me përgatitjen e ushqimeve të shpejta. Derisa po e shijon fasulen e nxehtë të shoqëruar me një sallatë, Sokoli si klient i rregullt thotë se i pëlqen edhe gullashi e ushqimet tjera tradicionale.

“Ushqimet çdo ditë i ndryshoj. Sot ha fasule me qebapë, kështu që nesër për shembull ha gullash, oriz, të gjitha ushqimet i shijoj. Të them të drejtën unë vetë merren me ushqime të shpejta, sepse kam një lokal. Ushqimet e shpejta i ha në lokalin tim, kurse këtu vij për të ngrënë ndonjë gjellë”, shprehet Sokoli, derisa lugë pas luge e zbraz pjatën me gjellën e tij të preferuar.

Një tavolinë para Sokolit është i ulur Arlind Gashi, një klient tjetër, i cili bashkë me tre miq të tij po e shijojnë vaktin e drekës. Arlindi thotë kësaj radhe ka zgjedhur të hajë mish të kombinuar, por shton se mundohet që mos t’i lë anash gjellërat.

“Kur jemi në Prishtinë me punë zakonisht hamë ushqime tradicionale, ndonjë gjellë rrallë. Më shumë na bie që të hamë qebapë, suxhuk e ushqime të tilla”, tregon Arlindi.

Pronari i gjelltores, Selami Fejziu thotë se pothuajse gjatë nëntë dekadave në këtë veprimtari, fasulja e gullashi janë dy nga gjellët më të kërkuara.

“Këto janë dy gjellët që më së shumti i hanë kosovarët, por shpeshherë i kombinojnë fasulen dhe gullashin. Kemi edhe ushqimet e skarës që janë qoftet e që i përdorin shumë, mishi i bardhë, suxhuku i shtëpisë, mirëpo edhe gjellët e tjera si specat e mbushur, musaka, pireja, orizi, pastaj edhe kofshët i preferojnë”, thotë Fejziu.

Kosovarët, sipas Fejziut, vështirë se mund t’i zëvendësojnë fasulen e gullashin me ushqime të tjera. “Besoj që nuk do t’i ndërrojnë për një kohë të gjatë, sepse nuk kanë arsye pse t’i ndërrojnë, pasi që janë gjella të ziera e të shëndetshme. Në bazë të asaj që kam lexuar, preferohet që dy ose tri herë të hahet fasulja brenda javës, si dhe mishi i zier e gjellët e tjera. Pse me i lënë këto?”, shton Fejziu.

Kur shtron pyetjen se pse duhet të mos konsumohen këto ushqime, Fejziu kthehen 20 vjet prapa dhe kujton se si përfaqësuesit e shteteve ndërkombëtare që vinin për të punuar në Kosovë, i pëlqenin ushqimet tradicionale po aq sa kosovarët.

“Nga përvoja mund të flas që prej vitit 2000 kur kishte shumë frekuentues nga vendet perëndimore, ata i pëlqenin jashtëzakonisht gjellët dhe hanin çdo ditë fasule dhe gjellë të tjera sepse u ambientuan dhe ushqeheshin sikur ne kosovarët”, tregon tutje Fejziu.

Menyja e ushqimeve tradicionale që kosovarët i kërkojnë është e gjatë. Shumë specialitete nga kjo meny shërbehen në restorantin “Tiffany” në kryeqytet.

Gjatë mëngjeseve, sipas pronares së restorantit, Florentina Beqiri – Zhubi, kërkohen kryesisht ushqime të lehta.

“Çorba është ushqimi i cili te kërkohet kërkohet gjatë tërë ditës, i cili e cila përgatitet me mish viçi dhe perime. Zakonisht në mëngjes shkon më tepër, pastaj gjatë ditës varësisht prej familjes se si është e mësuar të hajë supë para drekës ose vetëm çorbë në drekë. Është një prej ushqimeve që kërkohet shumë, sepse është i lëngshëm dhe i përgatitur me lëng të mishit dhe i plotëson disa nevoja të njerëzve, disa vitamina të cilat u duhen gjatë ditës. Pastaj është samuni me suxhuk, i cili nuk ka qenë traditë në restorante më herët. Këtë e kemi futur në meny në vitin 2000, kur e kemi hapur restorantin pas bombardimit dhe ka pasur shumë sukses, sepse ka qenë ushqim shumë i kërkuar sidomos në Gjakovë. Vezët provojmë të jenë vezë të fshatit, të shëndetshme. Ajvari është shërbyer zakonisht dimrit, por tash po ka mundësi të shërbehet gjatë tërë vitit, sepse ka përparuar teknologjia. Djathi është pjesë e pandashme e menysë jo vetëm e restorantit, por edhe e çdo tryeze familjare”, thotë Beqiri – Zhubi.

Ajo tregon se në drekë ka kërkesa të tjera.

“Përveç çorbës, specat me kajmak gjatë tërë ditës kërkohen, pjekjet e viçit e qengjit të cilat shërbehen me oriz, patate, perime të tjera, Elbasan tava, sarma, mantia. Gjatë tërë ditës shërbehen këto që janë ushqime që i pëlqejnë shumë, varësisht prej njeriut, dikush e do mantinë, dikush Elbasanin, dikush pjekjen ose i kombinojnë. Në shumicën e rasteve kur janë më shumë persona porosisin prej secilit nga pak dhe pastaj e kombinojnë në pjatë. Kombinimi në pjatë është prej traditës, sepse te ne në gëzime apo hidhërime kur është bërë sofra, ajo ka pasur laramaninë e gjellëve. Në një pjatë janë shërbyer disa lloje të gjellëve për të treguar se është gëzimi apo hidhërimi i madh”, shprehet Beqiri – Zhubi.

Për përgatitjen e ushqimeve të shijshme gjithmonë kërkohen përbërës të freskët, të cilët në masë të madhe ofrohen nëpër tregje. I mbushur me të tillë përbërës është edhe tregu afër ndërtesës së komunës së Prishtinës.

Një nga shitësit në këtë treg është Esat Shala, i cili derisa tregon se cilat pemë dhe perime blihen më shumë nga kosovarët, shfrytëzon kohën edhe për t’i larguar gjethet e vjeshtës që tek-tuk ia kanë mbuluar produktet.

“Të gjitha nga pak shiten. Tash është koha e specave, domateve, trangujve. Prej pemëve kërkohen mollët, dardhat, ftonjtë, kurse kumbullat kanë përfunduar më herët”, thotë Shala.

Prej frutave tregut ka nisur t’i shtohet mandarina, e zakonshme në këtë periudhë të vitit. Shitësit thonë se kërkesat e konsumatorëve për ushqime të shëndetshme qoftë nga ekonomitë familjare apo ato të bizneseve kanë bërë që tregu të pasurohet edhe me pemë e perime të njohura për vlera të larta ushqyese. Këtu, ndër të tjera, ata përmendin bokolin, lulelakrën e avokadon.

Ndërsa në anën tjetër, Florentina Beqiri–Zhubi thotë se shija e kosovarëve nuk ka ndryshuar gjatë 20 vjetëve të fundit dhe për ta argumentuar këtë ka një tregim interesant.

“Kryesisht kërkohen ushqimet e njëjta. Është një gjë interesante, fëmijët që në vitin 2000 kanë qenë 4 ose 5-vjeçarë dhe që prindërit i kanë marrë me vete në restorant dhe i kanë imponuar pak a shumë shijen, sepse është kryesisht secila shtëpi te ne në Kosovë e ka këtë shije, kurse tash fëmijët e atëhershëm tash të rritur, vijnë dhe i kërkojnë të njëjtat ushqime që i kanë ngrënë si fëmijë. Do të thotë janë duke e vazhduar shijen e traditës”, thotë Beqiri–Zhubi.

Kosova nuk ka të dhëna zyrtare të publikuara vitin e fundit lidhur me produktet që konsumojnë kosovarët. Publikimi i fundit për këtë çështje nga Agjencia e Statistikave të Kosovës është i vitit 2017, i cili tregon se produkti që konsumohet më së shumti nga kosovarët është mishi.