OpEd

Zgjidhet misteri i shqiponjës dykrenore shqiptare!

Si u kujdesën Vuçiq dhe Daçiq që shqiptarëve dhe Kosovës t’ua bëjnë reklamën më të mirë dhe më pozitive deri më sot?

KA MUNDUR TË ishte thjesht edhe një ndeshje e radhës e futbollit. Njëmbëdhjetë lojtarë të një ekipi ndjekin topin bashkë më njëmbëdhjetë lojtarë të ekipit tjetër dhe ai ekip i cili shënon më shumë gola – fiton.

Mirëpo, u bë shumë më tepër sesa një ndeshje futbolli. Në fakt, u bë reklama më e madhe për shqiptarët ndoshta që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, këtu edhe 10 vjet më parë.

Nxitës të kësaj kishte nga të gjitha anët, por kryesorët ishin gjithsesi presidenti i Serbisë, Vuçiq dhe ministri i Jashtëm, Daçiq.

Që të dy në paraqitjet e tyre publike, si dhe në takimet me futbollistët e përfaqësueses serbe në botërorin “Rusia 2018”, kishin theksuar se kësaj radhe bëhet fjalë shumë më tepër sesa për futboll. Meqë, sipas tyre, duke mundur Zvicrën, do të munden edhe shqiptarët.

Çfarë gabimi! Ç’bumerang!

Sikur të deklaronin se Serbia do të luajë një ndeshje të rëndësishme kundër Zvicrës - meqë në përfaqësuesen e Zvicrës ka edhe me prejardhje shqiptare të Kosovës, por edhe kroate, edhe boshnjake, edhe kamerunase etj. – do të ishte gjithçka OK. Por ja që Vuçiq e Daçiq e nënvizuan rëndësinë e mundjes së shqiptarëve. Dhe u mundën. Edhe në fushë të gjelbër, edhe jashtë saj.

NËSE KENI PROVUAR këto ditë të kërkoni në Google, duke shkruar vetëm “Swiss” a e dini se çfarë rezultatesh iu janë paraqitur tek seksioni i lajmeve? Artikuj të BBC-së, “The Guardian”, “The New York Times”, “The Telegraph”, Euronews, “Politico” e shumë mediume të tjera nga e gjithë bota, ku shfaqeshin Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka duke festuar me simbolin e shqiponjës dykrenore. Plus, plot e përplot analiza e shpjegime se çfarë domethënie ka ky simbol, përse e bënë këtë lojtarët e Zvicrës, pse Serbia i ka dëbuar shqiptarët nga Kosova, pse Serbisë i pengon pavarësia e Kosovës…

Më pastaj, edhe një valë e re e vëmendjes së medias botërore me ankesën e Serbisë në FIFA, si dhe me vendimin për dënimin me 25 mijë euro të Shaqirit, Xhakës dhe Lichtsteinerit.

E më vonë, prapë, edhe një cikël i ri lajmesh me vetorganizimin e shpejtë të shqiptarëve për të dhënë donacione online në mënyrë që të mblidhen 25 mijë franga për t’i “shlyer dënimet”.

As kompanitë më të avancuara të marrëdhënieve me publikun nuk do të mundë t’i bënin reklamë më të mirë shqiptarëve dhe Kosovës, si dhe rifokusim më të madh në problemin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbisë sesa që ia bëri Beogradi.

Paramendojeni, ka sot aq shumë të rinj e të reja, por jo vetëm, në Evropë e në botë, që as e kanë idenë se çka është Kosova e shqiptarët. Dhe shpjegimi për ta vjen në formë të disa individëve shqiptarë si talente e ngadhënjimtarë, në kohën vëmendja e rreth 3 miliardë njerëzve në glob është e përqendruar në një kampionat.

Që i bie, jo vetëm 25 mijë franga zvicerane, por edhe 250 milionë do t’i kishte hak një reklamë e këtillë.

E bëri miopëria dhe mosdurueshmëria e grupeve të caktuara në Beograd. E meritojnë “të falënderohen”.

Do të mundë të mjaftoheshin vetëm me humbjen nga Zvicra në fushë…

SIDOQOFTË, E TËRA do të mundë të shfrytëzohej si një leksion i mirë nga sporti, por i aplikueshëm mbi të gjitha për politikën dhe fqinjësinë.

Është e turpshme që të vazhdohet edhe 20 vjet pas luftërave në ish-Jugosllavi të derdhet vrer mbi etnitë që jetojnë në shtetet e krijuara. Është e pafalshme që të shikohet çdo mundësi që fqinjin ta pengosh, ta luftosh, të mos ia duash të mirën. Është e padinjitetshme që politikanët ta mbajnë lart në diskurs publik luftën ndaj fqinjit, në mënyrë që të mos merren me problemet e mëdha ekonomike e të zhvillimit në rajon.

Kjo qasje gjithsesi se duhet të marrë fund sa më shpejtë të jetë e mundur. Për këtë ekziston një formulë e thjeshtë: Serbia duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës! Dhe kështu të gjitha vendet e dala nga ish-Jugosllavia, në vend se të shpenzojnë energji duke e luftuar njëra-tjetrën, të shikojnë se si ta ndihmojnë njëra-tjetrën në mënyrë që i gjithë rajoni të ecë përpara.

Sa më parë që të ndodhë kjo, më të lumtur do të jenë edhe qytetarët që jetojnë në këto shtete.

Si dhe fitoret, e edhe humbjet në futboll do të merren me më shumë – sportivitet!

[email protected]

Twitter: @adriatikk