OpEd

Zhvillimi i ekonomisë po anon kah Veriu

Kur ekonomistët flasin për konvergjencën globale, ajo që ata zakonisht kanë parasysh është se ekonomitë në zhvillim rriten më shpejt se ekonomitë e përparuara dhe të ardhurat e të varfërve të botës rriten në nivele në ekonomitë më të pasura. Ironia në ditët e sotme është se ne po përjetojmë konvergjencë në rënie dhe jo në rritje. Problemet e vendeve të zhvilluara ngjajnë gjithnjë e më shumë me problemet e vendeve të varfra. Modelet dhe kornizat e përdorura për të studiuar ekonomitë në zhvillim janë gjithnjë e më të rëndësishme për problemet me të cilat përballen vendet e pasura

Në zemër të ekonomisë në zhvillim qëndron ideja e “dualizmit produktiv”.

Ekonomistët që themeluan fushën e ekonomisë së zhvillimit, të tillë si ekonomisti i Karaibeve, nobelisti W. Arthur Lewis, vunë në dukje se ekonomitë e vendeve të varfra janë të ndara midis një sektori të ngushtë “modern” që përdor teknologji të avancuara dhe një sektori “tradicional” shumë më të madh të karakterizuar nga produktiviteti jashtëzakonisht i ulët.

Dualizmi u konsiderua prej kohësh si tipari përcaktues i vendeve në zhvillim, në ndryshim nga vendet e zhvilluara, ku teknologjitë kufitare dhe produktiviteti i lartë supozohej se mbizotëronin në të gjithë ekonominë. Kjo shënoi ekonominë e zhvillimit si një degë të veçantë të disiplinës, e ndarë nga ekonomia konvencionale neoklasike.

Politika e zhvillimit, nga ana tjetër, u fokusua tradicionalisht në tejkalimin e pabarazive në të ardhura, arsim, shëndetësi dhe mundësi për jetë më gjerësisht. Detyra e saj ishte të kapërcejë dualizmin produktiv përmes marrëveshjeve të reja institucionale që do të ndryshonin mënyrën se si funksionojnë tregjet dhe do ta zgjeronin qasjen në mundësitë prodhuese.

Teksa ky dallim mund të ketë pasur pak kuptim në vitet 1950 dhe 1960, ai nuk duket më të jetë i rëndësishëm. Së pari, metodat e përdorura për t’i studiuar vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim janë shkrirë në thelb: ekonomia e zhvillimit sot është në thelb aplikimi i kornizave standarde të financave publike, ekonomisë së punës, ekonomisë industriale ose makroekonomisë në mjedise pune me të ardhura të ulëta. Mirëpo, ndoshta më e rëndësishmja dhe më interesantja, dualizmi produktiv është bërë një tipar kritik dhe i dukshëm i ekonomive të përparuara gjithashtu, duke kërkuar zgjidhje që dalin drejtpërdrejt nga kutia e mjeteve të politikave të zhvillimit.

Në librin e tij të vitit 2017, “The Vanishing Middle Class”, historiani ekonomik i MIT, Peter Temin, ka theksuar se modeli i Lewis i një ekonomie të dyfishtë ishte bërë gjithnjë e më i rëndësishëm për kushtet në Shtetet e Bashkuara. Një kombinim i forcave – deindustrializimi, globalizimi, teknologjitë e reja që favorizuan profesionistët dhe kapitalistët dhe rënia e mbrojtjeve për fuqinë punëtore – kanë prodhuar me të vërtetë një hendek në rritje mes fituesve dhe atyre që kanë mbetur pas. Konvergjenca midis pjesëve të varfra e të pasura të ekonomisë u ndalua, arritjet arsimore polarizuan gjithnjë e më shumë tregjet e punës, kurse pabarazitë rajonale u zgjeruan.

Në Evropë, rritja e pabarazisë nuk ishte aq e theksuar, për shkak të një shteti më të fortë të mirëqenies, mirëpo të njëjtat forca vepruan edhe atje. Boshllëqet midis liderëve dhe atyre që ngelen midis firmave dhe rajoneve u rritën dhe klasa e mesme u tkurr.

Si rezultat, politikëbërësit në ekonomitë e përparuara tani po përballen me të njëjtat pyetje që i kanë preokupuar prej kohësh ekonomitë në zhvillim: si të tërheqin investime, të krijohen vende pune, të rriten aftësitë, të nxisin sipërmarrjen dhe ta përmirësojnë qasjen në kredi e teknologji – me pak fjalë, si të mbyllet hendeku me pjesët më të avancuara e më produktive të ekonomisë kombëtare.

Pikat e fillimit mund të jenë të ndryshme, mirëpo problemet e një rajoni ku punët e mira janë zhdukur duken shqetësime të njohura për një ekonomi në zhvillim: punësimi i paktë produktiv, problemet sociale në rritje si krimi dhe abuzimi me substancat, dhe besimi i ulët te qeveria midis grupeve të ndryshme shoqërore, si dhe ndaj komunitetit të biznesit. Pengesat që duhet t’i kapërcejnë pakicat racore ose etnike, emigrantët kohëve të fundit ose punëtorët me arsim të ulët në mjedise të tilla janë buka e madhe e ekonomisë së zhvillimit.

Për të qenë të sigurt, lokalitetet e lëna pas, në ekonomitë e përparuara mund të kenë qasje në burime shumë më të mëdha financiare. Në SHBA, qeveritë shtetërore dhe lokale shpenzojnë dhjetëra mijëra dollarë për stimuj tatimorë dhe subvencione të tjera në mënyrë që të tërheqin firma të mëdha. Mirëpo zyrtarët e tyre zakonisht veprojnë nën kufizime strukturore dhe burokratike që do të ishin të njohura për homologët e tyre në vendet e varfra. Siç u shpreh së fundmi edhe një praktikues me përvojë amerikane në takimin e mbajtur në Universitetin e Harvardit: “Ne jemi në qendër të gjithçkaje, ama nuk kontrollojmë asgjë”.

Ata gjithashtu përballen me kufizime të ngjashme në mjetet juridike në dispozicion. Industrializimi ka qenë mjeti tradicional për tejkalimin e dualizmit; teksa punëtorët absorbohen në aktivitete prodhuese më produktive, pagat rriten dhe produktiviteti i përgjithshëm i ekonomisë rritet. Por, si në ekonomitë në zhvillim ashtu edhe në ato të përparuara, prodhimi ka humbur aftësinë e tij për të krijuar shumë vende pune, për shkak të automatizimit dhe inovacioneve të tjera që kursejnë fuqinë punëtore. Punësimi në prodhim është tkurrur edhe në vendet që kanë ruajtur sektorë të fortë industrialë, si Koreja e Jugut apo Gjermania.

Andaj, në vendet me të ardhura të larta dhe të ulëta, zhvillimi ekonomik do të duhet të mbështetet në të ardhmen shumë më tepër në shërbimet dhe në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Të dy llojet e ekonomive do të kenë nevojë për një lloj të ri politikash të koordinuara që synojnë anët e ofertës dhe kërkesës në tregjet e punës, duke i kombinuar programet e trajnimit të aftësive me mbështetjen për firmat. Punët e mira kërkojnë firma të mira dhe anasjelltas.

Kornizat e politikave kombëtare do të duhet të mbështesin këto eksperimente produktive lokale me burime dhe politika makroekonomike aftësuese. Në veçanti, kjo nënkupton rishqyrtimin e politikave kombëtare të inovacionit që inkurajojnë butësisht ndryshimet teknologjike që janë të njëanshme në favor të kapitalit dhe profesionistëve me arsim të lartë. Një vështrim i ri në drejtimin e inovacionit dhe nxitja e teknologjive që rritin në vend që të zëvendësojnë aftësitë mbizotëruese të fuqisë punëtore, do të ndihmonte shumë në adresimin e sfidave të tregut të punës me të cilat përballen vendet e pasura dhe të varfra.

Kur ekonomistët flasin për konvergjencën globale, ajo që ata zakonisht kanë parasysh është se ekonomitë në zhvillim rriten më shpejt se ekonomitë e përparuara dhe të ardhurat e të varfërve të botës rriten në nivele në ekonomitë më të pasura. Ironia në ditët e sotme është se ne po përjetojmë konvergjencë në rënie dhe jo në rritje. Problemet e vendeve të zhvilluara ngjajnë gjithnjë e më shumë me problemet e vendeve të varfra. Modelet dhe kornizat e përdorura për të studiuar ekonomitë në zhvillim janë gjithnjë e më të rëndësishme për problemet me të cilat përballen vendet e pasura.

(Autori, profesor i Ekonomisë Politike Ndërkombëtare në Shkollën e Qeverisjes John F. Kennedy të Universitetit të Harvardit, është president i Shoqatës Ekonomike Ndërkombëtare dhe autor i “Straight Talk on Trade: Ideas for a Sane World Economy” (Princeton University Press, 2017). Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)