OpEd

Zgjerimi i BE-së, shumë fjalë e aspak progres

Asnjë hap nuk është bërë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut prej kur para një viti ishte zhvilluar konferenca e parë ndërqeveritare që shënoi nisjen e negociatave të anëtarësimit. Asnjë kapitull nuk është hapur apo mbyllur në negociatat e BE-së me Serbinë. Asnjë kapitull nuk është mbyllur me Malin e Zi. Prej që ka marrë statusin e kandidatit në dhjetor, asnjë hap nuk është bërë me Bosnjë-Hercegovinën. Asnjë hap nuk është bërë, e as që pritet të bëhet, rreth aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE. E shumë është folur se në Evropë “tash ka një moment pozitiv për zgjerimin”. Në këtë proces ka shumë fjalë e aspak progres konkret. Pse të besohet atëherë se vendet e rajonit do të bëjnë diçka të rëndësishme për hir të “rrugëtimit të tyre evropian”

Më 1 korrik do të mbushen plot 10 vjet prej kur Kroacia është bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Një shikim në arkiv nga data e 1 korrikut na rikujton se këtë akt shumë liderë të BE-së e vlerësuan si një sukses historik dhe si dëshmi se pas Kroacisë edhe vendet e tjera të rajonit do të mund të ecin drejt anëtarësimit në BE. Por çfarë ndodhi. Jo vetëm se BE-ja nuk u zgjerua më pas anëtarësimit të Kroacisë, por ajo u tkurr, u zvogëlua, sepse nga BE-ja ndërkohë doli Britania e Madhe. Nuk ka këtu asgjë të keqe, sepse ashtu siç Kroacia hyri në BE me vullnetin e vet, në të njëjtën mënyrë nga BE-ja doli edhe Britania e Madhe.

Kur dikush thoshte në verën e vitit 2013 se pas Kroacisë do të kalojnë 5 deri në 10 vjet që të hyjë ndonjë vend tjetër i rajonit, ai quhej pesimist. E 10 vjet më vonë optimiste duket kur dikush të thotë se ndonjë vend i Ballkanit Perëndimor do të hyjë në BE deri në vitin 2030. Madje, nëse gjykohet sipas dinamikës së tashme dhe në bazë të vullnetit të BE-së për t’u zgjeruar dhe përkushtimin e vendeve të rajonit për të përmbushur kriteret, joreale duket edhe zgjerimi në dhjetë vjetët e ardhshëm.

Në BE pohojnë se “është krijuar një moment i ri për zgjerimin” pasi Ukraina dhe Moldavia kishin marrë statusin e kandidatit, ndërsa një status i tillë i është premtuar edhe Gjeorgjisë. Por kjo është vetëm një thënie e bukur prapa së cilës nuk qëndrojnë hapa të dukshëm.

Asnjë hap nuk është bërë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut prej kur para një viti ishte zhvilluar konferenca e parë ndërqeveritare që shënoi nisjen e negociatave të anëtarësimit. Asnjë kapitull nuk është hapur apo mbyllur në negociatat e BE-së me Serbinë. Asnjë kapitull nuk është mbyllur me Malin e Zi. Prej që ka marrë statusin e kandidatit, në dhjetor, asnjë hap nuk është bërë me Bosnjë-Hercegovinën. Asnjë hap nuk është bërë, e as që pritet të bëhet, rreth aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE. E shumë është folur se në Evropë “tash ka një moment pozitiv për zgjerimin”. Në këtë proces ka shumë fjalë e aspak progres konkret. Pse të besohet atëherë se vendet e rajonit do të bëjnë diçka të rëndësishme për hir të “rrugëtimit të tyre evropian”.

Mungesa e përparimit në procesin e zgjerimit është rezultat i dështimeve të dyanshme. Së pari nuk ka vullnet të qartë nga liderët e vendeve të rajonit për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, për të siguruar lirinë e mediave, sundimin e ligjit dhe bashkëpunimit rajonal. Por edhe në BE mbetet e vështirë të bëhen hapa konkretë në rrethanat kur secili shtet mund të paraqesë pengesa duke bllokuar ndonjë vend kandidat. Pasi në procesin e zgjerimit në secilin hap vendimet merren me konsensusin e të gjitha vendeve anëtare.

Prandaj edhe janë rritur zërat për heqjen e vetos në procesin e marrjes së vendimeve në Këshillin e BE-së. Këto propozime arsyetohen me faktin se edhe tash kur BE-ja ka 27 shtete anëtare po dëshmohet se është e vështirë të miratohen vendimet, ndërsa sikur të pranohen edhe shtete të tjera do të bëhet edhe më e vështirë. Thirrjeve që në disa çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë të hiqet vetoja dhe të kalohet në votimin me shumicë të kualifikuar u ishte bashkuar edhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, para tij këtë e kishin bërë edhe presidenti i Francës dhe shumë zyrtarë tjerë të lartë të BE-së. Propozimet e tilla janë edhe në përputhje me kërkesat e qytetarëve të BE-së. Ata që kërkojnë këtë thirren në argumentin se BE-ja para se të zgjerohet më tej duhet të reformohet përbrenda në mënyrë që të jetë e gatshme për të funksionuar kur të jetë më e madhe.

Heqja e vetos do të ishte e nevojshme edhe për të shpejtuar procesin e zgjerimit. Sepse në këtë proces ka pasur shpesh bllokime nga ndonjë vend anëtar që ka ndikuar dukshëm në vonesa në proces. Nëse mbahet e drejta e vetos atëherë ata që hynë më herët në BE do të mund të bllokojnë fqinjët e tyre. Siç kishte bllokuar Greqia Maqedoninë e Veriut, Sllovenia Kroacinë e tash edhe Bullgaria Maqedoninë e Veriut. Kjo mund të ndodhë pa dyshim edhe në rastin e Kosovës nga ana e Serbisë, nëse kjo e fundit do të bëhej më herët anëtare e Bashkimit Evropian. Edhe tash, kundër frymës dhe tekstit të marrëveshjes, Serbia inkurajon të tjerët që të bllokojnë përparimin e Kosovës drejt BE-së dhe Këshillit të Evropës, apo “rrugëtimit përkatës evropian”.

Natyrisht se nuk është reale të pritet heqja e vetos në tërësi në procesin e zgjerimit, por do të ishte mirë sikur kjo të hiqej për shumicën e hapave teknikë në proces, ku do të mjaftonte shumica e kualifikuar për hapjen dhe mbylljen e kapitujve, për caktimin e kritereve, ndërsa në fund të procesit, kur duhet pranuar një anëtar të ri në BE, të mbetej e drejta e vetos.

Përderisa të jetë kështu do të vazhdojmë të dëgjojmë shumë fjalë të mira për procesin e zgjerimit, sa i rëndësishëm është ai për paqen dhe stabilitetin në kontinent, por nuk do të shohim shumë avancim drejt arritjes së qëllimit përfundimtar, e ai është, e do të duhej të jetë, anëtarësimi formal në BE i vendeve që kanë këtë aspiratë.