OpEd

Zemërgjerësia në pritje e Kurtit

Kryeministrit Kurti në horizont po i shfaqet një mundësi e veçantë për të ofruar kontributin e tij në ndërtimin e kulturës së konsensusit në kuadër të procesit integrues të vendit

Është ironi shekspiriane që sot Lëvizja Vetëvendosje është legjionare e procesit integrues të vendit. Gjatë këtij mandati qeverisës Qeveria Kurti synon vendimin pozitiv për liberalizimin e vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Nëse këto dy objektiva të tyre realizohen, atëherë së paku në këtë sens Qeveria Kurti do të jetë historike. Dhe, siç duket, ky zell integrues vjen drejtpërdrejt nga vetë kryeministri Kurti. Në fillim të këtij viti, kur Qeveria miratoi Programin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, kryeministri Kurti tha: “Zbatimi i MSA-së është proces shtetëror...të gjithë ne si institucione duhet të kemi pronësi në të gjitha aspektet e këtyre reformave”. Kjo është shumë e vërtetë, por kjo ishte e vërtetë edhe në vitin 2015, kur Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje braktisën sallën e Kuvendit në mënyre demonstrative me rastin e ratifikimit të po kësaj marrëveshjeje, të cilën sot Kurti e cilëson “shtetërore”. Tani ose sjellja e Kurtit ka qenë antishtetërore në 2015, ose është e tillë sot... ose Kurti ka qenë thjesht një opozitar oportunist... ose Kurti thjesht ka ndryshuar... ose të gjitha këto nga pak... ose edhe më e saktë: e gjithë kjo nuk ka rëndësi. Jemi ku jemi sot këtu në 2022 dhe Kurti e sheh me të drejtë MSA-në si proces shtetëror ku të gjitha institucionet duhet të kenë pronësinë e tyre.

Dhe ky është në fakt mesazhi më thelbësor i procesit integrues. Është e pamundshme që procesi integrues i vendit të avancojë pa pronësi të përbashkët të të gjithë spektrit politik dhe të të gjitha institucioneve publike të vendit tonë. Ai kërkon espirit de corps ndërpartiak. Siç u përmend, VV-ja ka kundërshtuar MSA-në, por sot janë mbështetës më fanatikë të saj. Reforma e financimit të partive politike është filluar para dhjetë vjetësh nga opozita e sotme, por është miratuar vetëm këtë vit. Reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe administratës publike ende presin zenitin e tyre. Reformat evropiane në natyrën e tyre kërkojnë kohë, pasi që janë të ndjeshme politikisht, të kushtueshme financiarisht dhe komplekse teknikisht. Rrjedhimisht është shumë e rëndësishme që këto reformat të gëzojnë mbështetjen dhe konsensusin e gjithë spektrit politik, pasi që kjo siguron vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e tyre. Dhe, kjo nuk është kështu vetëm në Kosovë. Kur Shqipërisë iu kërkua miratimi i tri ligjeve të famshme për marrjen e statusit të vendit kandidat, Partia Socialiste pengoi miratimin e tyre me qëllim të përfitimeve politike zgjedhore. Por, kur erdhi në pushtet, PS-ja u shndërrua në promovues më të madh të procesit integrues të Shqipërisë duke shtyrë përpara reformat jashtëzakonisht komplekse evropiane sikur që është vettingu. Pengimi i marrjes së statusit të vendit kandidat i ka shërbyer Edi Ramës, por ka dëmtuar procesin integrues të Shqipërisë dhe kredibilitetin e saj në skenën ndërkombëtare. Njëjtë siç Berisha sot dëmton procesin integrues me pengimin e vettingut.

Pra, në pak fjalë, konsensusi politik është i rëndësisë thelbësore për procesin integrues të çdo vendi. Por, konsensusi politik nuk është një gjë abstrakte. Është vlerë demokratike që duhet ushqyer në vazhdimësi me akte politike. Dhe, në këtë drejtim kryeministrit Kurti në horizont po i shfaqet një mundësi e veçantë për të ofruar kontributin e tij në ndërtimin e kulturës së konsensusit në kuadër të procesit integrues të vendit. Liberalizimi i vizave është proces më popullor i shoqërisë sonë. Në jetësimin e tij ka punuar çdo qeveri që nga shpallja e Pavarësisë. Tani kur liberalizimi i vizave më në fund do të bëhet realitet, do të jetë tejet e rëndësishme që Qeveria Kurti të shfrytëzojë këtë momentum për forcimin e konsensusit politik në procesin integrues. Në këtë sens ajo është e obliguar ta njohë kontributin e partive të tjera politike në jetësimin e këtij momentumi. Kjo jo vetëm që do të tregojë zemërgjerësinë politike të Qeverisë Kurti – cilësi deficitare për momentin – por edhe do të vendosë një standard të lartë kulture dhe konsensusi në procesin tonë integrues. Këtë Qeveria Kurti mund të bëjë lehtë me anë të njohjes publike të kontributit të qeverive mëparshme, por edhe realizimit të vizitave të përbashkët me opozitën në Bruksel dhe shtetet anëtare. Po ashtu, gjatë muajve në vijim qeveria dhe BE-ja do të organizojnë ngjarjet e rëndësishme të fizibilitetit (p.sh. kalimi i parë kufitar i qytetarëve në zonën Shengen me pasaportë të Kosovës) për të shënuar liberalizimin e vizave. Do të jetë tejet e rëndësishme që opozita të jetë pjesë kyç e këtyre aktiviteteve.

Kjo gjë është edhe më e vlefshme në aktin e dorëzimit të kërkesës për statusin e vendit kandidat. E konsideroj naive dhe shkurtpamëse nëse kjo kërkesë dorëzohet në mungesë të prezencës fizike të opozitës. Të gjithë e kuptojmë se do të jetë opozita e sotme ajo e cila do të jetë nesër në mazhorancë kur do të jetësohet statusi i vendit kandidat dhe nisja e negociatave të anëtarësimit, prandaj përfshirja e tyre që sot është thelbësore. Kësisoj VV do të ndërtojë hapësirën e nevojshme politike që nesër kur do të jetë në opozitë të trajtohet me dinjitet dhe konsideratë në kuadër të këtij “procesi shtetëror”, siç e quan edhe vetë z. Kurti.

E gjithë kjo vjen edhe në një sfond të ngarkuar politik kur mazhoranca dhe opozita nuk pajtohen për pothuaj asgjë - nga greva e sindikalistëve të arsimit e deri te dialogu me Serbinë. Prandaj, kryeministri Kurti duhet të shfrytëzojë këtë moment që i ofrohet në procesin e integrimit evropian si mundësi e veçantë për vendosjen e një standardi të ri në ndërtimin e kulturës së konsensusit në vendin tonë.