Rusia e Putinit mund ta zgjidhte modernizimin, në vend të vrasjes. Prijësi politik i Putinit, Bashkimi Sovjetik, gjithashtu kishte ndjekur shtegun e fundit dhe Rusia e së sotmes i ngjan përherë e më shumë ish-BRSS-së, të prirë asokohe nga një burrë tjetër i KGB-së, Yuri Andropov. Rusia ka arritur në Ukrainë pikërisht aq sa ish-Bashkimi Sovjetik kishte arritur në luftën e viteve 1979-89 në Afganistan. Tani, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka njoftuar se Rusia do ta fillojë tërheqjen e trupave të saj nga rajoni kufitar i Ukrainës. Qartazi, fjalimi i Putinit përnjëmend ishte i tëri vetëm zhurmë e furi, për të sinjalizuar se ai po e humbasë ndikimin si brenda ashtu edhe jashtë vendit
Adresimi i fundit vjetor i presidentit rus, Vladimir Putin, përpara kombit të tij ishte aq dukshëm kërcënues sa tingëllonte qetësues. Ai jo vetëm se ia ndaloi Perëndimit që t’ia kalonte vijat e kuqe; por madje shpalli se vetë ai do të përcaktojë se ku janë këto vija. Nuk ka specifikuar nëse do ta informojë ndokënd tjetër – sikur të ishte përherë krijuesi, e jo politikanët, që i përcaktoi vijat e kuqe më herët.
Ai qartazi luajti me veten – pa dyshim se jo me topitjen kronike të Perëndimit. Të paktë janë ata që do t’i besojnë Putinit, kur ai sugjeron se Rusia është e kërcënuar nga fuqia e Bashkimit Evropian, e cila nuk mund të ballafaqohet as me Hungarinë. E njëjta vlen edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ani pse administrata e presidentit, Joe Biden, veçse i ka zbatuar sanksione Rusisë, ato duken të jenë edhe më simbolike sesa ato të përgatitura nga Donald Trumpi – presidenti i zgjedhur me ndihmën e Rusisë. Me sanksionet e reja, rubla ruse është zhvlerësuar për dy ditë radhazi, por mandej është ngritur në vlerë.
As vetë rusët nuk do t’i konsiderojnë kërcënimet e Putinit si bindëse. Kjo nuk do të thotë se ata do të nxitojnë që ta rrëzojnë (veprimet e tilla përherë kanë nënkuptuar telashe, rëndom duke rezultuar me një regjim akoma më të keq). Por ka pak indikacione se rusët do të përgjigjen sikurse janë përgjigjur pas aneksimit të Krimesë, kur popullariteti i Putinit preku kulmin.
Mbi të gjitha, rrëmbimi rus i Krimesë dhe i rajonit lindor ukrainas, Donbas, nuk i ka sjellë dobi Rusisë apo popullit të saj. Pas zaptimit dhe shkatërrimit të 7 për qind të territorit të Ukrainës, Kremlini tani duhet që t’i mbajë këto territore të fituara nëpërmjet financimit të mercenarëve, duke ndërtuar infrastrukturë shtesë (sikurse urën gjigante nga mëmëdheu rus drejt Krimesë), dhe duke u paguar beneficione banorëve lokalë që nuk janë në gjendje të jetojnë apo të punojnë normalisht.
Për më tepër, Rusia e ka humbur – mbase përgjithmonë – vullnetin që e gëzonte dikur mes shoqërisë ukrainase, e cila ka funksionuar historikisht përbrenda sferës së kulturës ruse. (Po i njëjti lloj i “divorcit” kulturor tani është duke ndodhur në Bjellorusi). Ukrainasit shikonin televizione ruse, dëgjonin muzikë ruse dhe blinin produkte ruse të konsumit; rrallë ndokush – të paktën në lindje të Kievit – ishte i kënaqur me identitetin ukrainas. Por krejt kjo tani ka ndryshuar. Asnjë politikan ukrainas nuk ka bërë aq shumë sa Putini për t’i bashkuar ukrainasit përreth idesë së kombësisë ukrainase.
Agresioni i Rusisë gjithashtu e ka çuar Ukrainën drejt zgjerimit dhe konsolidimit të ushtrisë së saj, kërkimit të integrimit më të madh kulturor, ekonomik dhe politik me Perëndimin, si dhe ndërmarrjes së reformave të brendshme (megjithëse plogësht). Putini ia ka dalë madje që t’i shndërrojë politikanët pro-rusë, sikurse presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në heronj të betejës për pavarësi nga Rusia.
E arritura e radhës e liderit rus sipas të gjitha gjasave do të shpërfaqet në formën e shifrave të përmirësuara zgjedhore për partinë politike të Zelenskyt, pasuar nga rizgjedhja e tij. Me platformën opozitare proruse – partia “Për jetën” aktualisht prin në sondazhe, ky rezultat dukej i pamundur deri para pak kohësh. Por Putini, ky njeri i mrekullive, ka bërë çmos që të garantojë se forcat e ndërlidhura me Rusinë do të humbin mbështetje.
Gjetkë, lista e zgjeruar e të arriturave të Putinit përfshin rrënimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike me Republikën Çeke, e cila ka dëbuar së fundi 60 diplomatë rusë. Para zbulimeve se Kremlini qëndronte prapa shpërthimit në një depo çeke të municioneve në vitin 2014 që la të vdekur dy persona, presidenti i vendit, Milos Zeman, ishte mbase politikani më pro-rus në Evropë, ndërsa kryeministri Andrej Babis në të shkuarën e kishte refuzuar zgjerimin e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Republika Çeke tani e ka përjashtuar “Rosatomin”, korporatën shtetërore ruse të energjisë bërthamore, edhe prej tenderëve të saj të prokurimit publik. Dhe, duke i pasur parasysh kapardisjet e tij të fundit, Putini mund ta harrojë opsionin e shpërndarjes së vaksinës së prodhimit rus kundër COVID-19 “Sputnik V” nëpër BE.
Po kështu, gazsjellësi “Nord Stream 2” që parashihet ta përçojë gazin natyror rus në Gjermani nëpërmjet Detit Baltik, tani po varet në fije të perit. Nëse projekti nuk kompletohet deri në zgjedhjet federale të Gjermanisë në shtator, atëherë mund të shndërrohet në një atraksion thjesht turistik për zhytësit. Të Gjelbrit e Gjermanisë aktualisht janë duke prirë theksueshëm nëpër sondazhe dhe, si shtypi gjerman ashtu edhe shoqëria, duan që projekti të ndalet. Edhe nëse gazsjellësi do të kompletohet tërësisht, siç pretendon Maxim Samorukovi i Qendrës Carnegie në Moskës, vështirë se mund të besohet se do të jetë plotësisht i përdorshëm, duke pasur parasysh faktin se synimi fillestar i tij (për Rusinë) ishte përjashtimi i Ukrainës.
Ndonëse nuk e dimë koston e saktë të vendosjes së fundit të pothuajse 150.000 ushtarëve të Rusisë, të pajisur rëndë dhe me spitale fushore në kufi me Ukrainën, nuk ka dyshim se gjithë kjo i ka shkaktuar shpenzime të konsiderueshme një ekonomie që e kap një madhësi pothuajse sa të New Yorkut. Rusët janë jashtëzakonisht të vetëdijshëm për këto kosto. Pasi që janë përballur me dhjetë vjet të rënies së thellë të pagave (nxitur nga inflacioni), të paktë janë ata që ende gjejnë motivim në kapardisjet e fundit të Putinit.
Nuk duhej të ishte kësisoj. Rusia e Putinit mund ta zgjidhte modernizimin, në vend të vrasjes.
Prijësi politik i Putinit, Bashkimi Sovjetik, gjithashtu kishte ndjekur shtegun e fundit dhe Rusia e së sotmes i ngjan përherë e më shumë asgjëje më shumë sesa ish-BRSS-së, të prirë asokohe nga një burrë tjetër i KGB-së, Yuri Andropov. Rusia ka arritur në Ukrainë pikërisht aq sa ish-Bashkimi Sovjetik kishte arritur në luftën e viteve 1979-89 në Afganistan.
Tani, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka njoftuar se Rusia do ta fillojë tërheqjen e trupave të saj nga rajoni kufitar i Ukrainës. Qartazi, fjalimi i Putinit përnjëmend ishte i tëri vetëm zhurmë e furi, për të sinjalizuar se ai po e humb ndikimin si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
(Sławomir Sierakowski, themelues i lëvizjes “Krytyka Polityczna”, është drejtor i Institutit për Studime të Avancuara në Varshavë dhe anëtar i lartë i Këshillit Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).