A provokon Granit Xhaka? Po, por zakonisht kur e provokojnë. Futbolli nuk është balet. I ngjan një lufte ku shpesh dominojnë edhe instinktet arkaike. Në mendjen e çdo ultranacionalisti serb mbizotëron dëshpërimi që Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe të tjerët nuk janë hedhur në ndonjë varr masiv, por, shih ti, luajnë futboll, madje e mposhtin Serbinë në garën më të rëndësishme të sportit më të popullarizuar të botës
Duket se disa gazetarë në mediat në Zvicër dhe pjesërisht në Gjermani kanë vendosur t'ia ndërrojnë mbiemrin Granit Xhakës. Duan t'ia vendosin mbiemrin Provokatori.
Granit Provokatori! Prej se ka marrë fund ndeshja mes Zvicrës dhe Serbisë, një numër i konsiderueshëm i gazetarëve të sportit nuk mund të formulojnë një fjali për Xhakën pa e përmendur fjalën provokim. Kjo është një qasje e çuditshme, njëdimensionale, aspak reflektuese ndaj ndeshjes që u zhvillua të premten e kaluar në Doha. Si përherë realiteti është i ndërlikuar dhe ai bëhet edhe më i ndërlikuar kur gazetarët e sportit (me përjashtime!) futen në terrenin e analizës politike dhe historike. Në rastin e Xhakës ekziston një prirje tejet tendencioze e gazetarëve që krejt faji t'i ngarkohet atij. Vazhdimisht nënvizohet se "serbët nuk bën të provokohen", "politika duhet të qëndrojë jashtë stadiumit" dhe mendime të tilla banale. (Banale në kuptim të mendimeve që e kanë humbur forcën shprehëse për shkak të përsëritjes së shpeshtë dhe janë bërë bajat).
***
E vërteta është se shumë serbë "ndihen të provokuar" nga vetë prania e shqiptarëve të Kosovës në ekipin kombëtar të futbollit të Zvicrës. Në mendjen e çdo ultranacionalisti serb mbizotëron dëshpërimi që Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe të tjerët nuk janë hedhur në ndonjë varr masiv, por, shih ti, luajnë futboll, madje e mposhtin Serbinë në garën më të rëndësishme të sportit më të popullarizuar të botës. Në vend të varrit masiv në Batajnicë shqiptarët driblojnë për mrekulli në fushën e gjelbër si yje globalë. Vetëm mendimi në këtë drejtim e çmend çdo ultranacionalist. Shqiptari, sipas kësaj mendësie, në shkallën e përparimit social e ka vendin më së larti si bartës qymyri, që ushqehet me sardele në garsoniere të akullta të Beogradit, si shitës salepi ose në një varr masiv.
***
A provokon Granit Xhaka? Po, por zakonisht kur e provokojnë. Futbolli nuk është balet. Dhe Granit Xhaka nuk është i ftohtë si kondicioner i Katarit. Futbolli i ngjan një lufte ku shpesh dominojnë edhe instinktet arkaike. Çka ndodhi në ndeshjen e së premtes? Disa gazetarë rrëfimin e fillojnë në minutën e 65-të kur Xhaka kroi "organet riprodhuese". Por shumëçka fillon para ndeshjes. Dhe sidomos gjatë ndeshjes. Me thirrjet e "fansave" serbë për vrasjen e shqiptarëve. Me prekjen ofensive të organeve gjenitale nga ana e Dushan Vllahoviqit menjëherë pasi dha gol në minutën e 35-të. Me sharjen vulgare të nënave shqiptare nga trajneri Dragan Stojkoviq. Me provokimet raciste nga tribuna me fansa serbë. Me kronikat e lajmet në mediat serbe të cilat 10 sekonda pasi Xherdan Shaqiri shënoi gol, u "stolisën" me tituj si "Shaqiri po provokon sërish". Po, nëse provokim është goli fantastik i Shaqirit kundër Serbisë. Sepse diçka tjetër Shaqiri nuk bëri.
***
Të gjithë ata gazetarë të hapësirës gjermanofolëse dhe reporterë të lodhur nga vapa e shkretëtirave të Katarit të cilët duke fërkuar duart prisnin që FIFA të hapë procedurë hetimore kundër Granit Xhakës, të hënën u dëshpëruan kur u bë e ditur se FIFA ka hapur procedurë hetimore kundër Serbisë. Hetimet janë hapur kundër Federatës Serbe të Futbollit, njoftuan mediat zvicerane. Dhe hetimet po zhvillohen në lidhje me nenin 12 (sjellje e padenjë apo e gabueshme e lojtarëve dhe zyrtarëve), nenin 13 (diskriminim) dhe 16 (rend dhe siguri e ndeshjes). FIFA nuk ka ofruar të dhëna të tjera. Mediat zvicerane supozojnë se me gjasë bëhet fjalë për trajnerin e Serbisë, Dragan Stojkoviq, dhe Vanja Milinkoviq-Saviq i cili atakoi Granit Xhakën.
***
Në kontekstin shqiptar duhet veçuar sidomos këtë: instrumentalizimi i Granit Xhakës për poenë politikë ("Serbia nuk kalon") siç bëri kryeministri i Kosovës nuk është punë e mençur. Xhaka ka të drejtë të jetë krenar me prejardhjen e tij, me Kosovën etj., por në fund të fundit, Xhaka është futbollist i Zvicrës dhe për këtë vend luan vullnetarisht, jo nën presion. Nganjëherë do të ishte mirë që Xhaka të mendojë se mes 8,7 milionë banorëve të Zvicrës maksimum 300 mijë janë shqiptarë ose me prejardhje shqiptare. Mbesin edhe 8,4 milionë banorë të Zvicrës të cilët kanë të drejtë të presin nga futbollistët e kombëtares së tyre diçka më shumë se vetëm debate mbi përplasjet ballkanike.