Ashtu siç tridhjetë vjet më parë një plak diku thellë në rajonet e Kosovës iu gëzua rënies së Murit të Berlinit, ashtu edhe në këtë javë iu gëzuam pamjeve të Zelenskyt me liderët e Ballkanit Perëndimor
Prej kohësh kam dëgjuar një tregim për një plak diku thellë në rajonet e Kosovës i cili kur kishte dëgjuar për rënien e Murit të Berlinit kishte filluar të qante nga gëzimi. Kur e kishin pyetur përse derdh lot gëzimi për një ngjarje mijëra kilometra larg, plaku ishte përgjigjur: “Kësaj pune shpejt kena me ia pa hairin”. Se a është ky tregim i vërtet apo mit është pak me rëndësi. Tregimi bart më vete mesazhin e urtësisë së një plaku të ditur, i cili ka kuptuar se rënia e perdes së hekurt do të ndryshojë erërat e historisë dhe së shpejti do të sjellë lirinë edhe për një vend në qosh të Evropës, sikur që është Kosova.
Kështu pak a shumë m’u duk vetja duke përcjellë imazhet e presidentit Zelensky nga Athina. Gjëja e parë që me erdhi në mendje ishin fjalët e plakut: “Kësaj pune shpejt kena me ia pa hairin”. Kjo ishte hera e parë që Ukraina dhe Moldavia iu bashkuan vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të jubileut të njëzet të Samitit të Selanikut. Për të shënuar këtë ngjarje kaq të rëndësishme për procesin e zgjerimit të BE-së u mblodhën liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit, liderët e Greqisë, Rumanisë, Bulgarisë, Kroacisë, si dhe presidenti i Këshillit të BE-së dhe presidentja e Komisionit Evropian. Nën kushte normale kjo ishte një listë mbresëlënëse e liderëve politikë, por shfaqja e presidentit Zelensky hodhi të gjithë këta liderë në planin e dytë. E gjithë vëmendja u fokusua tek Zelensky. Hija e tij eklipsoi të gjithë pjesëmarrësit e tjerë. E gjithë koreografia e takimit u organizua rreth Zelenskyt. Atij iu rezervua vendi qendror në fotografinë familjare, orari i Samitit u organizua rreth agjendës së tij, ndërsa liderët të tjerë u futën me disiplinë në rresht për të siguruar shtrëngim duar dhe 10 minuta takim me Zelenskyn. Dhe ndonëse e gjithë ngjarja ishte për të shënuar rëndësinë historike të Samitit të Selanikut në kuadër të procesit të zgjerimit, të gjithë ishin të vetëdijshëm se e ardhmja e procesit të zgjerimit qëndron në duart e Zelenskyt. Kjo ishte edhe arsyeja përse në thelb e gjithë deklarata përfundimtare e takimit i ishte dedikuar pothuaj ekskluzivisht Ukrainës.
Rezistenca ukrainase ndaj pushtimit barbar rus ka revolucionizuar procesin e zgjerimit. Ky momentum ka këndellur Bashkimin Evropian për rëndësinë e zgjerimit të BE-së dhe ka kthyer përsëri vëmendjen tek fqinjësia imediate e BE-së. Kësisoj ata që përpara janë konsideruar fqinjësia lindore, sot janë pjesë zyrtare e procesit të zgjerimit. Kështu BE-ja verën e kaluar u dhuroi Ukrainës dhe Moldavisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Por “kësaj pune ia panë hairin” edhe vendet e Ballkanit. Mbi valën e entuziazmit politik të inspiruar nga rezistenca Ukrainase, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut filluan negociatat e anëtarësimit, Bosnja fitoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova fitoi liberalizimin e vizave. Gjërat që nuk u realizuan me vite, u bënë realitet për çështje javësh. E gjithë kjo falë Ukrainës, e gjithë kjo falë Zelenskyt.
Tani duke shikuar përpara është pothuajse e sigurt që BE-ja do të hapë negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë deri në fund të këtij viti. Kjo do të thyejë çdo rekord të mëparshëm në procesin e zgjerimit. Asnjë vend në historinë e zgjerimit nuk ka avancuar kaq shpejt nga aplikimi për anëtarësim, tek marrja e statusit të vendit kandidat dhe tani nisja e negociatave të anëtarësimit. E gjithë kjo për më pak se njëzet muaj. Për të njëjtin rrugëtim Shqipërisë i janë dashur trembëdhjetë vjet. Para pushtimit barbar rus të Ukrainës nuk do të kishit gjetur asnjë njeri në rruzull tokësor që do të besonte se një gjë e tillë është e mundur në procesin e zgjerimit. Prandaj të gjithë jemi dëshmitarët e përmbysjes së gjithë status quos së deritanishme të zgjerimit dhe lindjes së një shprese së re për zgjerimin e BE-së në rajonin tonë.
Dhe status qoja nuk po përmbyset vetëm jashtë BE-së, por sotto voce edhe brenda saj. Para pushtimit barbar rus të Ukrainës diskutimi për reformimin e BE-së me qëllim të përgatitjes për pranimin e anëtarëve të rinj ishte temë tabu. Sot Gjermania dhe Franca janë duke shtruar rrugë për reformimin e nevojshëm ligjor dhe institucional të BE-së për të siguruar zgjerimin e saj. Në këtë drejtim, ministrja gjermane Lührmann dhe ministrja franceze Boon do t’ua prezantojnë liderëve të BE-së propozimet e tyre në vjeshtën e këtij viti.
Duke huazuar nga një tjetër citim, në gjithë këtë mes nga vendet e Ballkanit Perëndimor do të pritet që “mos të dhinë punën”. Këtë më së miri e ka kuptuar në lëkurën e tij i vetëpërjashtuari nga takimi i Athinës, Edi Rama. Pasi që kishte zgjedhur rrugën e eliminimit me mjetet extra-politike të minoritetit grek, Greqia vendosi që nga Rama të bëjë shembull për këdo që i shkon mendja të shtypë qytetarët e saj. Pas refuzimit për ta ftuar në jubileun më të rëndësishëm rajonal, Greqia ia refuzoi Ramës edhe zjarrfikësit. Mesazhi ishte i qartë: me Ramën as në festë, as në tragjedi. Rama e ka “dhi punën”.
Ndonëse mungesa e takimit të Kurtit me Zelenskyn u interpretua ad hominem si ndëshkim ndaj Kurtit për shkak të mungesës së koordinimit në kuadër të dialogut, besoj se ka një shpjegim ad logos më elegant. Mungesa e takimit në mes Kurtit dhe Zelenskyt në fakt ishte krejtësisht e pritshme dhe ajo bart më vete një mësim të rëndësishëm për pozitën unikale të vendit tonë në skenën ndërkombëtare. Në skenën ndërkombëtare, dhe në veçanti sot në sfondin e pushtimit rus të Ukrainës, Kosova është çështje delikate që duhet trajtuar me kujdes. Dhe në veçanti sot nga ana e Zelenskyt kur të gjitha dritat e botës janë drejtuar drejt tij. Në arsyetimin e pushtimit të vet barbar kundër Ukrainës, Putini ka cituar pikërisht precedentin e Kosovës. Me fjalë të tjera, ai ka përdorur rastin e Kosovës si armë diplomatike kundër Zelenskyt dhe Ukrainës. Rrjedhimisht sot çfarëdo ekspozimi diplomatik i Zelenskyt me liderët e Kosovës është minë politike që e fut atë – dhe aleatët perëndimorë – në një situatë jashtëzakonisht komplekse diplomatike. Kjo është edhe arsyeja përse jo vetëm se nuk kishte takim, por Zelensky u përmbajt nga përmendja e Kosovës edhe në rrjetet sociale. Për këtë duhet të kemi mirëkuptim, së paku tani për tani.
Si do që të jetë, përderisa të gjithë liderët e rajonit ishin në takime duke bërë foto me Zelenskyn, Kurti vendosi që të bëjë një foto në ballkonin e hotelit me pamje nga Akropoli. Aty ai tha se “uniteti dhe gjithëpërfshirja janë e vetmja rrugë përpara”. Ironikisht kjo është ekzakt çfarë aleatët presin nga Kurti sa i përket dialogut: jo aktet unilaterale dhe befasi, por unitet dhe gjithëpërfshirje.
Këtë mësim siç duket e ka mësuar Vuçiqi. Pjesëmarrja në Athinë dhe dakordimi me deklaratën përfundimtare të takimit ishin hapi i radhës i Vuçiqit drejt kampit perëndimor. Aty ai shprehu dakordimin se “jemi dëshmitarë të manifestimit të efekteve të tmerrshme të revizionizmit” dhe se “përballë agresionit rus shprehim mbështetje të palëkundur për Ukrainën”. Kjo është tani gjuhë politike një hap larg sanksioneve. Dhe për më tutje, duke njohur faktin se Putini është tani zyrtarisht i akuzuar për krime luftë në përputhje me Statutin e Romës – palë kontraktuale e të cilit është Serbia – Vuçiqi u dakordua se “nuk mund të këtë pandëshkueshmeri për krime lufte” dhe se “të gjithë personat përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi”. Frika nga një përgjegjësi e tillë ka shtyrë Putinin që të mos udhëtojë në Samitin e BRICS-it në Johanesburg, duke mos preferuar të rrezikojë arrestimin në një vend që është palë e Statutit të Romës. Ndonëse Vuçiqi minimizoi rëndësinë e deklaratës, dakordimi i tij patjetër paraqet një kompromis të radhës ndaj komunitetit perëndimor dhe distancim nga Putini.