Tani që zgjedhjet evropiane kanë përfunduar para nesh është një periudhë intensive e negociatave politike evropiane, të cilat deri në fund të këtij viti do të na japin Parlamentin dhe Komisionin e ri Evropian
Tani që zgjedhjet evropiane përfunduan, e gjithë vëmendja do të kalojë drejt hapave për konstituimin e institucioneve të reja evropiane, respektivisht konstituimit të Parlamentit Evropian dhe votimit të Komisionit Evropian.
Institucioni i parë që do të ngrihet është Parlamenti Evropian. Parlamenti Evropian ka tri role kryesore: legjislativ, mbikëqyrës dhe buxhetor. Kjo nënkupton miratimin e ligjeve të BE-së me ndihmën e Këshillit të BE-së, kontrollin demokratik të të gjitha institucioneve të BE-së dhe miratimin e buxhetit të BE-së. Parlamenti Evropian është i vetmi trup legjislativ në botë, vendimet e të cilit kanë efekt të drejtpërdrejtë ligjor përtej kufijve nacionalë.
Tani zgjedhjet kanë prodhuar 720 eurodeputetë të cilët do të mblidhen në seancën e parë për të themeluar grupet politike evropiane për legjislaturën parlamentare 2024-2029. Përbërja politike e parlamentit të ri mund të kërkojë krijimin e grupeve të reja politike dhe shuarjen e atyre paraprake. Në sesionin e parë plenar, parlamenti i ri, po ashtu, do të zgjedhë presidentin e Parlamentit Evropian. Njëkohësisht parlamenti do të vendosë për ngritjen e komiteteve parlamentare dhe kryesuesit e tyre. Me këtë do të kompletohet akti i konstituimit të PE-së.
Kjo do të hapë rrugë për ngritjen e institucionit të Komisionit Evropian dhe në këtë drejtim akti i parë është zgjedhja e presidentit të ri të Komisionit Evropian. Këshilli Evropian, apo liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së, është përgjegjës për të propozuar kandidatin për president të KE-së. Idealisht Këshilli duhet bërë këtë duke marrë parasysh rezultatin zgjedhor dhe duke njohur procesin e quajtur “Spitzenkandidaten” apo procesin e kandidatit kryesor. Procesi “Spitzenkandidaten” është përdorur për herë të parë në zgjedhjet evropiane të vitit 2014, dhe si i tillë është dizajnuar për t’iu dhënë qytetarëve të BE-së mundësinë që të ndikojnë drejtpërdrejt në zgjedhjen e kandidatit për president të Komisionit Evropian.
“Spitzenkandidaten” ishte gjithashtu pasojë logjike e hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës, i cili specifikonte se rezultati i zgjedhjeve në Parlamentin Evropian duhet të merret parasysh kur propozohen kandidatët për president të Komisionit Evropian. Traktati i Lisbonës gjithashtu krijoi një lidhje më të ngushtë midis qytetarëve dhe jetës demokratike të BE-së, duke shprehur në mënyrë eksplicite se deputetët e Parlamentit Evropian janë “përfaqësues të qytetarëve të BE-së”.
Në këtë drejtim, në kuadër zgjedhjeve 2024, janë propozuar dhjetë “Spitzenkandidaten” apo kandidatë për president të Komisionit Evropian: Ursula von der Leyen (EPP), Nicolas Schmit (S&D), Valérie Hayer, Sandro Gozi, dhe Marie-Agnes Strack-Zimmermann (Renew Europe), Bas Eickhout dhe Terry Reintke (Të Gjelbërit), Raül Romeva dhe Maylis Roßberg (Aleanca e Lirë Evropiane) dhe Walter Baier (E Majta Evropiane).
Tani pas zgjedhjeve dhe duke marrë parasysh rezultatet e tyre, krerët e BE-së do të duhej të propozonin njërin nga këta si kandidat për president të Komisionit Evropian. Sidoqoftë, në kuadër të zgjedhjeve të kaluara në vitin 2019 Këshilli Evropian nuk arriti të respektojë këtë procedurë dhe zgjodhi Ursula von der Leyen për presidente, ndonëse asokohe ajo nuk ishte pjesë e procesit të “Spitzenkandidaten”.
Sidoqoftë, sido që të vendosë Këshilli Evropian në fund, propozimi i tyre për president të KE-së do të procedohet në Parlamentit Evropian për votim në seancën plenare të PE-së.
Pas votimit të presidentit të KE-së do të hapet rruga për nominimin e komisionerëve të rinj evropianë. Detyra për përzgjedhjen e komisionerëve të rinj u takon vendeve anëtare të BE-së dhe presidentit të ri të KE-së. Ndonëse propozimi i komisionerëve është e drejtë ekskluzive e vendeve anëtare, ata duhet të ushtrojnë këtë të drejtë në dialog me presidentin e ri të KE-së. Me fjalë të tjera, presidenti i KE-së duhet po ashtu të jetë dakord me propozimin respektiv. Pas këtij dakordimi, dhe pas kompletimit të të gjithë kabinetit të komisionerëve, presidenti i KE-së do ta njoftojë Parlamentin Evropian për përbërjen e Komisionit të ri Evropian dhe do të kërkojë fillimin e procedurave për konfirmimin e komisionerëve nga ana e PE-së.
Në këtë drejtim, komisionerët e propozuar do të intervistohen nga komitetet parlamentare përgjegjëse për dikasteret e tyre përpara se eurodeputetë të votojnë përbërjen e plotë të Komisionit Evropian në seancë plenare. Intervistat e komisionerëve në kuadër të komiteteve funksionale të PE-së nuk janë vetëm procedurë ceremoniale, por testi i vërtetë i profesionalizmit dhe përshtatshmërisë politike të komisionerëve të nominuar. Herën e kaluar në vitin 2019 Parlamenti Evropian kishe refuzuar miratimin e tre komisionerëve që vinin nga Franca, Hungaria dhe Romania.
Sidoqoftë, pas përfundimit të të gjitha intervistave të komisionerëve brenda komiteteve funksionale të PE-së, Komisioni Evropian në përbërje të plotë, duke përfshirë presidentin e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesin e lartë për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, votohen dhe miratohen me shumicën e votave në Parlamentin Evropian.
Pasi presidenti dhe komisionerët janë miratuar nga Parlamenti, ata formalisht do të emërohen me shumicë të kualifikuar nga Këshilli Evropian. Është e pritshme që e gjithë kjo procedurë të përfundohet para mbarimit të kësaj vere.