OpEd

Xhudo e artë

Pavarësisht se sa shumë shprehim krenari për medaljet e vajzave të xhudos, ne do të duhet të turpëroheshim për shkak se si shoqëri nuk e kemi idenë se si duhet përkrahur suksesin dhe si duhet hapur mundësi të reja për zhvillim të mëtutjeshëm. Mbase të gjithë do të duhej t'i nënshtroheshim një trajnimi nga Toni Kuka, që të na mësojë se si kultivohet disiplina, e cila krahas parimeve, bëhet ligj i veprimit

Kjo zgafellë nuk mund të jetë tjetër pos një e dedikuar ekipit të xhudos të Kosovës.

Vajzat e arta të xhudos që në Olimpiadën e Tokios e vërtetuan se medalja e fituar në Rio de Janeiro para pesë vjetësh nuk kishte qenë rastësi. Gëzimin që na e dhuruan Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova brenda tri ditësh është vështirë të përshkruhet me fjalë. E di që reagimet e vetme që më shpërthyen në çastin e fitores së Distrias të shtunën, e më pas edhe të Norës të hënën, qe një fishkëllime me gjithë fuqinë që kisha dhe duartrokitje shumë të zhurmshme, ta merrte mendja se jam në Nippon Budokan dhe se që të dyja mund të më dëgjonin.

Ka shumë, shumë kohë qëkur nuk jam ndier më e lumtur dhe më krenare me një ekip, që po t'i kishim pasur mendtë dhe vizionin e Toni Kukës, do të kishte mundur të shërbente si shembull se si do të duhej të funksiononte secila pore e shoqërisë së Kosovës.

* * *

Tri medaljet e arta të xhudisteve kosovare brenda pesë vjetësh nuk janë hiç të rastësishme. Janë rezultat i një ëndrre, një dëshire, një vizioni, një pune dhe një strategjie të themeltë që u ndërtua e zbatua thuajse gjatë tri dekadave.

Toni Kuka ishte 21 vjeç kur iu ndërpre ëndrra olimpike. Barcelona 1992 u bë cak i paarritshëm për të, për shkak se tashmë në shtetin në të cilin jetonim kishin kërcitur dy luftëra. Për më tepër, Kuka atëherë garonte për ekipin Bosna nga Sarajeva. E vetëkuptueshme, karriera e tij mbaroi kur Sarajeva u rrethua për t'u shkatërruar.

Fakti se nuk iu dha rasti që të garonte në garën kulmore sportive, do të ketë qenë shtytja më e madhe që të kërkonte me ngulm që sportistët e tjerë ta kishin mundësinë që atij iu shkurtua falë rrethanave të jetës. Kishte vendosur të vazhdonte të merrej me sportin që ia kishte mësuar i vëllai, por edhe t'i mësonte më të vegjlit, ashtu që ata një ditë ta mbërrinin kulmin në sport.

Peja e 1994-s, për fat të keq sikurse edhe Peja e ditëve të sotme, nuk kishte pasur palestër xhudoje për stërvitje e as për gara besa. Kishte pasur një palestër në të cilën luheshin krejt sportet dhe ku askush nuk donte t'ia linte hapësirën një të riu, për të bërë ushtrime dy herë në ditë. E aq më pak, nëse ky i ri ishte shqiptar.

Vendosi që ta ndërtonte një palestër në oborr të shtëpisë. Familja e përkrahu, pa dyshim, porse në kohë të pakohë nuk ishte punë e lehtë që objekti të përfundonte shpejt. Mori tre vjet për t'u ndërtuar dhe më në fund, një grumbull fëmijësh të mëhallës, do ta kishin një vend për ta ushtruar një sport, jo bash të popullarizuar mes shqiptarësh, por një sport që më vonë do ta vendoste Kosovën në piedestalin më të lartë, jo një, por tri herë.

Palestra përfundoi, por mbeti e papajisur për një kohë. E mandej plasi lufta dhe aktiviteti detyrimisht u reduktua për t'u ndalur për një kohë.

Pas luftës, ende nuk i kishte mbushur as 30 vjet. Kuka vendosi të bëhej trajner dhe ua hapi dyert djemve e vajzave që donin të ushtronin kush për dëfrim, e kush për shkak se këtë e kishte ëndërr.

Rastësisht apo jo, së shpejti do të vërente se vajzat tregoheshin më të zellshme dhe më të disiplinuara. Zbuloi se aty kishte brumë për krijimin e kampioneve dhe punoi me to intensivisht. Në grupin e parë të xhudistëve të ardhshëm u gjetën Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova - atëbotë fëmijë 10, përkatësisht 8 vjeç. Më vonë grupit do t'i bashkohej edhe Distria që është 5 përkatësisht 3 vjet më e re sesa Majlinda e Nora.

Paralelisht me krijimin e ekipit të Kosovës në xhudo, Driton Kuka, së bashku me të vëllanë Agronin, bënë përpjekje me shumë ngulm që Kosova ta fitonte të drejtën për të garuar nëpër gara ndërkombëtare që siguronin edhe medalje, por edhe pikë olimpike.

Kosovës iu mundësua të garonte nën flamurin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, e mbas një kohe jo fort të gjatë, më në fund edhe nën flamurin dhe emrin e Kosovës. Dhe këtu u renditën fitoret më të mëdha në historinë e sportit kosovar.

* * *

Sinqerisht, nuk di t'ju them se sa medalje i kanë fituar Majlinda, Nora e Distria në këta 12-13 vjet që i përcjell, falë edhe redaktorit tonë të sportit Arsim Maxhera, i cili mbase do të ketë qenë ndër të parët gazetarë që e kishte nuhatur potencialin e xhudos dhe Ipponit të Pejës në Kosovë.

Të gjitha shkrimet e tij sillnin para një rrëfim të ri, për edhe një sukses të arritur të vajzave 17-18 vjeçare. Fliste edhe për ndonjë humbje, që në vend të pësimit, shndërrohej në mësim si për trajnerin, ashtu edhe për to. Fliste për përpjekjet e vazhdueshme për të siguruar financim për një sport, i cili me vite na siguronte nga një medalje dhe shumë pikë olimpike. Na tregonte se me forca të vetat, një ekip i tërë, i organizuar dhe i disiplinuar si një ushtri e vogël, ia siguronte vetes pjesëmarrjen aty ku mblidhet ajka e sportit botëror.

Pra, për t'iu kthyer medaljeve, mbase me një Google search do të mund t'i gjeja shënimet për medaljet e tyre, por e besoj se kësaj radhe mjafton t'i përmend tri medalje të arta olimpike: një në Rio de Janeiro, në kategorinë deri në 52 kg, Majlinda Kelmendi; dy në Tokio, në kategorinë deri në 48 kg, Distria Krasniqi dhe në kategorinë deri në 57 kg, Nora Gjakova.

Kosova e vogël, me tri kampione olimpike. Bravo!

* * *

Suksesi i xhudisteve e xhudistëve si dhe i vëllezërve Kuka bëhet edhe më i vlefshëm kur dihet se as pas pesë vjetësh nga medalja e Majlindës nuk u ndërtua Qendra Kombëtare e Xhudos, siç ishte premtuar. Kjo tregon se sa joseriozë jemi si shtet dhe sa miopë jemi si shoqëri.

Qendra pos që e kishte afirmuar Kosovën ende, kishte shërbyer edhe për avancimin e sportit, sepse kishte siguruar të hyra për zhvillimin e mëtejmë të këtij, e mbase edhe sporteve të tjera mbi tatami.

Por jo, sipas zakonit tonë të keq, e gjithë ndërmarrja me siguri do të ketë dështuar për shkak të një tenderi për projekt, e mbase edhe një tenderi tjetër për ndërtim, e mbase edhe ndonjë kontrate që me automatizëm do të na çonte në arbitrazh, për çfarëdo qoftë, për shkak se arbitrazhi është fjala në modë këto ditë.

Pavarësisht se sa shumë shprehim krenari për medaljet e vajzave të xhudos, ne do të duhet të turpëroheshim për shkak se si shoqëri nuk e kemi idenë se si duhet përkrahur suksesin dhe si duhet hapur mundësi të reja për zhvillim të mëtutjeshëm. Mbase të gjithë do të duhej t'i nënshtroheshim një trajnimi nga Toni Kuka, që të na mësojë se si kultivohet disiplina, e cila krahas parimeve, bëhet ligj i veprimit.

* * *

Nga fillimi i javës do të na kthehen kampionet me të gjithë ekipin që ishte në Tokio. Nuk e di nëse do të ketë parakalim dhe pritje sikurse ishin organizuar për Majlindën para pesë vjetësh. E shoh të vështirë parakalimin nëpër panagjyr me gjithë ato "dekorime" dhe me gjithë atë milet që endet rrugëve pa asnjë masë mbrojtëse.

Të shohim, mbase dikush nga ndonjë protokoll shtetëror do të na informojë se cili është plani.

Pavarësisht planit, do ta kisha një lutje të veçantë për kampionet dhe të gjithë ekipin e xhudos që vjen nga Tokio: në konferencën për shtyp, që me siguri do ta mbajnë, do të kishte me qenë tepër e rëndësishme që të tri kampionet, Majlinda, Distria e Nora si dhe mentori i tyre Toni, t'i ftojnë të gjithë ata që kanë dilema për ta marrë vaksinën që të vaksinohen. Nuk ka dyshim se kjo thirrje do t'u shtonte edhe më shumë peshë të artave me të cilat na bënë të besojmë se ky vend ka ardhmëri.

[email protected]