Komuniteti euroatlantik mund të ndihet i lehtësuar që tani së paku kontinenti evropian është politikisht i sigurt dhe i gatshëm të përballet me sfidat globale. Tani ka ngelur pjesa tjetër e mozaikut euroatlantik: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me fjalë të tjera, demokratët perëndimorë kanë fituar një betejë, por jo edhe luftën
Jubilari i dhjetë i zgjedhjeve evropiane ofroi një numër mesazhesh të rëndësishme për skenën politike evropiane. Do të isha ndalur tek katër mesazhe në veçanti.
E para, me ardhjen e çdo palë zgjedhjeve të reja evropiane rëndësia e tyre politike është duke u lartësuar. Përpara zgjedhjet evropiane ishin tërësisht çështje sekondare për skenën politike evropiane. Ato nuk kishin vëmendjen e vendimmarrëseve evropiane, nuk zinin hapësirë të rëndësishme në mediat kryesore evropiane dhe rezultati i tyre injorohej gjerësisht. Me kalimin e kohës kjo ndryshoi. Integrimi çdoherë më i thellë evropian ka rritur rëndësinë e institucioneve evropiane. Çështjet që para dyzet vjetësh kanë qenë kompetencë nacionale sot janë kompetencë evropiane. Kësisoj zgjedhjet evropiane çdoherë e më shumë fituan prestigjin politik që gëzojnë sot. Këtë e pamë edhe në nivelin e daljes së qytetarëve në zgjedhje. Zgjedhjet e javës së kaluar shënuan daljen më të madhe të qytetarëve evropianë në njëzet vjetët e fundit. Dhe përderisa historikisht zgjedhjet evropiane injoroheshin nga vendimmarrësit evropianë, sot ato janë duke shkaktuar tërmete politike në vendet anëtare të BE-së. Kësisoj në Francë pas rezultatit të dobët në zgjedhjet evropiane presidenti Macron është ndier i obliguar që të dërgojë Francën në zgjedhje të reja nacionale – zhvillim ky i paimagjinueshëm hiç më larg se njëzet vjet më parë. Rëndësinë çdoherë më të madhe të zgjedhjeve evropiane e kuptojmë edhe nga profili i politikanëve, të cilët janë duke zgjedhur të kandidojnë për të mbajtur pozitat kyç në institucionet evropiane. Historikisht institucionet evropiane janë parë si zgjedhje dytësore të karrierës për politikanët evropianë. Vëmendja ishte tek skena nacionale politike. Kjo është duke ndryshuar. Askund kjo nuk është më e qartë se në diskutimet e sotme për pozitën e përfaqësuesit të lartë për politikën e jashtme të BE-së. Në këtë pozitë historikisht është emëruar dikush i cili në karrierën e saj apo të tij nuk ka arritur më shumë se post ministror. Sot kjo pozitë është e rezervuar për lider shteti, respektivisht kryeministren e Estonisë, znj. Kaja Kallas. Njohja e rritjes së rëndësisë së institucioneve evropiane është duke tërhequr politikanët nacionalë drejt shërbimit në institucionet evropiane.
E dyta, siç në masë të madhe kanë propozuar parashikimet zgjedhore, qendra evropiane fitoi zgjedhjet. Koalicioni tradicional Partia Popullore Evropiane (EPP), Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) dhe liberalët përsëri do të qeverisin BE-në. Së bashku ata kontrollojnë minimalisht 406 nga 720 eurodeputetë. Kjo është gati pesëdhjetë eurodeputetë më shumë se që iu nevojitën për të ngritur institucionet e reja evropiane. Kjo është kryesisht meritë e EPP-së, e cila ka arritur të njohë brengat e qytetarëve evropianë mbi ngrohjen globale dhe migrimin dhe t’i integrojë ato brenda programeve të veta politike. Kësisoj, ajo në masë të madhe ka parandaluar rritjen më të madhe të së djathtës ekstreme në BE.
E treta, ndonëse e djathta ekstreme nuk ka performuar aq mirë sa pritej, ajo përsëri ka arsye që të jetë shumë e kënaqur. Ajo fitoi zgjedhjet në Francë, Itali dhe Austri, ndërsa doli e dyta në Gjermani, Poloni, Holandë dhe Hungari. Në veçanti të gjithë sytë janë tani drejt Parisit për të kuptuar epilogun e zgjedhjeve të reja dhe ndikimin e tyre në skenën politike evropiane. Ndonëse kundërshtari kryesor i Macronit, Fronti Nacional, bart më vete një hije të rëndë të së djathtës ekstreme, ata kanë bërë përpjekje serioze që të modernizojnë qëndrimet e tyre politike. Kjo ka rezultuar me largimin e znj. Marine Le Pen-it dhe ardhjen e të riut z. Jordan Bardella. Së fundi z. Bardella bëri të qartë se nën lidershipin e tij Franca do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në luftë me Rusinë duke dhënë kështu sinjale të para të ndryshimit serioz të politikës së jashtme të Fronit Nacional. Kësisoj gjasat janë të mëdha që do të jemi dëshmitarë të një evolucioni të së djathtës ekstreme në Francë të ngjashëm me evolucionin e znj. Giorgia Meloni në Itali.
E katërta, partitë mjedisore politike në Evropë ishin humbësit e mëdhenj të zgjedhjeve evropiane. Në zgjedhjet e kaluara të vitit 2019, ato ishin befasia më e madhe pasi që shënuan rezultat të shkëlqyer, por kësaj radhe ato humbën 40% të votës së qytetarëve. Janë së paku dy arsye që ndikuan në këtë. E para, lufta në Ukrainë. Lufta në Ukrainë ka zëvendësuar brengat e qytetarëve për çështje mjedisore me çështjet e sigurisë nacionale. Rrjedhimisht partitë e gjelbra evropiane e kanë pasur shumë më vështirë të motivojnë qytetarët evropianë për kauzat e tyre politike. Arsyeja e dytë për performansë të dobët të të gjelbërve është fakti që përderisa para dhjetë vjetësh ata ishin pionierë të kauzave të gjelbra dhe rrjedhimisht kishin qartazi monopolin mbi çështjet mjedisore, sot çështjet mjedisore janë bërë pjesë e rëndësishme e programeve të të gjitha partive politike. Kësisoj, të gjelbrit humbën dominimin mbi kauzën e tyre themelore politike dhe rrjedhimisht edhe votuesit e tyre.
Ky është shkrimi i fundit në serinë e shkrimeve për zgjedhjet evropiane të këtij viti. Epilogu i tyre rezultoi të jetë më i mirë se që është pritur. Të gjithë kemi arsye të jemi të lumtur. Në fjalët e presidentes së Komisionit Evropian “qendra është ende e fortë”. Komuniteti euroatlantik mund të ndihet i lehtësuar që tani së paku kontinenti evropian është politikisht i sigurt dhe i gatshëm të përballet me sfidat globale. Kësisoj, ndër të tjera, zgjedhjet evropiane kanë çimentuar përkrahjen evropiane për Ukrainën për pesë vjetët e ardhshëm. Tani ka ngelur pjesa tjetër e mozaikut euroatlantik: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me fjalë të tjera, demokratët perëndimorë kanë fituar një betejë, por jo edhe luftën. Me Evropën, tani të sigurt në duart e demokratëve, e gjithë vëmendja do të lëvizë drejt Washingtonit dhe epilogut të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale amerikane. Përderisa znj. Von der Leyen ishte e saktë që qendra evropiane është ende e fortë, ajo globale ngelet të testohet në nëntor të këtij viti.