Të gjithë, të vrarët në luftë apo ata të vrarë duke luftuar, heronjtë apo viktimat, më sikur nuk po duan të shërbejnë si jatakë të politikës. Nga përdorimi i tepërt, më nuk shtrydhen vota as nga ata. Para kamerave u shtrydhën të gjithë lotët e politikës, u rishkruan rrëfimet dhe u “inkasuan” votat. Sot, në kohë fushate nuk mjafton të ngrihen i madh e i vogël, të vizitojnë varret apo përmendoret. Dëshmorët, heronjtë, më në fund duket se do të pushojnë të qetë dhe fushata do të orientohet nga e tashmja dhe e ardhmja...
Definitivisht, politika e ka një problem të madh në vigjilje të këtyre zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, të vitit të ardhshëm. Nuk kanë lënë emër të respektuar pa ia shtrydhur të gjitha votat. Nuk ka mbetur më asnjë përmendore apo autoritet pas të cilit mund të fshihen. Kanë mbetur vetëm dhe “lakuriq” para elektoratit. Duke u frikësuar të dalin politikisht “nudo” para qytetarëve, po vishen me lloje të ndryshme veshjesh, me ngjyra e detaje kombëtare, gjithëkombëtare, orientale, afrikane, aziatike, globale, me retorikë militantësh fetarë apo antifetarë, me një fjalë..., janë bërë aktorë.
“Heronjtë e gjallë”, ata të cilët bënë marketing të madh politik, me lirinë që “ia sollën” popullit, të cilën, sipas tyre, populli nuk e kishte merituar, atyre u mjaftoi një periudhë 25-vjeçare që më të mos paraqesin një potencial serioz elektoral. Njëkohësisht, me përmendoret dhe monumentet ngritën lart edhe pallatet, kontot..., gjithçka. Arkëtuan nga populli borxhin, me kamatë, për lirinë të cilën, përkundër historisë, ata nuk e gjetën mes populli, por e sollën vetë. E lirisë së falur nuk i shihen dhëmbët, o popull! Të gjithë, të vrarët në luftë apo ata të vrarë duke luftuar, heronjtë apo viktimat, më sikur nuk po duan të shërbejnë si jatakë të politikës. Nga përdorimi i tepërt, më nuk shtrydhen vota as nga ata. Para kamerave u shtrydhën të gjithë lotët e politikës, u rishkruan rrëfimet dhe u “inkasuan” votat. Sot, në kohë fushate nuk mjafton të ngrihen i madh e i vogël, të vizitojnë varret apo përmendoret. Dëshmorët, heronjtë, më në fund duket se do të pushojnë të qetë dhe fushata do të orientohet nga e tashmja dhe e ardhmja, me një fjalë nga paratë.
Politikanët për të mbrojtur pastërtinë e tyre, kombëtare dhe qytetare, kanë angazhuar avokatë të shtrenjtë. Keqpërdorimi i luftës dhe i dëshmorëve në politikë kishte arritur pikën kritike. Kulmi, përtej të cilit nuk ka ku të shkohet, ishte kur të dyja palët luftonin njëra tjetrën duke mbajtur të njëjtat fotografi e duke cituar të njëjtat amanete, apo duke ndarë dhe konfrontuar shokët që kishin luftuar bashkë. Nuk pati mbetur asnjë, i vrarë në luftë, hero, martir apo viktimë e luftës, pa u shfrytëzuar nëpër fushata, aq sa fushatat zgjedhore më shumë se në diçka tjetër, ngjanin në tubime përkujtimore. Por, pas 25 vjet dominim nëpër fushata dhe debate televizive, po kërkohen emra të rinj, të “pashtrydhur” politikisht. Kur nuk ka, prodhohen në seri.
Në Kosovë heronjtë modernë, nga “reality”, nuk sjellin vota. Ata askush nuk i merr seriozisht. Te ne duhet të krijosh problem në emër të Zotit, kombit po klasës për t’u bërë hero modern. Sido që të jetë, përmendoret tashmë i ka ngritur kushdo që ka pasur buxhet familjar apo ka pasur qasje te buxheti i shtetit. Pa përmendore kanë mbetur vetëm trimat e varfër, familjet e të cilëve nuk kontribuuan mjaft për politikën dhe as politika nuk e ndjeu obligim t’i financojë me buxhet të shtetit. Liderët aktualë të opozitës janë të rinj, vijë e luftës apo pacifistë, të dy lëvizjet i kishin me të dëgjuar. Ata ende nuk arritën të krijojnë rrugën e tyre të re dhe emrin e vet, pasi u rritën nën hije të përmendoreve. Figurat dhe vendet e tyre të “shenjta”, ku bëjnë pelegrinazh, vizitat përkujtimore mbeten të njëjta, por dorën në zemër, pozita ua ka pushtuar edhe “tempujt” e tyre, përkulet edhe ajo para përmendoreve të tyre. Qytetarët e kanë humbur orientimin. Prej të gjithë liderëve aktualë, vetëm i pari i pushtetit ka arritur të kapë vetë përmasat e “përmendores”, të bëhet gati i shenjtë për pasuesit e tij, jo vetëm në Kosovë. Me përmasat politike, pasi u përkul para Jasharëve, Rugovës dhe Demaçit, ai u bë edhe vetë përmendore, një përmendore që ecën. Rruga që po hap ka marrë emrin e tij tashmë. Është kult apo model, kjo është ende e (pa)qartë për (ar)miqtë e tij. Për ne që nuk hyjmë në asnjërin grup, kjo mbetet të shihet.
Ta përmbledhim idenë: pasi ua mori “faltoret” dhe heronjtë, sikur në video-lojëra, pozita sikur kaloi në nivelin tjetër të lojës. Nëse lëvizjet dramatike në përmasa planetare ndërrojnë drejtim, vetëm atëherë ka gjasa që krejt loja me simbole jo vetëm të shembet, por edhe të ristartohet loja e përgjakshme me kufijtë dhe territoret në rajon, me potencial që të dalë prej kontrollit edhe të “menaxherëve” të krizës. Në krejt këtë tollovi, qytetarët vështirë se po arrijnë të regjistrojnë më shumë sesa disa fakte të thjeshta. Politika po i tërheq drejt kutive të votimit me idenë se “këta po e dinë çka po ndodh” ose këta “po duken si fitues”. Në fazën e fundit, pak qaste para se të hidhet vota në kuti, qytetarët do të ndahen vetëm në dy kategori: ata që e shitën votën ose ata që besuan. Në këto rrethana vështirë të thuhet cila është e gabuar e cila e drejtë, kur interesat legale dhe joformale janë të ngatërruara si gërsheta gocash, ndërsa besimet janë mbushur me militantë që luftojnë për “fitoren” e Zotit të tyre.
Fundja, gjatë historisë vetëm komunistët nuk luftuan nën flamurin e Zotit, gjithnjë nëse kjo nuk nënkupton udhëheqësit e tyre të pagabuar. Në këto rrethana vështirë të thuhet, kush i shërben qytetarët. A thua, ku e ka bazën qytetaria jonë: në vetëdije, besim apo në interes? Po ju, para cilës përmendore apo në cilin tempull do të mbani tubimin?