Ky artikull argumenton se duhet të shfrytëzohet mundësia që po jepet, derisa paraqitet udhërrëfyesi drejt zgjidhjes së kontestit rreth emrit të Maqedonisë. Artikulli argumenton se kontesti duhet të trajtohet mbi bazën e parimeve të lirisë, përgjegjësisë dhe njohjes reciproke.
Në këtë frymë, dy palët duhet të bëjnë dallimin midis çështjeve për të cilat pajtohen se nuk ka pajtueshmëri dhe atyre për të cilat është i domosdoshëm pajtimi; ato duhet të pajtohen rreth qëllimit të negociatave; po ashtu duhet të pajtohen rreth qëllimit për të ecur përpara dhe udhërrëfyesit.
Shtetet duhet që në të njëjtën kohë të pajtohen rreth një rrëfimi, se Maqedonia është një rajon i ndarë midis disa shteteve, të cilat duhet të abstenojnë prej “monopolit të identitetit”. Mbi këtë bazë mund të arrihet marrëveshja për një emër të ri të përhershëm, dhe përdorimi i tij për synime ndërkombëtare, jo të brendshme, mund të lidhet me anëtarësimin në NATO dhe negociatat në BE. Opsionet e emrave janë të paraqitura në tri nivele të specificitetit, ku autorët tregojnë ato që besojnë të jenë anët pozitive dhe negative të secilit opsion
Cili duhet të jetë emri i ri i Republikës së Maqedonisë, që në skenën ndërkombëtare njihet aktualisht si ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJM)? Kjo çështje ka ndikuar jo vetëm në marrëdhëniet e saj me Greqinë, por, në njëfarë shkalle, edhe në stabilitetin në Ballkan që nga viti 1991. Derisa Republika e Maqedonisë (ose IRJM) e promovon parimin intuitiv se shtetet duhet ta zgjedhin vetë emrin, grekët kanë shqetësime legjitime rreth identitetit, historisë dhe gjeopolitikave.
Besojmë se sot ekziston dritarja e mundësisë për zgjidhjen e këtij kontesti. Si Qeveria greke, ashtu edhe ajo maqedonase janë të përkushtuara për një zgjidhje, prandaj, mbase edhe mbrojtjen në shtetet e tyre, të kompromiseve që do të përmbante ajo zgjidhje.
Kryeministri i ri maqedonas, Zoran Zaev, është distancuar në mënyrë të qartë prej asaj që disa e kanë quajtur “patriotizëm kiç” i pararendësit të tij, Nikola Gruevskit, i cili e kishte lansuar projektin e monumenteve, “Shkupi 2014”. Për shembull, që nga zgjedhja e tij, Zaevi e ka shfaqur gatishmërinë për t’u marrë me shqetësimet greke, duke diskutuar rreth mundësisë së ndryshimit të emrit të aeroportit “Aleksandri i Madh” të Shkupit. E dy ministrat e Jashtëm, Nikos Kotzias dhe Nikola Dimitrov, janë takuar dhe do të takohen sërish për të biseduar rreth mundësive për zgjidhjen e kontestit rreth emrit.
Për ta kapur këtë mundësi, bisedimet rreth një marrëveshjeje duhet të bazohen mbi parimet e lirisë, përgjegjësisë dhe njohjes reciproke.
Liria. Ndonëse marrëveshja duhet të respektojë shqetësimet historike dhe të identitetit, njerëzit duhet që në fund të lirohen prej shqetësimeve të tilla. Historianët nuk duhet të mundohen të jenë diplomatë dhe diplomatët nuk duhet ta rishkruajnë historinë, për t’iu shërbyer qëllimeve të veta. Nuk mund të mbesim pengje të interpretimeve të kontestuara të historisë.
Përgjegjësia. Liderët e dy shteteve, por edhe popujt e tyre, kanë përgjegjësi ndaj gjeneratës së ardhshme, e cila duhet të çlirohet nga barra e tillë. Dritaret e mundësisë mund të mbyllen me shpejtësi dhe synimet më të mira nuk arrihen atëherë kur palët humbin fokusin. Të gjitha kompromiset janë të dhimbshme, të gjitha krijojnë rreziqe për politikanët, posaçërisht nëse kanë të bëjnë me çështjet e identitetit. Të moderuarit duhet të shpërfillin akuzat për tradhti dhe të mbërrijnë tek një marrëveshje, për hir të gjeneratave të ardhshme.
Njohja reciproke. Në fund të fundit, është ky një ushtrim i njohjes reciproke të dinjitetit dhe mirëbesimit. Për të qenë njëmend transformuese, secila palë duhet të njohë jo vetëm rrëfimet për identitetin e palës tjetër, shqetësimet rreth sovranitetit dhe frikën rreth integritetit territorial, por edhe njohjen e tyre: E njoh dhe besoj se ti e njeh sovranitetin tim.
Po qe se i pranojmë këto parime udhëzuese, atëherë si t’i operacionalizojmë ato?
Së pari, dy palët duhet të bëjnë dallimin midis çështjeve për të cilat pajtohen se nuk ka pajtueshmëri dhe atyre për të cilat është i domosdoshëm pajtimi. Për të parën do të duhet dialog i vazhdueshëm, që do të përfshinte komisionet historike ose kulturore, si dhe të ngjashme. Ato përfshijnë interpretimet historike të secilës palë, interpretime që natyrisht se janë monolitike. Po ashtu, në këtë mes janë të pranishme edhe shqetësimet greke për irredentizëm të palës tjetër, jo vetëm sa iu përket ambicieve territoriale, por edhe atyre që konsiderohen pretendime sulmuese rreth së ashtuquajturës “pakicë maqedonase” në Greqi.
Ka arsye të shumta të besohet se këto shqetësime janë të pabaza (aktgjykimi i GjND-së, i 5 dhjetorit të vitit 2011). Por negociatat e tilla politike simbolike kanë të bëjnë me trajtimin e ankesave të palës tjetër, e jo me besimet vetjake. Po ashtu, ndonëse shqetësimet rreth irredentizmit mund të trajtohen përmes një deklarate formale brenda vetë marrëveshjes, e vetmja mënyrë për tejkalimin e tyre është me kalimin e kohës, përmes ndërtimit të besimit dhe iniciativave të përbashkëta në tekstet shkollore, e të ngjashme.
Kjo lë shumëçka, për të cilën dy partitë duhet të pajtohen menjëherë.
Së dyti, palët negociuese duhet të pajtohen rreth qëllimit të negociatave të tyre. Diçka si: qëllimi i këtyre negociatave është pajtimi rreth një baze të fortë për raporte të ardhshme fqinjësore, përmes njohjes së ndershme dhe të sinqertë midis shteteve tona dhe popujve tanë.
Së treti, negociatat e ardhshme duhet të sigurojnë si një përparim, ashtu edhe udhërrëfyesin.
Përparimi ka të bëjë me kontestin rreth emrit dhe zotimet e menjëhershme të lidhura me të. Për shembull, marrëveshja rreth emrit do të mundësojë menjëherë fillimin e negociatave me BE-në apo heqjen e vetos për anëtarësim në NATO – që të dyja nën emrin e ri të përhershëm.
Udhërrëfyesi ka të bëjë me procesin, përmes të cilit marrëveshja do të fuqizohet në nivelin e brendshëm dhe ndërkombëtar.
Çfarë atëherë të bëhet me emrin?
Këtu dy palët do të duhet të shfaqin kreativitet dhe guxim.
Niveli 1: Narracioni
Palët duhet ta nisin me një rrëfim të qartë – se ky është një rajon i përbashkët, i trashëguar nga periudha para asaj të “shtetit komb”. Një gjë e tillë nuk është kundërthënëse. Konkretisht, “Maqedonia” nuk është emër i brendit, por rajon me kufij lëvizës gjatë shumë shekujve. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me aspektet teknike të ndarjes së një rajoni (që shtrihet në shumë shtete) dhe një shteti.
Konflikti fillestar midis dy shteteve mund të përmblidhet si përpjekje e dy palëve për “monopol mbi identitetin”. Emërimi i shtetit vetëm Maqedoni, nga grekët u perceptua si privim i identitetit të tyre maqedonas. Përgjigjja greke se nuk duhet të ketë fare “Maqedoni” në emrin e fqinjit të tyre verior, paraqet po ashtu një përpjekje të qartë për ta monopolizuar identitetin maqedonas për Greqinë. “Maqedonia” nuk duhet të monopolizohet si tregues identiteti për asnjë nga shtetet e atij rajoni.
E vërteta rreth kësaj çështjeje është se identitetet nacionale nuk zbresin nga qielli. Ato konstruktohen, si të gjitha fenomenet sociale.
Pra, ky rrëfim ka të bëjë me një identitet kolektiv, ndonëse fluid, që duhet të jetë i përbashkët si për qytetarët që mund të zgjedhin ta quajnë veten si të duan, ashtu edhe për shtetet e tyre gjegjëse.
Por këtu duhet pasur rëndësi: si pjesë e identitetit të përgjithshëm të përbashkët “maqedonas”, ne duhet të pranojmë dhe respektojmë versionet tona të ndryshme (nacionale) se çfarë mund të nënkuptojë ky identitet. Prandaj duhet të pajtohemi se nuk do të ketë pajtueshmëri rreth vlefshmërisë historike të këtij apo atij pretendimi.
Por në të njëjtën mënyrë ne duhet të pajtohemi rreth një emri që do të pasqyrojë njohjen e tillë për të gjitha palët. Politikanët grekë kanë nevojë për një emër që do t’ua lejojë ta ruajnë vulën greke mbi të kaluarën e lashtë të Maqedonisë si rajon, për qëllime të brendshme, pa marrë parasysh se sa mërzitet apo jo pjesa tjetër e njerëzimit. Ngjashëm, fqinjët e tyre veriorë duhet të sigurohen se Greqia nuk do t’i etiketojë ata vetëm si serbë dhe bullgarë. Le të jetë i lirë secili që dëshiron të proklamojë: Edhe unë jam maqedonas.
Niveli 2. Parimi – Variacionet e Maqedonia +
Shumë emra vijnë nga ideja e përgjithshme për një “rajon të përbashkët”. Në këtë mes shihen tri kategori të përgjithshme:
I pari është emri aktual kushtetues i shtetit, pra Republika e Maqedonisë, i cili nuk ua mohon të drejtën të tjerëve, në po atë mënyrë sikur që “Republika e Irlandës” nuk pretendon të jetë tërësia e ishullit të Irlandës. Përkrahësit e mosndryshimit të emrit rrjedhimisht mund të argumentojnë se rajonet janë rajone dhe shtetet janë shtete. Por pala greke këtë e konsideron argument teknik dhe të pasinqertë, që nuk e prek fare problemin e identitetit. Ata nuk e lexojnë “Republika e” (apo shkurtimisht, R. e Maqedonisë) si cilësor për monpolin e identitetit. Edhe ashtu, një numër shumë i madh shtetesh në botë janë “Republika e”, që pashmangshëm përkthehet në vetë emrin. Kush e quan sot Republikën Franceze ndryshe pos Franca? Natyrisht se kemi shtetin e Luksemburgut dhe po ashtu provincën e Luksemburgut, që është pjesë e Valonës në Belgjikë. Por nëse dikush prezantohet se është nga Luksemburgu, sa prej njerëzve do të supozojnë se ai mund të jetë nga Belgjika?! Kjo nuk është mundësi e mirë për palën greke. Me fjalë të tjera, ruajtja e status quosë në skenarin më të mirë prej grekëve konsiderohet si “identitet i përbashkët me hierarki” dhe në atë më të keqin si një version i “monopolit mbi identitetin”.
Kjo na lë me dy kategori të tjera, që përfshijnë përcaktimin e emrit të Maqedonisë përmes një emri të përbërë, apo ruajtjen e “Republika e”, përcjellë nga një emër i përbërë.
Niveli 3. Opsionet – Kualifikuesit për subjekte të ndryshme
Edhe këtu shohim tri kategori, me secilën që e privilegjon nga një afrim të caktuar për ta bërë dallimin ndërmjet rajonit të Maqedonisë dhe shtetit në fjalë dhe me secilin që i afrohet sfidës së “ndarjes së identitetit” në një mënyrë ndryshe.
Një kualifikues është që “Republika e Maqedonisë” të mbetet e paprekur, si në Republikën e Maqedonisë (Shkup), një opsion ky që është pranuar nga të dyja palët në etapa të ndryshme kohore.
Ky opsion e ka avantazhin se përbën një ndryshim të thjeshtë dhe të saktë për emrin aktual. Mirëpo disa në anën greke druajnë se kualifikuesi “Shkup” do ta ketë një karakteristikë magjike të zhdukjes progresive me kalimin e kohës, si vetë “Republika”. A mund të adresohen shqetësime të tilla në marrëveshje? Një mënyrë alternative për lënien e “Republikës së Maqedonisë” të paprekur do të ishte ajo e kualifikuesit “Republika Veriore e Maqedonisë”. Mirëpo ky opsion mund të duket jologjik dhe konfuz, meqë nuk ekziston një “Republikë Jugore e Maqedonisë”.
Ideja e një emri të përzier si kualifikues, nën çfarëdo variacioni të tij, është mbështetur zyrtarisht nga Greqia dhe OKB-ja që nga mesi i viteve ‘90. Në të vërtetë, Cyrus Vance, ndërmjetësi i parë i OKB-së, me sa duket ka gjeneruar një mori variantesh bindëse, por asnjëra nuk u pranua në fund të asaj kohe. Ç’është e vërteta, emri i përbërë vazhdon të kundërshtohet nga shumë njerëz në të dyja anët, ndonëse ky do të mundë të ishte kompromisi më i kapshëm. Në mënyrë specifike:
Maqedonia sllave ka të bëjë me një veçori të bazuar në etni, sllave vs greke, mirëpo bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me fatin e popullatës josllave dhe të komuniteteve të tjera etnike në vend (kryesisht shqiptarët) dhe me problematikën e ndërtimit të një shteti të mbështetur më shumë në baza etnike sesa civile.
As zgjatja e emrave në Maqedoninë sllavo-shqiptare nuk e kënaq kënd.
Meqë bëhet fjalë për gjeografi dhe territor, propozimet e tjera vërtiten rreth vetë lokacionit të Republikës, si Vardar, Maqedonia e Epërme, Veriore, Qendrore, madje edhe Evropiane. Në një mënyrë, këta janë përshkrues të thjeshtë gjeografikë, të cilët në rend të parë janë favorizuar nga pala greke në konferencën e tyre të partive. Vardari (për çudi, po ashtu emërtim grek për lumen Axios) ngre më shumë probleme sesa zgjidh, meqë pjesë të rëndësishme të territorit aktual të shtetit ishin administruar nga serbët, si Vardarska Banovina, para Luftës së Parë Botërore, kështu që ua kujton shqiptarëve statusin e tyre fatkeq të kohës. Maqedonia Veriore dhe e Epërme (me konotacione të ndryshme) perceptohen si variant më neutral gjeografik deri më tani, që nuk përbën ofendim për asnjërën palë, dhe është përfshirës për shqiptarët. Pa dyshim, ato mund të kontestohen nga këndvështrimi bullgar, ku përshkruesi më i saktë do të ishte ai Perëndimor. Por bullgarët, sidoqoftë, kanë shqetësime më të ndryshme sesa emri. Në mënyrë ironike, Maqedonia Qendrore del në avantazh si kualifikuesi “qendror” që ka një dykuptimësi famëkeqe (mendoni për Evropën Qendrore, që në të vërtetë është Evropë Lindore) dhe ka një konotacion pozitiv. Disave u pëlqen Maqedonia evropiane si referencë për perspektivën evropiane dhe të orientimit të shtetit, mirëpo çfarë do të ishte atëherë Maqedonia joevropiane?
Në mënyrë alternative, Maqedonia e Re apo Nova mbështetet në kronologji dhe në faktin se shteti është krijuar ose më 1945 si një shtet i Jugosllavisë ose më 1991 si një shtet i pavarur pas shpërbërjes së Jugosllavisë, mirëpo në cilindo rast pas shteteve të tjera që e ndajnë atë së cilës ne i referohemi këtu si rajoni i Maqedonisë.
Ithtarët – përfshirë edhe neve – argumentojnë se kjo thjesht e nënvizon një pikë faktike dhe e nënkupton një konotacion pozitiv, si New York apo Zelanda e Re. Përveç vënies në dukje se ky tanimë është emri i një të përditshmeje, kundërshtarët druajnë se ky opsion do ta nënkuptonte shkëputjen prej lidhjes antike apo rrënjëve të shtetit në imigrimin sllav të shekullit IX. Mirëpo me të lënë të kuptohet se Maqedonia është një komb qytetar dhe jo etnik, Maqedonia e Re do ta përmblidhte një mesazh në emër: ky është një komb modern që në të vërtetë shikon kah e ardhmja dhe jo nga e shkuara. Në fund, Maqedonia e Re qartazi konstaton: Le t’i lëmë prapa vetes betejat rreth trashëgimisë së Aleksandrit të Madh.
Varianti i tretë dhe i mëtutjeshëm është që secili prej opsioneve të shoqërohet nga fjalët Republika e, gjë kjo që e përmban avantazhin e afërsisë kur bëhet fjalë për emrin “status quo” (që përdoret në vend) “Republika e Maqedonisë”.
Zbatimi: Kushtet për sukses
A është ndonjëri prej këtyre shumë varianteve i pranishëm për palët?
Besojmë se po, nën tri palë kushte.
Grupi i parë i kushteve ka të bëjë me rrëfimin që vjen bashkë me të. Se ky është një emër që ndërlidhet me pajtimin dhe me ndarjen e rajonit të Maqedonisë (niveli 1) dhe kësisoj i përshtatshëm për konsumim ndërkombëtar: nuk shkel mbi jetët e njerëzve apo dikton se si ata duhet ta quajnë vetveten apo gjuhën e tyre. Kjo nuk ka të bëjë me vetë përkufizimin, por me përkufizimin e jashtëm. Grekët do të duhet të pranojnë se edhe fqinjët e tyre e quajnë veten “maqedonas”, njësoj sikurse edhe maqedonasit do të duhet të pranojnë se grekët nuk duhet të ndihen të kërcënuar nga cilido emër i përhershëm ndërkombëtar për të cilin ata dakordohen. Çështja këtu duhet të jetë rreth asaj se çfarë po ndryshon faktikisht, p.sh. se ky nuk është një ndryshim emri për shtetin por më shumë adoptim i një emri të përhershëm ndërkombëtar për ta zëvendësuar emrin e përkohshëm ndërkombëtar (ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë).
Grupi i dytë i kushteve është ai se përfitimet që do të vijnë bashkë me miratimin e këtij emri të ri do të jenë të prekshme, të rëndësishme dhe menjëherë të dukshme: anëtarësimi i përshpejtuar në NATO, fillimi i negociatave të anëtarësimit me BE-në, qasja në fondet e BE-së dhe mbështetja që shkon bashkë me të, si dhe projektet e tjera bashkëpunuese. Plane të ndryshme janë prodhuar gjatë viteve, të cilat pak a shumë e vënë theksin te sekuencat e kompensimit të mungesës së besimit ndërmjet dy shteteve në këtë fazë (Shkupi e sheh Athinën si një fqinj të fuqishëm që mund ta përdor veton e saj për anëtarësimin në NATO dhe BE kurdo; Athina druan se kur ta humbë këtë ndikim, Shkupi mund ta prishë çdo marrëveshje rreth emrit, pa pasur pasoja). Një plan i propozuar nga ESI-ja sugjeron që ndryshimi i emrit që duhet të mbahet menjëherë në Kushtetutë duhet të jetë efektiv fillimisht në marrëdhëniet ndërkombëtare (kudo që ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë është përdorur më herët), që përfundimisht të përfshihet në Kushtetutën e Maqedonisë (prandaj përdoret erga omnes) me një referendum që do të mbahej në mbrëmjen e pranimit të shtetit në BE – me pyetjen që do të ishte: a pajtoheni që të hyni në BE me këtë emër? Një afrim i tillë e ka avantazhin që ia lejon secilës palë ta ruajë ndikimin derisa të vijë momenti. Disavantazhi është ai se çështja nuk do të zgjidhet shpejt.
Në të vërtetë, anëtarësimi në BE mund të mos jetë në kartë për më shumë se një dekadë. Opsionet e tjera do ta detyronin mbajtjen e një referendum maqedonas menjëherë pas marrëveshjes, duke pyetur nëse qytetarët maqedonas pajtohen që ti nisin negociatat me BE-në dhe të hyjnë në NATO me këtë emër të përhershëm të mbajtur në Kushtetutë. Ky do të ishte një opsion më i rrezikshëm, por po ashtu më i qartë për publikun.
Së fundi, grupi i tretë i kushteve ka të bëjë me llojin e besim-ndërtimit dhe dialogut rreth çështjeve, ku secila palë për momentin është pajtuar që të mospajtohet, siç është përmendur në fillim. Qartazi, frika nga irredentizmi nuk mund të adresohet nga një emër, por duhet të adresohet nga një proces. Secili opsion i lartpërmendur i emrit (niveli 3) mund të interpretohet si krijim i hapësirës për irredentizëm apo si krijim i hapësirës për dialog të mëtutjeshëm reciprok: kjo varet prej iniciativave të ardhshme dhe praktikës reale dhe të vërtetë të njohjes reciproke.
Krejt në fund, ky është një rrëfim jo vetëm për rivendosjen e marrëdhënieve miqësore, por edhe për pajtimin që bën thirrje për shkëmbime imagjinare dhe të gjera ndërmjet dy shoqërive. Në këtë pikë të fundit do të dëshironim të jepnim një sugjerim të fundit simbolik, përveç këtij skenari të lartpërmendur. Pse të mos ndërtojmë një qendër të re për shkëmbimet maqedonase në pikën në kufirin mes tri vendeve, të cilat, nëse vizitohen sot, duken si një ogur i zi në mes të askundit (në afërsi të Majës Tempa në Belasica). Ekzistojnë rreth 160 pika trishtetëshe në botë. Njëra prej më të bukurave është ajo që ndahet nga ujëvarat Iguazu në mes të Brazilit, Argjentinës dhe Paraguait.
Pse të mos e bëjmë Ballkanin tonë shumë të veçantë, simbol të një identiteti rajonal që ndahet, dhe kësisoj zotërohet bashkërisht, një simbol i pajtimit transnacional?
(Dr. Veton Latifi është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Evropës Juglindore, ndërsa dr. Kalypso Nicolaidis, profesoreshë e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit)