OpEd

Zemërgjerë me territor

Procesi i ardhshëm i shënimit të kufirit do të shtrihet në zonën kufitare me Serbinë. Kuvendi i Kosovës le të bëhet gati të nënshkruajë faljen edhe të disa mijëra hektarëve

Të jetosh apo të kesh prona në brezin përgjatë kufijve të Kosovës këta njëzet vjetët e fundit nuk ka qenë e lehtë. Banorët e këtyre zonave kanë jetuar, e disa ende jetojnë me ethet e quajtura - demarkacion.

Fjalori i gjuhës shqipe fjalën demarkacion e shpjegon si: vijë kufiri midis dy vendeve (shteteve) fqinje a midis dy zonave. Demarkacioni u bë pjesë e fjalorit dhe diskutimeve të përditshme të kosovarëve në dhjetëvjetëshin e fundit. Dhe madje jo në kuptimin pozitiv si zgjidhje e një problemi me kufijtë, por si sinonim i faljes së territorit të Kosovës. Pa kushte, pa rezistencë argumentesh e faktesh me fqinjët.

Pas shpalljes së Pavarësisë shënimi i vijës kufitare të Kosovës me të gjitha vendet fqinje u bë kusht për rrumbullakimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe parakusht i Bashkimit Evropian dhe i NATO-s për procesin integrues.

Deri më tani Kosova ka ratifikuar Marrëveshjen për demarkacion me Maqedoninë në vitin 2009, dhe në mars të këtij viti Kuvendi i Kosovës ka arritur ta ratifikojë edhe Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

dy proceset u përcollën me kundërshtime e protesta të banorëve të zonave, për tokat dhe pronat që u mbetën në anën tjetër të kufirit. Demarkacioni me Malin e Zi u kundërshtua nga partitë opozitare madje edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën e Parlamentit. Por kundërshtimet rezultuan të kota. Në të dy rastet Qeveria kishte nënshkruar marrëveshjet për kufirin pa marrë në konsideratë brengat dhe argumentet e banorëve.

Gjatë procesit të demarkimit me Maqedoninë, sipas ekspertëve, Kosova ia fali fqinjit jugor 2 mijë e 500 hektarë prona private të banorëve të fshatit Debelldeh, të Komunës së Vitisë. Banorët e Debëlldehut edhe sot nuk e pranojnë këtë demarkim. Ata thonë se autoritetet e Maqedonisë nuk po i lejojnë të dalin andej kufirit që të punojnë tokat e veta.

Në procesin e demarkimit me Malin e Zi shifrat e hektarëve të falur u rritën. Më shumë se 8 mijë hektarë kullosa e male, gjithashtu sipas banorëve dhe ekspertëve të kufijve, iu lanë fqinjit perëndimor. As në këtë rast Qeveria nuk mori parasysh shqetësimet e banorëve të Rugovës lidhur me pronat e tyre në bjeshkët përgjatë brezit kufitar me Malin e Zi.

Procesi i ardhshëm i shënimit të kufirit do të shtrihet në zonën kufitare me Serbinë. Frika dhe pasiguria e jetesës në fshatrat përgjatë kufirit me Serbinë gjatë luftës së armatosur i ka përcjellë banorët e këtyre zonave edhe në vitet e paqes së brishtë. Ndonëse rreziku për jetën e tyre nuk ka qenë permanent, banorët e shumë fshatrave në këtë zonë ka vite që sensibilizojnë qeveritë se nuk po mund të shfrytëzojnë dhe të punojnë tokat përgjatë brezit kufitar për shkak të patrullimeve të xhandarmërisë serbe nëpër pronat e tyre. Por thirrjet e tyre s’ka kush t’i dëgjojë.

Qeveria aktuale tek tash ka filluar përgatitjet me dokumente për të dëshmuar pronësinë territoriale në raport me fqinjin verior. Por fqinji pos që nuk ia ka dorëzuar origjinalet e dokumenteve kadastrale Kosovës, ka njëzet vjet që në heshtje ka aneksuar pika strategjike ushtarake dhe prona të banorëve të fshatrave përgjatë kufirit.

Anëtarët e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit të Kosovës pohojnë se Kosova ka dokumente të mjaftueshme për t’iu qasur çështjes së demarkimit të kufirit me shtetin e Serbisë. Po ata nuk e fshehin drojën se Serbia ka manipuluar me dokumentet kadastrale të Kosovës, të cilat i ka plaçkitur gjatë luftës. Si rezultat i kompromisit dhe pajtimit të ish-negociatores Edita Tahiri që Serbia t’ia kthejë Kosovës kopjet e jo origjinalet e dokumenteve kadastrale, kufijtë e Kosovës rrezikojnë të tkurren edhe më shumë.

Janë disa fshatra të komunave kufitare Kamenicë dhe Podujevë, banorëve të të cilave nuk u lejohet qasje nga policia serbe në pronat për të cilat kanë fletët poseduese të lëshuara nga autoritetet komunale në Kosovë. Pika strategjike e vëzhgimit, e quajtur Maja e Pançiqit, që sipas hartave të vitit 1988, kur Kosovës ende nuk i ishte suprimuar autonomia, ishte brenda territorit të Kosovës, tashmë ka kaluar nën menaxhim të ushtrisë serbe. Ashtu siç menaxhohet nga autoritetet serbe në veri Ujmani, resursi më strategjik dhe jetik i Kosovës. Në procesin e demarkimit këto priten të jenë edhe pikat e nxehta të një marrëveshjeje të mundshme për kufirin.

Gjatë gjithë viteve të pasluftës sa udhëhoqën Kosovën, ish-ushtarët që dikur ishin betuar të jepnin edhe jetën në mbrojtje të kufijve të saj, ishin të zënë me luftën për pushtet politik, të cilin e shfrytëzuan për përfitime materiale dhe interesa të ngushta klanore e partiake. Patriotizmi dhe atdhedashuria për shtetin e fituar me gjak e sakrifica të shumë brezave mbetën vetëm për fjalime fushatash elektorale e deklarimesh mediale. Zemërgjerësia që treguan me falje tokash në dy proceset e përmbyllura të demarkimit tregoi më së miri se sa brengosen dhe angazhohen ata për ruajtjen e tërësisë territoriale të shtetit.

Shqiptarët , historikisht, nuk janë të njohur për grabitje territoresh të shteteve fqinje. Luftërat e tyre kryesisht janë bërë për mbrojtje të tokave të veta nga apetitet e vazhdueshme territoriale, sidomos të fqinjit verior.

Serbia me shekuj ka zhvilluar dhe akoma zhvillon strategji afatgjate për përfitime territori dhe për ruajtjen e pushtetit të vet në Kosovë. Përderisa udhëheqësit e Kosovës po i vizatojnë kufijtë në ajër, me deklarata për korrigjime e shkëmbime territoresh, Serbia po i vizaton kufijtë në terren. Kuvendi i Kosovës le të bëhet gati të nënshkruajë faljen edhe të disa mijëra hektarëve.

[email protected]