Ku më mirë se të ishim zgjua bletësh - ngase bletët janë punëtore dhe prodhojnë mjaltë - të shëndetshëm e të ëmbël. Por nuk jemi. Nuk tregohemi të tillë. Jemi nisur rrugës së të shndërruarit në parazitë, ngase më parë kënaqemi me një shumë të vogël ndihmash sociale sesa t'i përvjelim mëngët dhe të punojmë. Pa dyshim se shteti duhet të përkujdeset për mirëqenien e popullatës, porse jo që të gjitha paratë t'i çojë në skema të ndryshme sociale, nga buxheti i cili duhet mbushur nga sektori privat, tepër i goditur nga pandemia
Zgjedhjet komunale u mbajtën. Mirë dhe kryesisht pa incidente, por me dalje relativisht të ulët të votuesve. Përse? Mbase për shkak se fushatat katërjavore janë shumë të gjata, mbase për shkak se jemi ngopur duke i dëgjuar kandidatët me premtime që nuk mund të realizohen, ose mbase për shkak se njerëzit e dinin se do të kishte edhe një raund votimesh në shumë komuna, dhe votën e kanë rezervuar për raundin e dytë. Nuk e di, porse çfarëdo që të ketë qenë arsyeja, ajo në shumë komuna e la çështjen e kryetarit të pazgjidhur deri më 14 nëntor.
Ndërkohë, rezultatet zyrtare ende nuk janë shpallur, sepse numërimi përfundimtar nuk ka ndodhur ende. Do të mund të pritej që i gjithë ky proces të përfundojë javën që vjen, ashtu që fushata për balotazh të rrjedhë dy javë që nga data 1 nëntor.
Ndërkohë do të na ndërrohet ora, do të na shkurtohet dita dhe do të bëhet, e besoj, shumë interesante ruajtja e votës nëpër vendvotime kur t'i vijë koha.
* * *
Çfarë mësuam nga këto zgjedhje? Për vëzhguesit nga jashtë, del se në këto zgjedhje nuk kanë shkuar me votë inercie, dhe sikurse në disa raste deri tash, nuk e kanë reflektuar rezultatin e fituar në zgjedhjet parlamentare. Mbase edhe për shkak se votuesi tashmë është vetëdijesuar dhe e di se vendimmarrja në nivel lokal është shumë më ndryshe nga ajo në nivel qendror dhe se operon në hapësirë shumë më të ngushtë territoriale.
E megjithatë, nuk mund t'i shmangesh përshtypjes se vota në zgjedhjet lokale ka qenë një manifestim kundër arrogancës së numrave dhe qasjes ndaj votuesit. Në rastin e VV-së, udhëheqësit e partisë kanë pritur se do të mund t'i fitonin katër komuna që në raundin e parë, dhe kjo nuk u realizua. Prishtina nuk u fitua, për shkak se Arben Vitia e nisi fushatën me dy javë vonesë dhe me një program që lë shumë për të dëshiruar. Mitrovica nuk u fitua për shkak se përkrahja iu dha një njeriu që as që ka qenë anëtar i VV-së kur e fitoi mandatin e parë, e besa edhe të dytin, porse i cili nuk është se do të mbahet mend përherë për të mirë për punën e tij në pjesën jugore të komunës së ndarë. Prizreni nuk u fitua për shkak se opozita, sado e copëzuar, ende ka përkrahje. Aq sa për ta qitur Haskukën në opozitë. Podujeva nuk u fitua për shkak se LDK-ja zgjodhi një kandidat me gjasë shumë të popullarizuar dhe të paprekur nga korrupsioni.
Porse, VV-ja kësaj radhe ia doli të futej në balotazh në madje 12 komuna, duke qenë Gjilani befasia më e madhe, që tregon për një rritje të kësaj partie në nivel komunal krahasuar me zgjedhjet e shkuara. Porse nëse krahasohen me rezultatet e arritura gjatë zgjedhjeve qendrore (sado joreale baza e krahasimit), përkrahja për këtë parti është përgjysmuar me numra votash. Me këtë rast gjithsesi duhet pasur parasysh daljen e ulët në Prishtinë, si dhe numrin e vogël të votave nga diaspora. Sido që të jetë, megjithatë ky raund votimesh i çoi mesazh të fortë VV-së: që kandidatët e saj duhet të jenë më afër qytetarit dhe se të qenit në pushtet kërkon shumë më tepër përgjegjësi dhe rezultate sesa kur je në opozitë. Se kur je në opozitë mund të premtosh edhe ndërtim aeroportesh e nisje satelitësh, porse kur je në pushtet kërkohet që aeroporti të ndërtohet përnjëmend e që sateliti të lansohet menjëherë.
E se vota në komunale nuk është përherë e lidhur me disponimin karshi një partie politike e dëshmon AAK-ja me komunat e fituara në kushtet kur në zgjedhjet e fundit parlamentare mezi e kaloi pragun për Kuvend. Në të shumtën, aty janë votuar kandidatët që tashmë kanë qenë kryetarë komunash me katër vjet pune, me gjasë të kënaqshëm, meqë i kanë rifituar mandatet.
PDK-ja ka shënuar ngritje të votave, e LDK-ja ruajtjen e masës së saj të votuesve me gjasa të mira për të fituar jo pak komuna, posaçërisht Prishtinën, po qe se arrihet marrëveshja ndërmjet PDK-së e LDK-së që ta ndihmojnë njëra-tjetrën. PDK-së i nevojitet përkrahja e LDK-së për ta fituar Prizrenin, kurse LDK-së ajo e PDK-së (si dhe AAK-së e AKR-së) për ta fituar Prishtinën. Në publik mbase edhe nuk do të dilet për t'u zyrtarizuar marrëveshjet, porse gjasat janë të mëdha që këto dy parti të afrohen për ta mbytur "armikun" e tyre të përbashkët që ua mori pushtetin qendror.
Zhvillimet e javëve në vijim do të na tregojnë se çfarë po ndodh dhe si do të orientohet trysnia për vota. Ndërkohë do të mbetet e shënuar që këto kanë qenë thuajse zgjedhjet më të pastra që i kemi pasur deri tash - me përjashtimin e komunave serbe, ku primatin e siguroi ja me hatër, ja me zor Lista Srpska.
* * *
Ndërkohë, numri i të sëmurëve me COVID vazhdoi me trendin e ulët, sikurse edhe rastet e fataliteteve. Porse njëkohësisht ndodhi edhe rënia e numrit të të vaksinuarve me dozën e parë, që mesatarisht nuk e kalon njëmijëshen në ditë.
Vazhdon të çudisë tej mase rezistenca e një pjese të popullatës ndaj vaksinimit, duke mos dashur të pranojnë se vaksina jep mbrojtje edhe pse jo të qindpërqindtë, porse që është më mirë se mos të kishte vaksinë fare.
Ajo që e dëshmoi gushti qe se vetëm frika është ajo që na bën të veprojmë. Në ditët kur shënoheshin nga 30 vdekje në ditë, vaksinimi dinte të mbërrinte në 20 mijë doza të administruara në ditë. Nuk po e kuptoj se përse duhet pritur që të na mbushen spitalet për të kuptuar se kjo është pandemi e jo virus i përhapur në mëhallë. Uroj që të mos e kemi edhe një shpërthim masiv infeksionesh.
* * *
E derisa i gjithë preokupimi ynë këto ditë (thuajse si çdo ditë tjetër) ishte politika, kultura jonë po i bën hapat e parë të mëdhenj drejt afirmimit të kinematografisë kosovare në botë.
Kosova ka kandidate zyrtare për Oscar”, për film më të mirë të huaj, "Zgjoin". Filmi flet shqip për fatin e shumë viktimave civile të vrara apo të zhdukura në luftë, nëpërmjet rrëfimit për Fahrije Hotin, një gruaje të jashtëzakonshme që theu shumë tabu për ta ruajtur mendjen e shëndoshë dhe për t'iu dhënë perspektivë fëmijëve të saj.
Realizim i bukur, me një ritëm të ngadaltë, mbase për shijen time muzikë të pamjaftueshme për t'i dhënë pak më shumë dinamikë, por me aktrim të jashtëzakonshëm të Yllka Gashit në rolin e Fahrijes - është jo vetëm rrëfimi për fatin e shumë familjeve kosovare të cilëve ua morën, vranë apo zhdukën më të dashurit, të cilët i lanë pa shtëpi, e as pa ndonjë shpresë - por edhe fatin e grave që jetojnë nën trysninë e mentalitetit patriarkal që i konsideron gratë të paafta për të gjykuar dhe vendosur vetë për jetën e tyre.
Ani që ky mentalitet nuk është për t'u reklamuar, megjithatë është pjesë e realitetit tonë ende, që na e dikton jo pak jetën që e jetojmë në Kosovë. Prandaj edhe e gjeti vendin në këtë film.
Filmat si ky, i Blerta Bashollit, pra i një gruaje për gratë nëpërmjet një heroine të vërtetë, në fakt janë edhe një pjesë e luftës që gratë në Kosovë e bëjnë dita më ditë kundër patriarkatit që na mban në këtë nivel të zhvillimit edhe shoqëror e edhe ekonomik.
* * *
Ku më mirë se të ishim zgjua bletësh - ngase bletët janë punëtore dhe prodhojnë mjaltë - të shëndetshëm e të ëmbël. Por nuk jemi. Nuk tregohemi të tillë. Jemi nisur rrugës së të shndërruarit në parazitë, ngase më parë kënaqemi me një shumë të vogël ndihmash sociale sesa t'i përvjelim mëngët dhe të punojmë. Pa dyshim se shteti duhet të përkujdeset për mirëqenien e popullatës, porse jo që të gjitha paratë t'i çojë në skema të ndryshme sociale, nga buxheti i cili duhet mbushur nga sektori privat, tepër i goditur nga pandemia.
Logjika e dhënies së subvencioneve për kredi deri në shumën 300 euro për t'i mbuluar shpenzimet e kamatës, nuk ka kurrfarë kuptimi kur atë kamatë duhet kthyer. E duhet kthyer me diçka - e këto janë paratë. E para nuk mund të ketë kur qarkullimi i parasë ngec dhe kur një procedurë përmbarimore mund të t'i marrë një vit jete. Të mos flasim për gjykimet e rregullta që duhet pritur një dekadë për t'u marrë me to.
Shumë mirë do të ishte po të ishim zgjua bletësh. Por ja që zakonisht nuk jemi. Pos kur vijnë zgjedhjet. Atëherë edhe thumbojmë.