“Krizat janë ato që do ta formësojnë dhe do ta lartësojnë Evropën. Si e tillë ajo do të jetë përmbledhja e zgjidhjeve përmes të cilave këto kriza do të adresohen”, kishte thënë babai i Bashkimit Evropian, Jean Monnet. Ndoshta si asnjëherë më parë zgjedhjet e ardhshme evropiane do të janë test i epigramit të Monnetit
Viti 2024 është vit i paprecedent zgjedhor. Nga Amerika deri në Rusi dhe nga Finlanda deri në Madagaskar, mbi gjysma e popullatës së botës do të shkojë në zgjedhje. Dhe në këtë drejtim vetëm një javë na ndajnë nga zgjedhjet për Parlamentin Evropian 2024. Prandaj zgjedhjet e PE-së 2024 do të jenë subjekt i tri shkrimeve të radhës. Në shkrimin e sotëm do të mundohem të shpjegoj se përse këto zgjedhje janë të rëndësishme. Në shkrimin e dytë do të mundohem të familjarizohem me peizazhin politik të këtyre zgjedhjeve. Dhe shkrimi i fundit do të jetë për hapat që na presin drejt konstituimit të institucioneve të reja evropiane.
Prandaj, pa humbur kohë le të fillojmë se përse këto zgjedhjet janë me rëndësi.
Zgjedhjet evropiane janë ushtrimi i dytë më i madh demokratik në botë, pas Indisë. Po ashtu, zgjedhjet evropiane janë të vetmet zgjedhje demokratike në botë që tejkalojnë kufijtë nacionalë. Dhe në një vit të përplasjes së ashpër në mes demokracive dhe autokracive zgjedhjet në BE asnjëherë nuk kanë qenë më të rëndësishme. Në këtë drejtim 353 milionë qytetarë në 27 vendet anëtare të BE-së do t’iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur 720 eurodeputët. Zgjedhjet nuk do të mbahen në një ditë të vetme, por gjatë tri ditëve radhazi (6-9 qershor), sipas rregullave nacionale të secilit vend anëtar të BE-së. Kësisoj, më 6 qershor zgjedhjet do të mbahen në Holandë, më 7 qershor kutitë e votimit do të hapen në Irlandë dhe në Republikë Çeke, më 8 qershor në zgjedhje shkojnë Italia, Letonia, Malta dhe Sllovakia, ndërsa 9 qershori është dita e superzgjedhjeve, kur në zgjedhje shkojnë njëzet vende të mbetura të BE-së.
Që nga orët e para të zgjedhjeve të gjithë sytë do të drejtohen në nivelin e daljes së qytetarëve në zgjedhje pasi që nga viti 1979, kur zgjedhjet e para evropiane janë mbajtur, dalja e qytetarëve ka shënuar rënie të vazhdueshme deri në zgjedhjet e fundit të vitit 2019, kur ky trend u ndërpre për herë të parë. Tani në jubilarin e dhjetë të zgjedhjeve evropiane në vitin 2024 të gjithë do të jemi të interesuar për të kuptuar nëse kurba e interesimit të qytetarëve për zgjedhjet evropiane më në fund do të fillojë ngritjen e saj demokratike.
Zgjedhjet evropiane do t’i japin çdo vendi evropian një numër të caktuar të eurodeputetëve. Numrin më të madh të eurodeputetëve do ta ketë Gjermania me 96, ndërsa numrin më të vogël do ta kanë Qiproja, Luksemburgu dhe Malta me 7 eurodeputë. Ditën e zgjedhjeve qytetarët do të votojnë për partitë e tyre nacionale, të cilat pas mbajtjes së zgjedhjeve do të organizojnë veten brenda Parlamentit Evropian në grupet parlamentare evropiane, me ç’rast partitë nacionale me ideologji të njëjtë apo të përafërt politike do të bashkohen brenda një grupi parlamentar. Në kuadër të legjislaturës momentale të Parlamentit Evropian ekzistojnë shtatë grupe parlamentarë: (1) Partia Popullore Evropiane, (2) Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve, (3) grupi “Renew Europe”, (4) Grupi i të Gjelbërve/Aleanca e Evropianëve të Lirë, (5) Grupi i Konservatorëve Evropianë dhe Reformistëve, (6) Grupi i Identitetit dhe Demokracisë, dhe (7) Grupi i së Majtës.
Zgjedhjet e ardhshme evropiane janë jashtëzakonisht të rëndësishme pasi që ato u japin jetë dy institucioneve kryesore evropiane: Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian. Përderisa Komisioni Evropian është autoritet ekzekutiv dhe si i tillë për shumë kënd ndoshta institucion më i fuqishëm evropian, Parlamenti Evropian ushtron së paku tri pushtete të konsiderueshme brenda arkitekturës institucionale evropiane. E para, Parlamenti, së bashku me Këshillin është autoritet legjislativ i cili vendos për çdo gjë - nga politikat mjedisore, deri tek politikat tregtare. Për të kuptuar rëndësinë e kësaj imagjinoni një parlament evropian i cili miraton një rezolutë e cila bën thirrje për ndalim të procesit të zgjerimit. Së dyti, Parlamenti ka rol të pazëvendësueshëm të mbikëqyrjes demokratike të institucioneve të BE-së. Në këtë drejtim, Parlamenti jo vetëm se ushtron rolin e gardianit demokratik me njëzet komisione të veçanta mbikëqyrëse, por ai ka edhe të drejtën e refuzimit apo shkarkimit të të gjithë anëtarëve të Komisionit Evropian. Dhe së fundi, Parlamenti ka të drejtën e pranimit apo refuzimit të ndarjeve vjetore buxhetore të BE-së në vlerë prej mbi 200 miliardë eurosh. Për të kuptuar rëndësinë e kësaj imagjinoni një parlament evropian i cili vendos të zvogëlojë fonde evropiane që i dedikohen Ballkanit Perëndimor.
“Krizat janë ato që do të formësojnë dhe do të lartësojnë Evropën. Si e tillë ajo do të jetë përmbledhja e zgjidhjeve përmes të cilave këto kriza do të adresohen”, kishte thënë babai i Bashkimit Evropian, Jean Monnet. Ndoshta si asnjëherë më parë zgjedhjet e ardhshme evropiane do të janë test i epigramit të Monnetës. Në aspektin e sigurisë Evropa po ballafaqohet me konfliktin më të dhunshëm që nga Lufta e Dytë Botërore. Në kuptimin demokratik ngritja e së djathtës dhe bashkëpunimi çdo herë më i afërt i autokracive për të minuar proceset demokratike janë duke kërcënuar themelet e BE-së si projekti më i suksesshëm i paqes dhe demokracisë. Në kuptimin ekonomik ngritja e Kinës dhe nënperformanca ekonomike evropiane është duke mbjellë farat e dyshimit në modelin ekonomik evropian. Temat e ndjeshme sociale siç janë ndryshimet klimatike, politikat bujqësore apo ato të migrimit janë duke u keqpërdorur nga akterët e papërgjegjshëm politikë për të thelluar polarizimin social dhe politik në mes qytetarëve evropianë.
Katër vjet më parë kur u mbajtën zgjedhjet e fundit evropiane Bashkimi Evropian kishte gjetur veten përballë një krize ekzistenciale: një nga vendet më të rëndësishme të saj kishte vendosur të largohej nga unioni. Mediat botërore u mbushën me kryetitujt për apokalipsin dhe fundin e BE-së. Koha provoi që BE-ja doli më e fuqishme nga BREXIT-i. Sot katër vjet më vonë pushtimi rus i Ukrainës përsëri është duke testuar vitalitetin politik të BE-së. Se a do të dalë BE-ja edhe më e fuqishme nga kjo krizë e fundit vetëm koha do të tregojë, dhe në këtë drejtim zgjedhjet e javës tjetër do të jenë mesazh nga e ardhmja për Bashkimin Evropian.