Kembrixh - Pasi Joe Biden arriti fitoren në zgjedhjet presidenciale amerikane pas disa ditësh me rezultatin pezull, vëzhguesit e demokracisë amerikane po hamendësojnë. Bazuar në anketa, shumëkush kishte pritur një lumë votash për demokratët, që partia do ta merrte jo vetëm Shtëpinë e Bardhë, por edhe Senatin. Si ia arriti Donald Trumpi që ta mbante mbështetjen e kaq shumë amerikanëve – duke marrë edhe më shumë vota sesa para katër vjetësh – pa marrë parasysh rrenave të tij, korrupsionit të dukshëm dhe menaxhimit katastrofik të pandemisë?
Rëndësia e kësaj pyetjeje shkon përtej politikave amerikane. Partitë qendrore - të majta çdokund janë duke u munduar t’i rigjallërojnë fitimet e tyre elektorale kundër popullistëve të krahut të majtë. Edhe pse Biden është thellësisht i qendrës, platforma e partisë Demokratike ka lëvizur konsiderueshëm në të majtën – të paktën sipas standardeve amerikane. Një fitore vendimtare e Partisë Demokratike do të ishte një gëzim i veçantë për të majtët: ndoshta gjithë çfarë duhet për të fituar është kombinimi i politikave progresive ekonomike me bashkimin e vlerave demokratike dhe dinjitetin bazik njerëzor.
Tashmë ka filluar debati se si demokratët kanë mundur të dalin më mirë. Fatkeqësisht, fitorja e tyre e ngushtë nuk prodhoi mësime të lehta. Politikat amerikane sillen rreth dy boshteve: kulturë dhe ekonomi. Në të dy grupet e çështjeve mund të gjejmë njerëz që i fajësojnë demokratët se kanë shkuar shumë larg dhe ata që i fajësojnë se nuk kanë shkuar mjaftueshëm larg.
Luftërat e kulturës i fusin rajonet konservative sociale, kryesisht ato të bardha, kundër zonave metropolitane ku të ashtuquajturat qëndrimet “e zgjuara” janë rritur deri në mbizotërim. Në një anë kemi vlerat familjare, kundërshtimet ndaj abortit dhe të drejtat për armë. Në anën tjetër, kemi të drejtat e komunitetit LGBT, drejtësinë sociale dhe kundërshtimet ndaj “racizmit sistematik”.
Shumë njerëz që e kanë votuar Trumpin e kanë parë mbështetjen e demokratëve ndaj protestave të këtij viti në rrugë kundër brutalitetit të policisë si dhunë e falur dhe që e ka mbuluar tërë vendin me furçën e racizmit. Përderisa Biden ishte i kujdesshëm kur fliste kundër dhunës, demokratët u bënë të prekshëm ndaj akuzave të madhështisë morale dhe denigrimit të vlerave të qendrës. Për të tjerët, mbështetja e vazhdueshme për Trumpin thjesht e konfirmon se sa i ngulitur është racizmi, fanatizmi dhe nevoja urgjente e Partisë Demokratike për t’i luftuar ato.
Sa i përket ekonomisë, shumë vëzhgues, përfshirë edhe disa demokratë qendrorë, besojnë se partia i largoi votuesit konservativë duke shkuar shumë kah e majta. Ç’është e vërteta, republikanët nxitën frikën për taksa të larta, për ligje mjedisore që mbysin vende pune dhe për mjekësi sociale. Në të dy partitë kryesore politike në ShBA, miti amerikan i sipërmarrësit të vetmuar, i cili e jep më të mirën nga vetja përderisa qeveria s’bën asgjë, është ende gjallë e mirë.
Në anën tjetër të medaljes, përparimet argumentojnë se Bideni bëri fushatë me propozime që ishin shumë radikale sipas standardeve të vendeve të tjera të zhvilluara. Ai ishte, mbi të gjitha, i vendosur t’i cilësonte zgjedhjet si referendum ndaj Trumpit, jo një test i mbështetjes për një agjendë alternative. Ndoshta Bernie Sanders apo Elizabeth Warren, që patën theksin më së shumti te vendet e punës, siguria ekonomike dhe ridistribucioni, ishin më në rrjedha me aspiratat e shumicës së amerikanëve.
Pasi që zgjedhjet janë mbajtur në mesin e një pandemie vdekjeprurëse, është e mundshme se strukturat e votimit ishin udhëhequr nga një përzierje e konsiderimeve shëndetësore dhe ekonomike, vetëm lirshëm të lidhura me këto debate. Disa njerëz brenda Partisë Demokratike besojnë se votuesit mund të jenë të shqetësuar rreth çmimit ekonomik të izolimit dhe ligjeve më agresive kundër COVID-19 që janë avokuar nga demokratët. Nëse është kështu, argumentet më lart janë shumë të diskutueshme.
Për ta përmbledhur, është e qartë se zgjedhjet nuk e zgjidhin debatin shumëvjeçar rreth asaj se si Partia Demokratike dhe partitë e tjera qendrore-majtiste duhet të vendosen në çështjet kulturore dhe ekonomike për ta rritur fuqinë e tyre elektorale. Por, as që e ndryshojnë thellësisht ndryshimin me të cilin përballen këto parti. Liderët politikë të së majtës duhet ta përshtatin një identitet më pak elitist dhe disa rregulla më kredibile ekonomike.
Ashtu sikurse Thomas Piketty, së bashku me të tjerët, ka theksuar se partitë e së majtës janë bërë shumë parti të elitave të edukuara metropolitane. Pasi baza e tyre tradicionale e klasës punëtore ishte gërryer, ndikimi i profesionistëve të globalizuar, industrisë financiare dhe interesave të korporatave është rritur. Problemi nuk është se këto elita zakonisht i favorizojnë politikat ekonomike që i lënë prapa klasat e mesme, klasat e mesme të ulëta dhe rajonet e izoluara. Është gjithashtu edhe se izolimi i tyre kulturor, social dhe hapësinor i bënë të paaftë për t’i kuptuar dhe theksuar pikëpamjet botërore të të varfërve. Një simptomë treguese është se sa lehtë elita kulturore i lëçit më shumë se 70 milionë amerikanë të cilët e kanë përkrahur Trumpin në këto zgjedhje duke i portretizuar si njerëz të zhytur në errësirë, që votojnë kundër interesave të tyre.
Sa i përket ekonomisë, e majta ende nuk ka përgjigje të duhur për pyetjen e nxehtë të kësaj kohe: Nga do të vijnë punët e mira? Vënia e taksave më progresive, investime në edukim dhe infrastrukturë dhe sigurimi shëndetësor janë kritike. Por nuk janë të mjaftueshme. Punët e mira për klasës punëtore janë duke u pakësuar për shkak të trendëve në teknologji dhe globalizimit. Dhe COVID-19 e ka thelluar polarizimin e tregut të punës. Kemi nevojë për një strategji më proaktive nga qeveria që ka cak drejtpërdrejt rritjen e vendeve të mira të punës.
Komunitetet ku vendet e mira të punës zhduken e paguajnë një çmim që shkon përtej ekonomisë. Varësia ndaj drogës, shkatërrimi i familjes dhe krimet rriten. Njerëzit lidhen më shumë me vlerat tradicionale, janë më pak tolerantë ndaj të huajve dhe priren t’i mbështesin burrat më autoritarë. Pasiguria ekonomike shkakton apo rëndon vijat kulturore dhe raciste.
Mbetet në dorën e partive të majta që të zhvillojnë zgjidhje me programe ndaj këtyre problemeve shumë të thella ekonomike. Por, zgjidhjet teknokratike mund të shkojnë shumë larg. Duhen ndërtuar shumë ura për t’i tejkaluar çarjet për të cilat elitat kulturore janë goxha përgjegjëse. Përndryshe, demokratët mund të jenë gati për një zgjim të vrazhdë katër vjet nga tash.
(Dani Rodrik, profesor i Ekonomisë Politike Ndërkombëtare në Shkollën e Qeverisë të John F.Kennedy në Universitetin e Harvardit, është autor i “Straight Talk on Trade: Ideas for a Sane World Economy”. Opinioni është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)