OpEd

Zgjedhja e Osmanit presidente alternativë e ka shkuarjen në zgjedhje

Zgjedhja e Vjosa Osmanit për presidente alternativë e ka shkuarjen në zgjedhje. E shkuarja në zgjedhje tani mund të jetë preferencë e ndonjë kalkulatori politik, por në asnjë mënyrë nuk do të ishte në dobi të vendit dhe të qytetarëve.

Fakt qenësor që duhet marrë parasysh është se zgjedhjet e reja nuk do të ishin në dobi as të partive politike, sidomos jo të opozitës, dhe më së paku të LDK-së. Sepse, përveçse gjasat që rezultati të jetë përmbajtësisht ndryshe nga ai i 14 shkurtit, janë kurrëfare. Nëse partitë që pësuan në zgjedhjet e kaluara synojnë kthimin, ato duhet t’i hyjnë rrugës së gjatë të ndryshimeve të brendshme dhe reformave përmbajtjesore. Ndryshimet kozmetike (siç janë deri tani ato në LDK dhe çfarë as që ka ende në PDK e AAK) mund të sjellin 2-3 % përmirësime të çastit (më shumë me sondazhe e më pak me realitet), por zgjedhjet e shpejta tani do të bartnin rrezikun më të madh, rënien e mëtutjeshme.

Tutje, dështimi i zgjedhjes së presidentit (lexo: Vjosa Osmanit) do të vinte me barrën e fajit dhe përgjegjësisë, që faturohet automatikisht nga votuesit në kutitë zgjedhore. Kjo do të thotë se ai që shihet si fajtor për dështimin e radhës në ndërtimin e institucioneve do të ndëshkohet nga vota e qytetarëve. Kjo vlen sidomos për LDK-në, e cila imazhin e vet politik prej dekadash e ka ndërtuar si parti institucionaliste, demokratike dhe pro-perëndimore - tri pika që tani vihen në peshore, meqë bëhet fjalë për zgjedhjen e kreut të shtetit (institucion) në përputhje me vullnetin e qytetarëve (demokraci) të përkrahur nga SHBA-ja dhe vendet kryesore të BE-së (Perëndimi).

Sigurisht, argumenti që zgjedhja e Vjosa Osmanit, si personalitet partiak, nuk është në përputhje me rolin e përfaqësuesit të unitetit të popullit ka një validitet teorik. Personalisht, si parim, do të preferoja që presidenti/ja të mos vinte nga radhët e asnjë partie. (Të kemi parasysh edhe se preferencat po ashtu varen nga më shumë faktorë; në rastin e zonjës Osmani, për shembull, ajo do të ishte preference edhe përballë shumicës së personaliteteve publike që identifikohen si apartiakë - por kjo është një temë tjetër).

Sidoqoftë, ky argument (i presidentit apartiak) bie në ujë kur përdoret nga partitë opozitare të cilat në të kaluarën vazhdimisht ngarendën për postin e presidentit, dhe deri para zgjedhjeve e aspironin e edhe kësaj radhe: AAK-ja kishte kandidat për president, e PDK-ja dhe LDK-ja që nga zgjedhjet e para të pasluftës, më 2001, gjithnjë kanë negociuar pozitën e presidentit në pako me Qeverinë (Rugova, Sejdiu, Pacolli e Thaçi kaluan direkt nga kryesimi i partisë në Presidencë, dhe vetëm kur dështuan të merreshin vesh, në lojë hyri zarfi amerikan). Për këtë arsye, këto parti nuk kanë të drejtë të flasin për president apartiak.

Natyrisht, VV-ja do të mund të propozonte një kandidat/kandidate tjetër, që ndoshta edhe do të kishte gjasa të jetë më i/e "pranueshëm/pranueshme" për një pjesë të opozitës. Por një veprim i tillë do t’i kthente Kurtin dhe VV-në brenda nate në "tradhtar" të votës dhe vullnetit qytetar të 14 shkurtit, jo vetëm të Listës Vjosa. Dhe në sytë e shumë prej atyre mbi 400 mijë votuesve për ndryshime, do ta kthente Kurtin në edhe një politikan ordiner shqiptar, që nuk çan kokën për premtime e marrëveshje, kur është fjala për pushtetin. Rrjedhimisht, ky skenar mund të ekzistojë vetëm në kokat e atyre opozitarëve që shpresojnë se Kurti bën gabime, të cilat do të mund t’i shfrytëzojnë ata për kthim të shpejtë në pushtet.

T’u kthehemi, andaj, realitetit dhe probabilitetit. Deri në muajin maj, Kosova ose zgjedh president të ri, ose shkon në zgjedhje. Kandidat i vetëm i fituesve të zgjedhjeve është Vjosa Osmani. Deputetët janë para një zgjedhjeje të qartë: ose Vjosa presidente, ose zgjedhje të reja. Për opozitarët ka dhe një lehtësim: ata mund edhe të votojnë kundër zonjës Osmani. Mospjesëmarrja na çon në zgjedhje në qershor.

Veç kujdes kush bën këso kalkulimesh. Qytetarët kanë treguar se mbajnë mend shumë dhe gjatë. Dhe kush nuk e ka mësuar këtë leksion më 14 shkurt, do të jetë i dënuar t’i përsëritet...