OpEd

Zhbetonimi i mendjes

Grupi për mbrojtjen e Liqenit të Badovcit ka premtuar se në qoftë se nuk revokohen vendimet e paligjshme për betonimin e brigjeve të tij do ta çojnë çështjen në gjykatë dhe nuk do ta ndalin reagimin qytetar. Një sukses tashmë e kanë arritur. Zhbetonimin e të menduarit kolektiv se iniciativat qytetare nuk mund të sjellin ndryshimin

Ka rreth tridhjetë vjet që qytetarët e New Yorkut nuk e shfrytëzojnë një rezervuar uji që ndodhet në zemër të qytetit, në Parkun Qendror.

Në vitin 1993 rezervuari që furnizonte me ujë një pjesë të kryeqytetit botëror u “pensionua” shkaku i vjetërsisë së rrjetit të shpërndarjes që rrezikonte sigurinë e ujit. Për një kohë u ruajt si ujëmbledhës rezervë e më vonë u konservua dhe u kthye në atraksion turistik.

Në rrokaqiellin përballë Parkut Qendror banonte ish-zonja e parë e Amerikës, Jacqueline Kennedy Onassis. Dritaret e banesës së saj shikonin nga rezervuari i ujit, i rrethuar me grila metalike, dhe ajo vraponte çdo ditë në shtegun përreth tij.

Rezervuari, që ka shumë vizitorë e ku xhirohen edhe skena filmash, që nga konservimi mban emrin e ish-zonjës së parë - si nderim për kontributin e saj në mbrojtjen nga ndryshimet arkitekturore të ndërtesës ikonike Grand Central Terminal dhe protestave të saj kundër ndërtimit të strukturave që do t’ia prishnin bukuritë natyrore Parkut Qendror.

Kosova nuk ka pasur e as nuk ka zonjë të parë që angazhohet për mbrojtjen e ndonjë parku natyror, apo të ndonjë kauze politike a sociale në të mirë të komunitetit. Por e ka një rezervuar uji që po rrezikohet jo nga vjetërsia e rrjetit, por nga mendjet e betonta të zyrtarëve komunalë e ministrorë, të cilët e kanë për detyrë që ta mbrojnë. Por ata e kanë nxjerrë në pazar.

Ka njëzet vjet që betoni, tullat e armatura po përpijnë rrugë, drunj e gjelbërim dhe po ndotin e po thajnë lumenj e liqene. Mafia e ndërtimit në bashkëpunim me qeveritarët sapo ta identifikojnë një hapësirë publike apo ndonjë resurs natyror prej nga mund të nxjerrin para, nisin betejat për të fituar qoftë edhe kundërligjshëm të drejtën e shfrytëzimit të tyre apo edhe pronësinë mbi to. Zhdërvjelltësia me të cilën zyrtarët “notojnë” nëpër mangësitë ligjore është e habitshme. Shpesh vetë kujdesen që ligjet t’i përpilojnë me shumë mangësi e dykuptimësi që të mund t’i interpretojnë ashtu si u shkon për shtat interesave të tyre kur iu duhen.

Njoftimi i tre investitorëve privatë se do të fillojë ndërtimin e një kompleksi vilash luksoze rrëzë Liqenit të Badovcit, prej nga furnizohen me ujë të pijshëm 30 për qind e popullatës së rajonit të Prishtinës, është skandali i radhës që i shpërfaqi pikërisht keqinterpretimet që, rastësisht apo qëllimshëm, dy institucione kompetente ia bënë Ligjit mbi ndërtimet në zonat e mbrojtura përreth liqenit.

Ky skandal, njëherësh u bë shkëndija që nxori sheshit frustrimin dhe revoltën e akumuluar me vite të qytetarëve me mendjet e betonta qeveritare.

Të lodhur dhe të zhgënjyer nga zvarritja e pakuptimtë e formimit të Qeverisë nga dy partitë që fituan besimin e shumicës në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, qytetarët e kuptuan përfundimisht se nuk mund t’ua lënë në dorë fatin e një resursi shtetëror politikanëve dhe institucioneve të papërgjegjshme.

u mobilizuan që ta bllokojnë tentativën mafioze për gllabërimin e burimit të tyre jetik. Rreth 24 mijë veta u bashkuan në një grup në rrjetin social Facebook dhe filluan sensibilizimin e paparë më herët për rrezikun që i kanoset liqenit.

Është e mahnitshme shpejtësia e organizimit dhe gatishmëria e anëtarëve të grupit për të kontribuar me shembuj e sugjerime si të arrihet efekti më i shpejtë për ndalimin e ndërtimeve të paralajmëruara. Shumë dashuri e kujtime për liqenin u shprehën në grup gjatë një jave. Për banorët e Prishtinës dhe të fshatrave përreth Liqenit artificial të Badovcit nuk është vetëm një rezervuar uji. Si banorë të një qyteti pa lumë, shumë prej tyre kanë mësuar aty notin, kanë lozur dhe kanë shijuar bukuritë e liqenit në piknikët e fundjavave (paçka se shpesh e kanë lënë me plot mbeturina pas vetes, por kjo është temë tjetër).

Nostalgji dhe respekt shprehnin edhe për mundin dhe kontributin e gjyshërve apo prindërve në ndërtimin e liqenit nga mesi i viteve ‘60. “Ata na e lanë këtë pasuri të dobishme e ne çfarë do t’u lëmë pasardhësve tanë?”, pyeste ndonjëri. Do t’u lëmë beton dhe pyje e lumenj të shkatërruar, do të ishte përgjigja për këtë qytetar. Sepse nuk reaguam me kohë, por lejuam përfitues lufte dhe matrapazë që të na e shkatërrojnë para syve trashëgiminë e pasur natyrore dhe kulturore. Por çka është boll, është boll.

Liqeni i Badovcit preku në nerv dhe ringjalli aktivizimin qytetar të topitur për dy dekada. Me ndihmën e mediave (posaçërisht të “Kohës Ditore”) Grupi për mbrojtjen e Liqenit të Badovcit arriti t’ia nxjerrë sheshit gënjeshtrat Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si përgjegjëse për dhënie të lejeve të ndërtimit dhe mbrojtjen e burimeve ujore. Të gjendura nën presionin e madh publik, ato filluan t’ia hedhin fajin njëra-tjetrës për interpretime të “gabuara” të ligjeve dhe udhëzimeve administrative në dobi të investitorëve që po planifikojnë ndërtimin e vilave luksoze në Badovc.

qytetar ka konstatuar disa shkelje ligjore që i ka bërë Komuna e Prishtinës kur ua ka lëshuar kushtet e ndërtimit kompanive investuese, me udhëzimin, siç ka thënë, të Ministrisë së Mjedisit. Me veprimet dhe mosveprimet e veta që të dy institucionet nxisin dyshimin se kanë tentuar që “fshehtas” opinionit të lejojnë ndërtimet buzë liqenit me gjithë rrezikun që paraqesin ato për sigurinë e ujit, që Prishtina vazhdimisht e ka në deficit.

Ministria ka paralajmëruar se do ta anulojë vendimin e Komunës për dhënien e kushteve të ndërtimit nëse gjen shkelje procedurale. Edhe nëse e anulon vendimin për Badovcin, kjo nuk do ta amnistojë Ministrinë nga “krimet” që ka bërë me dhënien e pëlqimit dhe lejeve mjedisore në shumë raste të tjera anembanë Kosovës. Me vetëdije ajo i ka kontribuar degradimit natyror dhe shkatërrimit të biodiversitetit sidomos të lumenjve nga hidrocentralet që po ngrihen me miratimin e saj. Edhe Prokuroria nuk do të duhej të heshtte, por t’i përgjigjej thirrjes qytetare që të hetojë për keqpërdorimet e mundshme të pozitës zyrtare të qeveritarëve lokalë e qendrorë, në këtë rast dhe në raste të tjera.

Grupi për mbrojtjen e Liqenit të Badovcit ka premtuar se në qoftë se nuk revokohen vendimet e paligjshme do ta çojnë çështjen në gjykatë dhe nuk do ta ndalin reagimin qytetar. Nëse arrijnë t’i ndalin ndërtimet në brigjet e Badovcit, qytetarët e ndërgjegjshëm të vendit do të shënonin suksesin e parë të madh në mbrojtjen e pasurisë kombëtare. Një sukses tashmë e kanë arritur. Zhbetonimin e të menduarit kolektiv se iniciativat qytetare nuk mund të sjellin ndryshimin.

[email protected]